Takimi i Obames me gazetaren gjermane ne palester

Takimi i Obamës me gazetaren gjermane në palestër
\"\\"\\"\"Sigurisht që Barak Obama di si të punojë me mediat. Koreografia e shfaqjeve të tij në publik studiohet deri në detajet më të imta, sikur të ishin shesh-xhirime filmash. Kushdo që është i huaj për rrethin e Obamës, mund të vërë këmbë në to vetëm në rast se i përshtatet konceptit të marketingut të kandidatit presidencial. Për shembull, gjatë vizitës në Berlin, lejoi vetëm gazetarët e përzgjedhur nga ai vetë dhe stafi i tij ta intervistonin - me një përjashtim të vetëm.

"Reporterja e ‘Bild‘-it me Obamën në palestër", kështu shkruhej në titullin kryesor të tabloidit gjerman "Bild" të premten e shkuar, një ditë pasi Obama vizitoi kryeqytetin gjerman, ku mbajti edhe një fjalim. "Ndërsa të gjithë e prisnin në ‘Kolonën e Triumfit‘", shkruante gazetarja Judit Boneski, "unë, reporterja e ‘Bild‘-it e takova Barak Obamën vetëm për vetëm - në palestër!"

Artikulli përmbante një përshkrim me nota të shkëlqyera të atributeve fizike të kandidatit presidencial, lëvdonte "krahët e tij goxha në formë", "të ndenjurat elegante" dhe se si ngrinte girat 32 kilogramëshe, "fillimisht dhjetë herë me krahun e majtë dhe më pas dhjetë herë me të djathtin". Pas këtij përshkrimi vinte kulmi: "Baraku më hodhi krahun përreth supeve. Ndërsa unë e kapa për mesi. Uau!!! Madje as që është djersitur shumë". Dhe në fund vinte konkluzioni i reporteres së joshur nga hiret mashkullore të politikanit: "Çfarë burri!"

Obama thotë se nuk e dinte që ishte gazetare

Tani edhe Obama e ka parë të arsyeshme të zbulojë për publikun si e ka përjetuar atë takim. "Na futi në kurth", i tha gazetarit të njohur të "New York Times", Maurin Doud.

"Hymë në palestër", i tregoi Obama Doudit. "Ajo gjendet pranë veglave. Duket si një vajzë më se e zakonshme gjermane. Buzëqesh dhe më përshëndet me dorë, disi turpshëm, por nuk iu afrova dhe nuk i dhashë rast të më fliste. Në çastin që marr të dal jashtë më thotë: ‘Oh, mund të bëjmë një fotografi bashkë? Jam fansja juaj‘. Foton na e bën Regi". Regi Lov është asistentja personale e Obamës.

Kështu, sipas këtij rrëfimi të Obamës, nuk e kishte idenë që gruaja ishte gazetare.

Por krejt i kundërt është rrëfimi i gazetares gjermane: "Dera hapet dhe është vetë AI! Është 1.87 centimetra i gjatë, shumë më tepër nga ç‘e imagjinoja. Ka veshur një bluzë sportive gri dhe tuta të poshtme të zeza, që të dyja të firmës ‘Nike‘ dhe këpucë sportive të ‘Asics‘. Ka një buzëqeshje të mrekullueshme. ‘Njatjeta, si jeni?‘ - pyet në anglisht me zë tepër mashkullor. I përgjigjem: ‘Shumë mirë. Po ju si jeni?‘. Më përgjigjet, ‘Shumë mirë faleminderit‘".

"I thërras: ‘Zoti Obama, më falni mund të bëjmë një fotografi bashkë?‘. Buzëqesh: ‘Sigurisht‘. Obama më pyet për emrin. Unë i përgjigjem: ‘Quhem Judit‘. Më thotë, ‘Unë jam Barak Obama. Është kënaqësi që njihem me ty, Judit!‘"

Me zgjatjen e polemikave, nga ana e "Bild" është bërë me dije se "gazeta nuk dëshiron të bëjë komente të mëtejshme mbi atë ngjarje".

Gjithçka është subjektive. "Bild", madje ka publikuar në sitin e vet në internet një video me titull: "Boneski nuk arrin ende të besojë se ka qenë kaq fatlume". Reporterja e përshkruan Obamën si "tepër tërheqës" dhe shton "jam ende brenda një ëndrre".

Obama pati rastin ta lexonte gazetën dhe titullin e saj kryesor po gjatë asaj mbrëmjeje, në orën 10.45, ndërsa darkonte në një restorant në Berlin. Kryeredaktori i "Bild", Kai Diekman, i cili e dinte vendndodhjen e kandidatit amerikan për President, ia dërgoi përmes dikujt një kopje të gazetës së nesërme, madje edhe e fotografoi Obamën në çastin që i dorëzohej kopja. Fotoja është publikuar gjithashtu edhe në internet.

Gjatë bisedës me analistin amerikan Doud, Obama e cilësoi eksperiencën në palestrën e Berlinit të ngjashme me një skenë të filmit "Ngjyra e Parave".

"Të kujtohet filmi ‘Ngjyra e Parave‘ me Pol Njumanin"? - e pyeti Obama analistin. "Forest Uaiteker qëndron i ulur në vendin e vet dhe sillet sikur as që e ka idenë se si luhet bilardoja. Më pas fut në kurth atë që fut të tjerët në kurth".

"Le t‘i shijojë kujtimet seksuale"

Obama nuk qe i vetmi që komentoi sjelljet e Boneskit. E përditshmja gjermane e qendrës së majtë "Süddeutsche Zeitung", shkroi: "Ai artikull ishte si pika e fituar gjatë një ndeshjeje, si një ulje gazetareske në hënë, për zonjushën apo zonjën Boneski".

Artikulli i përkthyer i gjermanes "Bild" u mor menjëherë nga blogët amerikanë, ku është kthyer në subjekt stërhollimesh të pafundme.

Në një prej tyre shkruhej: "Duket se ‘Bild‘, një gazetë gjermane, punëson 14-vjeçare, të papërvoja, e fanse si reportere në vend të gazetarëve seriozë në moshë madhore. Kështu, njerëzit nuk do kishin mundësi ta konsideronin një vogëlushe të pasionuar pas yjeve të rokut, që rrëfen në mënyrë tepër fëmijërore se si takoi për një çast Barak Obamën gjatë udhëtimit në Gjermani të këtij të fundit".

Boneski në fakt është 27-vjeçare. "Le t‘i shijojë kujtimet seksuale", shkruhej në blogun "Washington", duke hequr vija paralele mes eksperiencës së reporteres gjermane dhe sjelljes së personazhit Borat në komedinë me titull: "Mësimet kulturore të Amerikës i sjellin përfitime fantastike shtetit të Kazakistanit".

"Çfarë na mëson kjo histori?" - vëren "Der Spiegel", një tjetër revistë e njohur gjermane. "Që edhe Obama - me aftësitë e jashtëzakonshme për të trajtuar njerëzit - ka ende gjëra për të mësuar". Dhe në fakt, gjatë bisedës për të cilën folëm më lart, i tha analistit Doudi, se "tani po kuptoj se duhet të filloj të mësohem me ca gjëra".

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama