Taksa e skanimit ne dogana

'Taksa' e skanimit ne dogana

Nga 1 prilli, bizneset dhe qytetarët do të përballen me rritje të fortë të kostove, që burojnë nga koncesioni i skanimit në dogana. Vitin e kaluar ish-maxhoranca e djathtë ia dha të drejtën monopol të skanimit një kompanie private me emrin 'Rapiscan'. Sipas kontratës, kompania arkëton 39 euro për çdo deklaratë doganore në Republikën e Shqipërisë si në import ashtu dhe eksport. Por si përkthehet kjo kosto për ekonominë?

Top Channel i referohet të dhënave zyrtare, sipas të cilave rezulton se kostot shtesë për çdo biznes arrijnë në mijëra euro në vit. Për biznese të caktuara që tregtojnë mallra me vlerë të ulët si ato të konsumit bazë, rritja është edhe më e fortë. Dy vitet e fundit sipas të dhënave zyrtare, doganat përpunuan 45 mijë deklarata doganore vetëm për katër grupe produktesh, përkatësisht fruta-perime, vaj, miell dhe grurë me vlerë totale 107 milionë dollarë.

Vetëm për skanimin, me hyrjen në fuqi të kontratës, për këto 45 mijë deklarata biznesi do paguajë 2.5 milionë dollarë. Kjo do të thotë se kostoja shtesë për çdo ndërmarrje që importon ose eksporton produkte bujqësore është sa 2.3 për qind e vlerës së mallit. Pasojat janë dy. Në import, tarifa do u ngarkohet qytetarëve, të cilët do paguajnë më shtrenjtë për produktet bazë që vijnë nga jashtë. Ndërsa në eksport, ajo godet bizneset shqiptare duke i bërë ata më pak konkurrues në tregjet ndërkombëtare sepse rrit kostot e produkteve që ata shesin jashtë. Kjo jo vetëm në bujqësi.

Kosto të larta do të ketë edhe për fasonin, një nga zërat kryesor të eksporteve shqiptare. Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare çdo ndërmarrje fason ka kryer mesatarisht 200 deklarata doganore. Nga kjo rezulton se vetëm për skanimin secila nga këto kompani do të paguajë 7800 euro në vit. Por koncesioni i shtrin efektet edhe përtej importeve dhe eksporteve, pasi ish-Qeveria i ka dhënë të drejtën kompanisë që tarifa të aplikohet edhe tek mallrat tranzit, ato të cilat kalojnë përmes Shqipërisë në vendet e tjera.

Vitin e kaluar doganat përpunuan rreth 35 mijë deklarata tranziti, të cilat do të duhet të paguajnë tani 1.3 milionë euro për skanimin. Kjo ka ngritur shqetësimi tek ekspertët se kontrata koncesionare mund të cojë në devijimin e trafikut të mallrave duke bërë që vendet përreth të mos përdorin më Shqipërinë si rrugë tregtare. Që në fillim kontrata koncesionare e skanimit u kundërshtua fort jo vetëm nga opozita e asaj kohe, por edhe biznesi. Shumë shpejt me hyrjen në fuqi të saj, biznesi shqiptar por edhe qytetarët do ndjejnë edhe kostot. Plot 25 deri në 30 milionë euro në vit për 25 vitet e ardhshme. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama