Kreu i qeverisë Edi Rama, ka pritur sot në një takim Komisionerin për Zgjerimin në BE, Johanes Hahn, me të cilin kanë diskutuar hapat që duhet të ndjekë Shqipëria mbi rrugën e Integrimit dhe reformat e nevojshme drejt këtij procesi.
Në përfundim të mbledhjes së fazës së pestë të dialogut të Nivelit të Lartë, BE-Shqipëri, Rama dhe Hahn kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku kryeministri ka theksuar se reformat po vazhdojnë, ndërsa Komisioneri Europian ka këmbëngulur që reforma në drejtësi të çohet deri në fund.
“Puna për 5 prioritetet është intensifikuar, – tha Rama. – Ky takim konfirmoi angazhimin e dyanshëm. Informuam komisionerin se në ç’pikë ndodhet reforma në drejtësi, e cila do të na japë një produkt që lë pas kalbëzimin e sistemit të drejtësisë dhe hedh themelet e shtetit të së drejtës. Ky është procesi më i thellë dhe më gjithëpërfshirës, gjë që mund të krahasohet me procesin e shkrimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Patëm një mbledhje, ku opozita foli më shumë se qeveria, ç’ka është e nevojshme, duke parë edhe deficitin e krijuar pas braktisjes së Kuvendit për një kohë të gjatë”.
Më tej kryeministri shtoi: ”Nuk jemi në kohën më të mirë politike për zgjerim, por jemi në kohën më delikate në rajon, për të mos e lënë procesin e zgjerimit pa e shtyrë në vazhdimësi e vendosmëri më tutje. Prandaj ne i shohim negociatat Be-Shqipëri, jo si një hap drejt procesit, por si vetë procesi”.
Rama premtoi se në vjeshtë Shqipëria do të ketë gati dosjen me përmbushjen e 5 prioriteteve. “Në shtator do t’i japim komisionit në dorë gjithçka mbi 5 prioritetet, ku Shqipëria të japë rezultatet 1 më 1 sipas detyrave të përcaktuara, por shpresojmë që BE të mos ketë shtesa kati rrugës”.
Hahn: Shqipëria të vazhdojë me reformat jo vetëm në drejtësi
Nga ana e tij, Johanes Hahn tha se “duket qartë angazhimi i të gjithë palëve për këtë proces. Takimet kanë qenë premtuese dhe do të vazhdojnë dhe e rëndësishme është që dialogu të fillojë dhe të vazhdojë”.
“Ka pasur progres për 5 prioritetet, por për integrimin, të gjitha palët duhet të jenë të përfshira. Po flasim për një proces dhe për një përafrim gradual të vendit, – theksoi komisioneri Hahn. – Shqipëria duhet të vazhdojë reformën në sistemin e drejtësisë, ku duhen politika kundër krimit dhe luftës kundër korrupsionit”.
“Duhet investuar në Shqipëri, por klima e biznesit dhe kushtet duhet të jetë konform këtyre investimeve me barazinë para ligjit, gjyqësorit dhe të tjerë. Pastaj duhen rezultate edhe në fushën e ekonomisë, me hapjen e vendeve të reja të punës, – shtoi ai. – Ne jemi të vendosur si BE, që të mbështesim Shqipërinë, që vendi të ecë përpara, por më shumë rëndësi ka cilësia dhe jo shpejtësia, dhe aq më mirë nëse këto dy gjëra ecin njëherësh”.