Takimi i Fan S. Nolit me romanin Don Kishoti te Servantesit

Takimi i Fan S. Nolit me romanin 'Don Kishoti', te Servantesit

Fan S.Noli ka meritë të trefishtë ndaj lexuesit shqiptar për takimin e parë që organizoi me Servantesin dhe me romanin “Don Kishoti”. Në kushtet e motit të zgjatur të zbrazëtive të njohjes të lexuesit shqiptar me më të mëdhenjtë e letërsisë botërore, ua bëri të mundur bashkatdhetarëve të shkolluar kontaktin me kryeveprën e Servantesit, duke ia shtuar kështu listës së përkthimeve që kishte hartuar me kujdes për t’i shqipëruar. Kjo zgjedhje, me siguri duhet të ketë pasur kuptim të dyfishtë në kohën, kur Shqipërisë i ishte imponuar përdhunshëm, e ashtuquajtura “Mbretëri”, si një akt vërtet donkishotesk, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk duhet të kishte qenë aspak e thjeshtë dhe aq e vogël kjo dëshirë e përkthyesit, sepse ato kohë kishte asisoj, siç vazhdon të ketë edhe tani, njerëz që zotëronin ndonjë gjuhë të huaj, të cilën mund ta përdornin për të fituar pare, lavdi e famë, të paktën, sançopançiane, domethënë jo aq shpirtërore se sa materiale, financiare, duke përkthyer e venë në qarkullim romane si “Ura e Psherëtimave” ose, siç po ndodh edhe në ditët e sotme, ndonjë roman tejet të munguar me përmbajtje të mirëfilltë pornografike, nga ata më të shiturit e më fitimprurësit, ndoshta, për t’i dhënë një dorë shpejtimit të stërzgjatur për t’u përfshirë “kulturalisht” në Bashkimin e adhuruar Europian, që shumëkush e barazon me “Arkadinë” e ëndërruar të Don Kishotit.

Fan Noli nuk e përktheu, por shqipëroi një prej veprave më të mëdha e më të vështira të letërsisë botërore dhe na kumtoi një mesazh të vlefshëm për të mësuar edhe lexuesit e sotëm të njohin e t’i dallojnë midis përkthyesve të kohës sonë, që turren për të fituar pakëz lavdi me dy mënyra: ose duke shtuar apo ndrequr diçka nga vepra të përkthyera më parë, që shpejtojnë t’i ribotojnë për të fituar, ose duke i përkthyer vetë për herë të parë po, ama keq, shumë keq. Vepra të shquara me qëllim që të ngjyejnë kafshatën e famës së tyre në lëngun e përkthimeve që katranosin me lejë e pa leje. Në të tilla raste është më mirë ta braktisësh këtë zanat të vështirë, siç bënte kalorësi guximtar i famshmi, Don Kishoti, kur e kuptonte se s’ishte i zoti të përballonte një “ushtri” të mbrapshtë të armatosur bagëtish. Me këtë nuk duam të themi se çdo kryevepër e përkthyer një herë, nuk bën të ripërkthehet edhe herë tjetër për më mirë se, fatbardhësisht, tashmë ekzistojnë mjaft përkthyes të aftë, që nuk kanë për t’u turpëruar, duke u krahasuar me kryemjeshtrit e njohur të shqipërimeve. Për kulturën shqiptare përkthimi i “Don Kishotit” ka jo vetëm meritën e shqipërimit të një kryevepre, që ishte përkthyer në gjitha gjuhët e botës, por ka qenë edhe një kontribut i shquar në begatimin e gjuhës sonë, që dëshmohet e begatë, si edhe spanjishtja e Servantesit. Madje përkthyesit e rinj kanë një model të përsosur shqipërimi, nga i cili mund të mësojnë mjeshtërinë e vështirë në këtë fushë të kulturës. Lexuesi ynë ka qenë me fat të mbarë, që edhe vëllimi i dytë i “Don Kishotit” meriton lëvdatat më të mira, i shqipëruar mjeshtërisht nga Petro Zheji. Në dy botimet e fundit, 1976 dhe 2006, të “Don Kishotit” është ruajtur varianti fanolian i përkthimit të vëllimit të parë, për të mos harruar vlerat e asaj pune të madhe të bërë nga Fan Noli, për ta begatuar intelektualisht lexuesin shqiptar. Habitesh se ç’fuqi e madhe është përdorur nga Peshkopi në një kohë, kur mbyllte një varg shtegtimesh tragjike dhe betejash të humbura, të ngjashme me ato të Don Kishotit, instrumentet e të cilave nuk i zëvendësoi me armë të hekurta, por me ato libra dritëdhënës, që i kujtoi Kalorësi i Fytyrës së vrerosur në çastin e fundit të jetës së tij heroike.

Noli ka meritën se në “Introduktën”, parathënien, por edhe në materiale të tjera ka dhënë një interpretim vërtet origjinal të kuptimit të romanit në përgjithësi dhe të kryeheronjve të tij, Don Kishotit e Sanço Panços, duke dashur të bëjë një paralelizëm të saktë dhe interesant me problemet e rënda sociale, që ishin grumbulluar në realitetin e atëhershëm të vendit tonë, kur një varg personalitetesh të shquar të mendimit e letrave shqipe në vitet ’30 ishin të shqetësuar dhe meditonin për to dhe shprehën pikëpamje, që janë interesante edhe për kohën tonë. Para botimit të “Introduktës” (Parathënies) bashkë me romanin e përkthyer më vitin 1934, në gazetën “Republika” qysh më vitin 1930 Fan Noli pat botuar artikullin me pyetjen: “Don Kihoti apo Don Kishoti?”. Me sa duket, shfaqte shqetësimin e tij për t’ia përshtatur edhe emrat e përveçëm dhe llagapet gjuhës popullore shqipe, duke mos e cenuar kuptimin specifik që kishin në tekstin spanjisht, herë si tituj fisnikërie (sojllijsh) e herë emra popullorë të folklorit. Me këtë hap dhe në aspekte të tjera linguistike Fan Noli të habit me përshtatjen e bukur, jo vetëm gjuhësore të romanit spanjoll, por edhe me interpretimin origjinal të tekstit spanjisht përqasur kontekstit specifik social, historik e kulturor të Shqipërisë së atëhershme. Ky interpretim nxiti qysh në atë kohë mendimin kritiko-letrar e social-politik dhe estetik të personaliteteve më të shquar, për ta bërë objekt diskutimi kuptimin dhe rëndësinë e “Don Kishotit” për vendin tonë. Artikujt e fillimit të viteve ‘30 dëshmojnë se Noli kishte njohur një literaturë të gjerë në gjuhë të ndryshme, për këtë temë dhe pat sintetizuar qëndrimin e tij kritik, që ia mundësoi kësisoj interpretimin e tij origjinal.

Kritikat

Në një artikull syresh ai pat shkruar:“Mi Don Kishotin kanë shkruar me mijëra kritika. Më të shumët e këtyre janë lajthitur, sadoqë kritikat e tyre na duken të bukura e të thella. Ca nga këta, si shkrimtari rus Turgenjev, na e paraqitin Don Kishotin, si një kryetrim tragjik në një radhë me Hamletin. Të tjerë, si shkrimtari frënk Anatol Frans, na e paraqitin si një palaço komik, me të cilin qeshin çiliminjtë. E vërteta qëndron ndryshe. Don Kishoti është tragjik subjektivisht, domethënë për veten e tij dhe është komik-objektivisht, domethënë për të jashtmit. A mund të quhet atëherë tragjikomik? Ndofta, po as kjo s’i përshtatet tamam, se Don Kishoti është një çeshit më vete. Nejse, kjo s’ka shumë rëndësi për të kuptuar mirë Don Kishotin. Rëndësinë kryesore për këtë mesele e ka kllasi i Don Kishotit, kllasi i bejlurçinave. Shumica e kritikëve as e përmendin këtë gjë, ndonëse kjo është rrënja e karakterit të Don Kishotit”.

Noli nuk konstaton asnjë dallim midis autorit të romanit dhe heronjve të tij

Përse Noli mban qëndrim kritik ndaj pikëpamjes së Turgenievit? Ne mendojmë për dy arsye: Së pari, sepse e quan të tejkaluar interpretimin nga pozicioni i estetikës romantike dhe beson se, më e drejtë është ta interpretosh nga pozitat e një realizmi social kritik. “Turgenievi si artist i madh, e ndiente që Don Kishoti është i vëllai i Hamletit, por këtë vëllazëri u përpoq të na e provojë me përralla romantike, dhe jo ashtu siç është në realitet, domethënë vëllazëri kllasi. Se e letërtyra është plot me bejlurçina tragjike, komike, mistike, me njëmijë e një ngjyra si kameleoni, se kjo është karakteristika e bejlurçinës që s’ka ngjyrë, s’ka bazë, s’ka karakter e s’ka moral, se kllasi i bejlurçinës s’ka bazë dhe qëndron në erë”.

Së dyti, koncepcioni i Turgenievit nuk i përqaset synimit të Nolit për ta përfshirë Don Kishotin në kontekstin e realitetit shqiptar dhe për ta afruar me pikëpamjen e tij origjinale, të krahasuar jo vetëm me atë të Turgenievit, por edhe kritikësh të tjerë letrarë (Anatol Frans). “Nga bejlurçinat e letërtyrës Don Kishoti duket sikur ka më tepër ngjyrë, bazë, karakter dhe moral se gjithë vëllezërit dhe kushërinjtë e tij. Po kjo është një iluzion-vazhdon Noli. Ngjyra, baza, karakteri dhe morali i Don Kishotit nuk janë natyrale, po krejt artificiale, të marra nga periudha e kalorësisë feudale jo ashtu si kanë qenë me të vërtet, po ashtu si i gjeti të shkruara në librat. Don Kishoti besonte se përrallat e këtyre librave ishin histori dhe përpiqej të ringjallte një periudhë legjendare dhe mitologjike. Përrallat dhe legjendat e kalorësisë, ja baza e Don Kishotit”.

Gjithsesi, tek artikujt e vitit 1930 Fan Noli sintetizon thelbin e interpretimit të tij për romanin dhe kryeheronjtë e tij, duke e konsideruar një nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore. Ai përmend faktin se kritikët e studiuesit kryesorë ndahen në pikëpamjet e vlerësimet e tyre për këtë vepër në shumë drejtime, nga që është vepër komplekse. Ai theksonte se mjaft syresh, ku përfshihej edhe Gëte, kanë parapëlqyer pjesën (vëllimin) e parë të romanit, kurse të tjerët çmojnë më lart pjesën e dytë. Noli thotë se pjesa e parë, me të drejtë, ia bëri emrin Servantesit të pavdekshëm, por edhe suksesi i pjesës së dytë nuk ishte më i vogël se i së parës. “Sidoqoftë, Don Kishoti i Mançës ka qenë për çdo kohë e për çdo vend, një nga veprat më popullore të botës, popullore edhe për çiliminjtë, edhe për filozofët e vrenjtur, si Kanti dhe Shopenhaueri, Eduard Ficgeraldi, përkthyesi në anglisht i Omer Kajamit, e quan veprën më të lezetshme të botës”, vazhdon Noli.

Noli nuk konstaton ndonjë dallim midis autorit të romanit dhe heronjve të tij. Ai e përqendron vëmendjen te Don Kishoti dhe Sanço Pançoja dhe nuk jep vlerësime për personazhe të tjerë të kësaj vepre. Dhe në vlerësimin e përgjithshëm të veprës kanë rëndësi, sipas Nolit tonë, nga njëra anë, Don Kishoti e Sanço Pança, të cilët janë krijuar nga autori për të diskredituar letërsinë kalorësiake dhe, nga ana tjetër, ai i identifikon jo vetëm me romanin kalorësiak, por edhe të dy korifenjtë e kësaj vepre me epokën historike të Mesjetës në përgjithësi dhe të Spanjës në veçanti. “Servantesi e shkroi Don Kishotin, me qëllimin që të diskreditonte librat e kalorësisë. Vepra e tij ishte revolucionare (novatore), se për të diskredituar librat e kalorësisë duhej të diskreditonte tërë Kohën e Mesme me të gjitha përrallat e saj. Për këtë qëllim, Servantesi zgjodhi si heronj të veprës së tij dy nga tipat më reaksionarë dhe medievalë (mesjetarë), që kishte e që kemi akoma përpara sysh: bejlurçinën, sojliun e fandaksur të katundit, Don Kishotin e Mançës, dhe laron, sejmenin, fshatarin e varfër e të paditur, Sanço Pançon. Këta të dy marrin përsipër barrën të ringjallin periudhën e kalorësve të arratisur, domethënë ta kthejnë Spanjën edhe tërë botën prapa e të hidhen nga Spanja e madhe e centralizuar, që ka zaptuar gjysmën e Amerikës, në Spanjën e vogël të përçarë dhe të shtypur prej arabëve; nga Koha Moderne në Kohën e Mesme; nga kapitalizmi në feudalizëm; nga dyfeku dhe topat, në shtijzën dhe çomangën; nga shkenca në magji; nga historia në përrallat(mitet), nga përparimi në errësirë”, sikundër na thotë ai vet, shkruan Noli në Introduktën e tij.

Don Kishoti kthen kohën mbrapa

Përcaktim i vlerës dhe i qëllimit të romanit të Servantesit mund të mos vihet në dyshim e mund të përligjet vetëm po qe se pranohet se është vetëm një supozim e përshpjegim, midis një numri të madh pikëpamjesh të tjera e të ndryshme, që ishin paraqitur deri atëherë, kur përkthente romanin në fjalë Fan Noli. Nga ana tjetër, përcaktimi nolian mund të pranohej plotësisht vetëm në qoftë se ka ekzistuar objektivisht një realitet social i Spanjës së shek. XVII i përafërt me realitetin shqiptar të viteve 20-30 të shek.XX.

Ne mendojmë se vlerësimi nolian në kohën tonë do të pranohej në vija të trasha, si i drejtë dhe i përligjur, duke mos i dhënë kuptim jashtë sinorëve kohore të atij interpretimi që merrte në konsideratë një realitet konkret historik të atëhershëm të vendit tonë. Përse? Sepse po të rronte Fan Noli në fillim të shek.XXI do ta kishte modifikuar përcaktimin e mëparshëm e do të na kishte dhënë vlerësimin e romanit nga një kënd tjetër, ose më i gjerë vështrimi i kohës sonë, siç e tregon edhe historia e ndryshimit të pikëpamjeve e vlerësimeve estetike të kësaj vepre, qoftë edhe gjatë shek.XX. S’do të ishte e drejtë ta çmonim “Don Kishotin” jashtë kohës, realiteteve e konteksteve të ndryshme sociale, kulturore historike. Përcaktimi i mësipërm nuk përmban një analizë të hollësishme të Spanjës së shek. XVII dhe të Shqipërisë së viteve 20-30 të shek. XX. Në të janë kapur e shprehur disa anë të qenësishme të përafërta e të ngjashme midis dy vendeve të kohëve të ndryshme.

Noli ka menduar drejt kur thekson se si njëri vend, ashtu edhe tjetri kanë qenë në një periudhë tranzicioni, kalimtar të rilindës (të Renesansës) nga Mesjeta, feudalizmi në Kohën Moderne, në kapitalizëm. Duke qenë një ndryshim i thellë, kjo periudhë ka qenë shoqëruar edhe me ndryshime të mëdha. Sipas Nolit, edhe në strukturën social-klasore, sidomos të aristokracisë së vogël dhe fshatarësisë të varfër e të paarsimuar. Fan Noli pranon se edhe në Shqipëri kjo periudhë tranzicioni shoqërohej me ndryshime pak a shumë të tilla, që ishin karakteristika të kalimit nga feudalizmi në kapitalizëm. Këtë afri në historinë e dy vendeve Fan Noli e shpreh me një gjuhë të saktë shkencore dhe me ekspresivitet artistik të jashtëzakonshëm, përshkrim që nuk e ka shoqen në studime të këtij lloji. Ja ç’thotë për Spanjën:“Në Spanjën e Kohës së Mesme aristokratët e vegjël pajtoheshin si qehajaj pranë feudalëve çiflig-sahibinjve e veçanërisht si kapedanë të çetave që luftonin kundër arabëve. Si u çlirua Spanja prej arabëve dhe si u modernizua përgjysmë, aristokratët e vegjël, që nuk shkuan në Amerikë, mbetën pa punë. U varfëruan, u proletarizuan, u deklasuan, ranë nga dynjallëku, se s’kishin bazë ekonomike, se iu pre irati dhe kështu mbetën në erë. Nga oxhaku e kultura lidheshin me aristokracinë feudale të lartë, po nga varfëria zbrisnin në shkallën e fshatarëve. S’ishin as tamam aristokratë, as tamam fshatarë, po ca më keq se që të dyja palët. Kështu Don Kishoti kërkon e gjen punë si kalorës i arratisur, siç ishin stërgjyshërit e tij. Don Kishoti kërkon e gjen bazë në përrallat e klasës së tij, në librat e kalorësisë. Çka se bota ka vajtur përpara. Don Kishoti e merr përsipër ta kthejë botën prapa, ashtu siç e do interesi i klasës së vet. Si shok natyral në këtë kryqëzatë, Don Kishoti gjen fshatarin e varfër e të paditur, që e ka në prag të derës, Sanço Pançën. Se edhe ky ka mbetur pa punë e pa bazë ekonomike e ndodhet në një gjendje analoge si edhe Don Kishoti.

Në Shqipëri vepra e Servantesit do të kuptohej më mirë se kudo

Fan Noli arrin të shprehë jo vetëm përfytyrimin e tij për fakte historike, por edhe për kuptimin e vlerësimin që do të gjenin kryeheronjtë e romanit të Servantesit në Shqipërinë e atyre kohëve të shtegtimit të tyre të parë

Në Spanjën e Kohës së Mesme, fshatarët e varfër kishin punë si komitaxhinj kundër arabëve, si laro, si mercenarë e si sejmenë të feudalëve. Në Spanjën moderne vdesin urie. Nuk shohin ndonjë avenir përpara se industria nuk është zhvilluar mjaft në qytet sa t’i mbledhë si punëtorë të fabrikës. Pra, kërkojnë edhe këta punë dhe bazë prapa, në kohët e kaluara. Kështu, Sanço Pança bëhet sejmen i bejlurçinës, si ishin stërgjyshërit e tij. Ndryshimi i madh midis Don Kishotit e Sanço Pançës është se ky i fundit s’ka kënduar libra kalorësie. Por të lidhur, prapë i vete pas, siç i vete pas çdo katundar bejlurçinës a agajt të fshatit, se e ka pasur denbabaden shef, usta e kapedan nga shkaku i oxhakut, i kulturës, i traditës.Kështu, kemi gjendjen paradoksale të katundarit kundrejt bejlurçinës, të Sanço Panços e të Don Kishotit”. Fan Noli i përmbahet një të vërtete historike për Spanjën. Por sipas tij, po kështu pak a shumë ka qenë gjendja edhe në Shqipërinë e viteve 20-30, kur ruheshin bastione të forta të feudalizmit mesjetar dhe kur po futeshin edhe elementet e kapitalizmit fillestar, domethënë një gjendje midis prapambetjes dhe përparimit.

Po në këtë stil shkencor-publicistik letrar skicon edhe realitetin shqiptar dhe raportin e tij me kuptimin e romanit “Don Kishoti” për shqiptarët. “Në Shqipëri kjo vepër do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Se atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të pakta, janë të deklasuar, pa bazë ekonomike, dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, se u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Atëhere aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë, si kondotierë dhe shefa bashibuzukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu, kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët e malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur. Këto të dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, mediavale, prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur, përgjithnjë, se ashtu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë. Bejlurçinat e larot e Shqipërisë na bëjnë sot të qeshim e të qajmë me prapavajtjen e tyre, tamam si me Don Kishotin e me Sançon. Dhëntë zoti të na bëjnë nesër të qeshim vetëm, se na bënë të qajmë mjaft”,shkruan Fan Noli.

Edhe kjo tablo është dhënë me forcën bindëse sa të së vërtetës historike, aq edhe të sintetizuar në një tablo shkencore-artistike. Dhe pikërisht përmes këtij paralelizmi Fan Noli arrin të shprehë jo vetëm përfytyrimin e tij për fakte historike, por edhe për kuptimin e vlerësimin që do të gjenin kryeheronjtë e romanit të Servantesit në Shqipërinë e atyre kohëve të shtegtimit të tyre të parë; prandaj edhe u drejtohet njëkombësve me rekomandimin që ta mirëpresin Don Kishotin, sepse libri i mençur i Servantesit do t’i ndihmonte për t’u njohur me ca të vërteta të jetës së tyre, që nuk kapen për shkak të përditshmërisë monotone të jetës së rëndomtë: “E kini njëkombës, arnaut të kulluar, me silah e tizga, që me kokën prapavajtëse i bien trimërisht murit modern të çeliktë”, u thoshte përkthyesi lexuesve.

Ndaj këtij përcaktimi nolian janë paraqitur dy kundërshtime nga kritikë shqiptarë: njëri sysh e pat quajtur përcaktimin “marksist” për mirë dhe ndonjë tjetër, për keq, ngaqë identifikohet me parimin kinse të “analizës klasore”, që aplikonin ithtarë të koncepteve zhdanoviano-staliniste. Lidhja e artit me interesat social-klasore ka qenë njohur shumë kohë para Marksit, edhe e kanë thënë mjaft mendimtarë e letrarë të mençur. Po përmend mendimin e Platonit në Lashtësi, që thoshte, duke patur parasysh demokracinë athiniote: “Cilido qytet, ndahet në dy qytete; njëri është qyteti i të vobegtëve dhe tjetri është i të pasurve; ata janë kudo në luftë me njëri-tjetrin dhe secila palë ka nënndarjet e saj dhe do t’ishte gabim që secila palë të trajtohej prej tyre si shtet më vete”, pat shkruar ai. Edhe shqetësimi e brenga më e madhe e teologëve më të shquar të Mesjetës Shën Agustinit, Toma Akuinit, reformacionit deri te Papa Pavli e Papa Francesku etj. Ka qenë ndarja e njerëzimit në të pasur, ama shumë të pasur, e të varfër dhe në të mirë e të këqij.

Marksi nuk e ka njohur si meritë të tij personale paradigmën e ideve mbi ndarjen e shoqërisë në klasa, mbi luftën midis tyre dhe shprehjen e tyre në idetë e ndryshme të njerëzve. Meritën e formulimit të ideve të tilla Marksi ua pat atribuuar mendimtarëve pararendës, ekonomistëve anglezë (Adam Smith e David Rikardo) dhe historianëve borgjezë, ideologëve të restaurimit feudal dhe të borgjezisë franceze: Tjeri, Minie e Gizo: “Nuk më përket mua, as merita se kam zbuluar ekzistencën e klasave në shoqërinë bashkëkohore, as ekzistencën e luftës së klasave midis tyre. Historianët borgjezë, shumë kohë para meje, kanë paraqitur zhvillimin historik të kësaj lufte klasash, kurse ekonomistët borgjezë, anatominë e ekonominë e klasave”. Aq më pak mund t’i vishet për keq Nolit që flet për klasa të ndryshme dhe për interesa klasore, të cilat në një farë mënyre pasqyrohen edhe në art, por është merita e tij që pranon lidhjen e letërsisë, edhe të një kryevepre të tillë si “Don Kishoti”, me kushtet e rrethanat historike sociale.

Së dyti,analiza noliane e strukturës ekonomiko-sociale të epokave të krahasueshme është quajtur si një kufizim, që lidhet me një lloj “sociologjizmi”. Por mendoj se në raste të tilla i jepet një kuptim krejt i njëanshëm këtij koncepcioni, sepse ka “sociologjizëm” e “sociologjizëm”. Sociologjizmi, qysh nga shek. XIX me Ipolit Tenin e më gjerë u afirmua, si një paradigmë që e pasuroi estetikën me kuptimin shkencor të lidhjeve të artit me rrethanat konkrete shoqërore, të drejtpërdrejta e të tërthorta, parim i cili është pjesë e pandarë e çdo doktrine serioze estetike bashkëkohore, që emërohet “sociologjia e artit”. Sigurisht, ekziston edhe një drejtim tjetër i “sociologjizmit”, si prirje vulgarizuese e lidhjeve të artit me shoqërinë, ndaj së cilës Fan Noli ka qenë kritik dhe s’bën t’u vishet “introduktave” të Fan Nolit, që janë modeli i parë, i shkëlqyer dhe më prestigjiozi i mendimit kritik letrar shqiptar, i analizave estetike të kryeveprave të letërsisë botërore. Një meritë e rëndësishme në rrugën e kritikës artistike shqiptare ka qenë një meritë historike e Fan Nolit, që themeloi me idetë e tij një shkollë të vërtetë të mendimit kritiko-letrar, qysh në gjysmën e parë të shek.XX.

Po kështu, s’qëndron as pohimi tendencioz se Noli kinse ka shmangur analizën estetike të romanit të Servantesit. Edhe kjo s’është e vërtetë, sepse në bazë të analizës së mirëfilltë estetike, brenda mundësive që e lejon zhanri i parathënies, Noli ka evidentuar vlerat kryesore artistike të romanit “Don Kishoti”, duke e cilësuar si një nga kryeveprat më të shquara e më të pëlqyeshme të letërsisë botërore. Pyetjes që shtron në Introduktën: “Si shpjegohet popullariteti i Don Kishotit?”, ai i përgjigjet duke çmuar lart, si një nga shtyllat kryesore të romanit, fillesën estetike komike: “Fare lehtë. Tipi i bejlurçinës, si dhia e zgjebosur me bishtin përpjetë, dhe tipi i laros, që i vete bejlurçinës pas e përpiqet të mbajë rëndësi sipas ustait, kanë qenë gjithnjë qesharakë. Këta dy tipa bëhen edhe më qesharakë, kur vishen si kalorës të arratisur dhe shëtitin si në karnavalet. Pastaj, bëhen edhe më qesharakë, kur këta të dy gogozhelë pretendojnë se do ta kthejnë rrotën e historisë prapa e do të ringjallin një periudhë që ka vdekur përgjithnjë. Përfundimi ca më qesharak i përpjekjeve të tyre i vë tenxheres kapakun. Çifti më qesharak, me rroba më fantastike, me qëllime më absurde e me përfundime më groteske nuk mund të imagjinohej. Këtu kemi në fytyrën (figurën) e Don Kishotit poezinë e bejlurçinës, dhe në fytyrën e Sanço Pançës prozën e laros. Kur bëhen qesharakë dhe hanë dru, doemos këndonjësit gëzohen, që në fytyrën e tyre bëhen qesharakë dhe hanë dru dy klasat shoqërore më të urryera dhe më prapavajtëse, klasa e bejlurçinës dhe klasa e laros. Se këta i ka pasur mileti mbi kokë si oficerë, si nëpunës, si ushtarë, si zaptie, si komitaxhinj, si hajdutë, si qehajaj, shkurt, si vegla dhe agjentë të feudalëve e të shtetit feudal. Kur rrihen këta, mileti ndien atë gëzim që quajnë gjermanët Schadenfreude, se i ngjan një mjerim armikut”, përgjigjet ai. Për më tepër, Fan Noli quan meritë tjetër të rëndësishme të Servantesit, gërshetimin e fillesës estetike komike me dramat e jetës, me fillesën tragjike; prandaj edhe kryeheronjtë e romanit të tij, Don Kishoti e Sanço Pança janë figura tragjikomike.

Don Kishoti, ideal në tërë kuptimin e fjalës

“Po kjo vepër, nuk do të ishte aq e bukur, sikur të na bënte vetëm të qeshnim. Na bën edhe të qajmë. Se Don Kishoti është idealist në tërë kuptimin e fjalës. Të gjitha këto i bën për të mirën e njerëzisë dhe aspak për ndonjë interes vetjak. Ka një optimizëm e një entusiazëm e një durim e një besim e një perseverancë heroike, që meritonin të përdoreshin për një çështje më të mirë. Na vjen keq kur shikojmë që i harxhon më kot për një çështje të humbur e që sakrifikohet për përrallat e reaksionit. Gjithashtu, na mallëngjen edhe Sançoja me besnikërinë që tregon kundrejt Don Kishotit. Na këputet shpirti kur shikojmë fshatarin e varfër dhe të paditur të vdesë për bejlurçinën, i cili e merr më qafë dhe e handakos me profka dhe iluzione”, shkruan Noli. Po të kemi parasysh kohën kur u shkruan mendimet e Fan Nolit, ai ka pasur të drejtë, por ka rrjedhur shumë ujë nga ajo kohë dhe ka ngjarje e koncepcione të reja, që e kanë pasuruar gamën e kuptimeve të këtij romani. Ne i përmendim pikëpamjet e tij të atëhershme, ndonëse Shqipëria dhe bota mbarë nuk janë më ato të viteve 30 të shek.XX, sepse ato qëndrojnë të vërteta, si një nga interpretimet e mundshme të kuptimit të polivalencës të romanit “Don Kishoti” dhe të heronjve të tij, mbetet i dobishëm, i drejtë sepse përputhet me përmbajtjen objektive estetike të romanit, sepse nuk ka rrëshqitur në pozicione subjektiviste ose falsifikuese, siç ka ndodhur e ndodh me hipoteza të përshpejtuara e të pathemelta, që rrjedha e kohës i përgënjeshtron. Kurse pikëpamjet e Fan Nolit, të shprehura në Introduktat e tij, vazhdojnë të qëndrojnë si kontribute origjinale midis interpretimeve pozitive e të ndryshme nga e kaluara katërshekullore dhe në rrethanat historike e kulturore të kohëve moderne. Përvojat e estetikës receptive bashkëkohore provojnë se vlerësimet pozitive shkencore sigurohen, duke lidhur arritjet më të mira të së kaluarës me zbulime e hipoteza të reja dhe duke e spastruar rrugën e zhvillimit nga subjektivizmi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama