Takim me te panjohuren

Takim me te panjohuren
Genti Korini vjen për herë të parë me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve

Takim apo ritakim me pikturën abstrakte? Në pikturat e Genti Korinit duhet të ndalesh gjatë për të kuptuar se cila është gjendja që orvatet rreth teje, ndërsa vështrimin e ke të zhytur në format gjeometrike, të cilat dhe pse në dukje të thjeshta, të sjellin një ndryshim… Është si një takim me një moment të panjohur, por që dikur ka qenë shumë pranë teje, dhe ti e ndien këtë përmes ngjyrës që ai ka vendosur në telajo.

Pavarësisht komentit që një artist apo një kritik arti mund t’i bëjë një pikture, ajo çfarë realisht vlen tek ajo, është momenti kur ne jemi përballë saj. Dhe pikturat e Genti Korinit të bëjnë të krijosh një intimitet me to, duke e ndier veten të përfshirë nga abstraktja, ose kjo e fundit të jetë futur brenda teje. Pas një rrugëtimi të gjatë me pikturën, dhe pjesëmarrjes në një sërë konkursesh, siç ishte edhe rasti i fundit në “Onufër”, Genti Korini ka vendosur të vijë në një hapësirë të gjithën me punët e tija. Më 21 shkurt deri 23 mars, ai hap ekspozitën e parë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve të quajtur “Struktura kalimtare, abstrakt” dhe që kurohet nga Alban Hajdinaj. “Tipari i parë i punëve të Korinit, është ai i një pikture që flet për vetveten, për mënyrën si është bërë, për penelatat që e kanë ndërtuar, për ngjyrën e hedhur, që siç thoshte Greenberg-u nuk e fsheh aspak faktin që është shtrydhur prej tubetit dhe është hedhur me furçë mbi beze…

Një pikturë ku procesi është transparent, çka është tipike për pikturën abstraksioniste, apo përgjithësisht për atë moderniste. Tipari i dytë i pikturës është një lloj imazherie, apo më mirë të themi një ‘pothuajse imazh’; penelat janë hedhur në mënyrë të tillë që duket sikur janë përpjekur të vizatojnë diçka brenda kuadrit. Shpesh shfaqet aty një lloj strukture a gjeometrie që merr formë dhe bashkëjeton me lëndën përbërëse abstrakte që sapo përshkruam. Kjo bashkëjetesë duket e çuditshme, apo e sforcuar, por ajo krijon një tension të fortë në kuadër. Linja apo blloqe të pikturuara me vendosmëri e shpesh me ngjyra të forta e evidentuese, krijojnë hapësira e plane që diç të kujtojnë.

Duket sikur këto forma, herë të sakta, herë fluide, e copëzojnë tablonë. Ato duket sikur tentojnë të të çojnë diku, a drejt një vëllimi, a drejt një perspektive të caktuar, por kjo nuk ndodh, ato mbeten thjesht forma ose linja që nxisin imagjinatën tonë, por janë po aq abstrakte brenda kuadrit. Duket sikur autori është nisur me një mendim të caktuar për të ndërtuar diçka, një strukturë, një motiv apo një objekt, por rrugës ka ndryshuar mendje dhe e ka lënë atë përgjysmë”, thotë Hajdinaj. Për të, “elementet përbërëse që shquhen në pikturën e Korinit në vetvete përfaqësojnë nënshtresa historike të ndryshme nga njëra-tjetra. Kështu mund të thoshim se (a) përfaqëson brenda tablosë abstraksionizmin e autorëve si Kandinsky, Klee, Kupka apo ekspresionistëve abstraktë si De Kooning, Rothko etj. Ndërkohë që (b) përfaqëson aty abstraksionizmin gjeometrik të Mondrian, Deloney, Newman apo (c) shfaqet si përfaqësuese e konstruktivizmit të Malevich, Rodchenko, Stella etj.

Kjo përzierje elementesh, apo ky lloj shartimi, e bën pikturën e Korinit një lëndë mjaft të ngjeshur. Tendenca gjeometrike, e cila lindi në fillim të shek. XX në pikturën abstrakte, si një kërkesë për të eliminuar brenda saj çfarëdolloj prezantimi të iluzionit objektiv, përplaset me iluzionin, të cilin e prodhon tendenca jogjeometrike e kësaj pikture. Të dyja këto së bashku përplasen edhe një herë me vizatimin konstruktivist që lë gjurmën e vet në tablo dhe të gjitha bashkë na japin një rezultante të veprës: një lëndë e përbërë prej elementesh puriste, por ndërkohë të ndryshme e që bëjnë kontrast me njëra-tjetrën”.

“Struktura kalimtare”, duket se që në titull ju parashikoni një të ardhme tjetër për pikturën tuaj. Si do të jenë strukturat e së ardhmes?

“Struktura kalimtare” ose fluide, ose të përkohshme. Nëntitulli i ekspozitës sime nuk ka të bëjë shumë me të ardhmen e pikturës sime sesa ka të bëjë drejtpërdrejt, me konceptin e pikturave të kësaj ekspozite. Duhet të theksoj që kjo ekspozitë ka në thelbin e saj vetë marrëdhënien që ka piktura si entitet me veten dhe me mjetet që ajo zotëron, si dhe marrëdhënien time me pikturën.

Këto struktura “kalimtare” përfaqësojnë procesin në flux të vetë pikturës, ku ndërtimi dhe shkatërrimi, kaosi dhe rregulli, ekzistojnë me njëra-tjetrën. Nuk janë edhe aq të rëndësishme strukturat si subjekt më vete, sesa është vetë procesi i pikturës subjekti i saj.

A ju shqetëson e ardhmja?

Mendoj se marrëdhëniet me kohën i kam të mira, por e ardhmja më shumë më bën kurioz sesa më shqetëson.

Në punët tuaja gjen elemente të ndryshme të abstraksionizmit. Një artist e zgjedh vetë se cilën rrymë duhet të realizojë, apo ajo vjen instinktivisht tek ai?

Gjithë kjo ekspozitë rrotullohet mbi abstraksionizmin, një platformë që e çliron pikturën nga “subjekti” përfaqësues i realitetit.

Kam zgjedhur këtë mënyrë shprehje, për disa arsye të ndryshme.

E para, se imazhi është kthyer, na ka kthyer në konsumator të një hiperrealiteti, duke rrudhur aftësinë tonë të të imagjinuarit.

E dyta, se dialogu im është në një farë mënyre me të shkuarën “Moderniste” që në kohën tonë postmoderne është menduar si një e shkuar e largët, por që për mua ka ende vlerë dhe mundësi eksplorimi.

Duhet të sqaroj këtu një moment shumë thelbësor, kur i referohem “modernizmit” si një të shkuar të largët. Kjo ka të bëjë me traditën e artit perëndimor, ku fatkeqësisht Shqipëria, s’ka qenë pjesë e këtij zhvillimi kulturor, për arsyet që dihen tashmë. Dhe ne kemi një publik që edhe sot e ka shumë të vështirë raportimin me gjuhën moderniste, sepse është mësuar me gjuhën e artit figurativ kryesisht të atij të realizmit socialist, gjë që e bën të distancuar nga komunikimi real me veprën e artit ku mungon “subjekti” përfaqësues, ose thjesht ai figurativ. Në një farë mënyre ekspozita ime shihet në dy këndvështrime të ndryshme, në të njëjtën kohë është një ritakim me abstrakten nëse kemi parasysh kontekstin e zhvillimit të artit perëndimor, por një takim me një të panjohur në kontekstin e publikut shqiptar. Mbase kjo marrëdhënie e bën më interesante frekuencën në të cilën komunikon kjo ekspozitë.

Elementet gjeometrike duket sikur drejtohen mirë prej jush. Mund të na e zbërtheni gjuhën e tyre?

Në pikturën time unë përpiqem të bëj bashkë disa mënyra të abstraksionizmit, duke kundërvënë në një formë abstraksionizmin lirik ose ekspresionist, me atë gjeometrik, dhe me elemente të vizatimit konstruktivist. Kjo është gjuha ime që zhvillohet në kufijtë e këtyre përkufizimeve të rrymave a të stileve.

Për mua është e rëndësishme sfida për të prodhuar një imazh të ri, duke huazuar të gjitha mjetet e mundshme nga e kaluara e artit dhe duke e bërë transparente procesin e pikturës, që për mua ka një frekuencë specifike në gjuhën e artit bashkëkohor në tërësi, dhe vetëdija për këtë e bën pikturën ende të vlefshme në këtë komunikim të gjerë që ka sot arti vizual.

Në atë çfarë ndodh sot me artin pamor, ku e gjeni veten?

Arti pamor sot është shumë stimulues dhe të bën të krijosh marrëdhënie nga më të ndryshmet, me gjuhën, mesazhet, kontekstet, formën që ai vetë ka.
Veten ose më mirë punën time, do ta fusja në një lloj kërkimi individual, që jo detyrimisht ecën paralel me më të rejat që ndodhin në artin bashkëkohor.

Përse duhet fotografuar dhe më pas hedhur në kompjuter një pikturë që sapo e keni përfunduar?

Kjo është pjesë e procesit tim, sikundër nisja e një pikture edhe pa një skicë paraprake, ku në një farë mënyre ti shkon instinktivisht tek imazhi dhe e ndërton atë shtresë mbas shtrese deri sa e vetëdijshmja pranon kufirin e pavetëdijshmes dhe aty hyn edhe procesi i ndërhyrjes me kompjuter, që dhe në këtë rast për mua është një mjet ashtu si dhe peneli apo boja e tubetit.

Ngjyrat? Cili është raporti juaj me to? Theksimi i tyre në disa raste me çfarë ka të bëjë?

Është një pyetje që shpesh e bëni ju gazetarët, por unë do ju përgjigjesha në këtë formë: është si të pyesësh një muzikant se çfarë raporti keni me notat.

Kaos, zemërim, frikë, shpresë, cilat nga këto elemente të shtyjnë drejt pikturës?

Asnjë nga këto në veçanti, edhe pse njeriu është kompleks në ndjenja dhe mund t’i përfshijë edhe këto që listoni ju. Në momente të ndryshme, me gjithë motorin tim lëvizës që më çon drejt pikturës, nuk e kam zbuluar ende në mënyrë specifike, por mund të përdor atë shprehjen klishe që arti dhe piktura në veçanti, më plotëson.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama