Por…
Por po t’i pyesësh shqiptarët se sa tarifa e taksa paguajnë në shtet, nuk e dinë asnjëherë ta llogarisin këtë gjë. Jo sepse nuk janë të vëmendshëm për paratë që nxjerrin nga xhepi i tyre, por sepse gama e taksave e tarifave është aq e gjerë, sa është e pamundur të llogariten.
Nuk po përmend këtu tarifa të tilla si ato të pastrimit apo të gjelbërimit që i lexon në faturën e dritave, as taksën e TVSH-së që e gjen tek të gjitha shërbimet e produktet që të ofrohen, (sigurisht nëse kërkon kuponin tatimor apo biletën e kasës fiskale), as tatimin mbi pagën dhe as taksën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilën punonjësit e dinë si emërtim, por asnjëherë nuk e dinë si vlerë dhe se si llogaritet. Ajo që të bën përshtypje dhe që rrallë herë përmendet janë një duzinë taksash dhe një dyfish duzine tarifash lokale e qëndrore që paguhen rregullisht nga shtetasit në çdo stinë të vitit…
Shqiptarët nuk e dinë tamam se sikundër paguajnë taksën e ndërtesës të ndërtuar para apo pas vitit 1993, paguajnë rreth 13 tarifa të tjera pastrimi, jo drejpërdrejt, por sigurisht nëpërmjet çmimeve të rritura që iu vijnë nga ky detyrim ligjor. Ka tarifë pastrimi për njësitë e shërbimit dhe njësitë e prodhimit, ka tarifë pastrimi edhe për bibliotekat e shërbimet e lira, ka tarifë pastrimi edhe për pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale.
Por nuk është se mbaron këtu! Përveç tarifës së pastrimit ka një tjetër tarifë, që tani quhet taksë dhe ajo është taksa e gjelbër. Edhe kjo “taksa e gjelbër” është dhjetë llojëshe! Ka taksë të gjelbër për familjarët, ashtu sikundër ka një të tillë për bizneset, profesionet e lira, shitësit ambulantë, por edhe për shoqatat e fondacionet që nuk është pak, por 5.000 lekë.
Ja ta zemë se i ke paguar edhe këto. Por ke nevojë (dhëntë Zoti Jo!) të ndahesh nga gruaja, përshembull, ose më thjesht akoma, të rregjistrohesh në bibliotekën e njësisë administrative, ose akoma të marrësh një vërtetim në lagje për kompensimin ushqimor, ose tjetra, të shkosh të shikosh një shfaqje baleti apo cirku? Po, pra, për të gjitha këto duhet të paguash ca tarifa që janë ndonjëherë edhe “të kripura” dhe që nuk të duken drejtpërdrejt, por i gjen të përfshira në çmimet e këtyre shërbimeve.
Ka edhe çudi të tjera me taksat e tarifat!
Mund të të ketë shkrepur të mbjellësh pemë, se dëshiron që gjelbërimi të të shoqërojë kudo, ose e ke hobi, ose sepse ke paguar edhe tarifën e gjelbërimit dhe thua se dua të mbjell një pemë. Mirë, por duhet të paguash! Sa? Po ja, po të duash të mbjellësh një ulli do të paguash 7.000 lekë, nëse “do të rrisësh nivelin”, pra të mbjellësh një pemë të një lloji tjetër, do të paguash më shumë, dmth 10. 000 lekë! E kështu me rradhë!
Ti thua se paguan vetëm taksën e karbonit apo taksën e qarkullimit dhe atë të rregjistrimit të makinës tënde kur e furnizon atë me karburant në një pikë karburanti. Sigurisht pasi ke paguar më parë edhe akcizën e karburantit dhe TVSH-në e tij. Por jo! Nuk është kaq. Ti paguan indirekt edhe tarifën e autorizimit të pikës së karburantit, por edhe tarifën e tabelës identifikuese të pikës së karburantit, por edhe tarifën e gjelbërimit të pikës së karburantit, por edhe tarifën e pastrimit të pikës së karburantit! Eh, sa paska patur ky karburanti!? Nuk ka mbaruar jo, se ka edhe një tarifë tjetër që e paguan, po ti, por indirekt dhe kjo është tarifa për lejën e shërbimit “non stop” 24 orë të karburantit! Nuk po hyj te tarifat portuale etj etj…
A ka më taksa e tarifa?
Sa të duash. A do të shkosh të blesh mish, sallam, peshk etj? Doemos! Por në çmimin e tyre ti do të gjesh edhe tarifën e lejës për shërbim ambulator tregtar, tarifën për shërbim tej kohës normale të punës të shitësit, tarifën e kontrollit të produktit, tarifën e lejimit të konsumit, tarifën e vulosjes së mishit, tarifën e… A doni më për…!?
Po tani ti nuk je thjesht një qytetar, sepse të ka rënë në kokë të merresh edhe me ndonjë biznes të vogël, ambulator apo jo. Edhe këtu ka tarifa e taksa sa të duash. Ke taksën vendore për shitje me shumicë e pakicë, ke taksën e gjelbër, ke taksën për zënien e hapësirës publike, ke taksën për ndikimin në insfrastrukturë (kur ke bërë ndonjë shtesë ndërtimi te dyqani yt i thjeshtë), ke taksën… Tarifat? Po ke edhe tarifa të tjera si psh tarifa për shërbimin në tregjet publikë, tarifa e pastrimit, ajo e tavolinës, tarifa e shërbimit në drejtorinë e taksave, tarifa e autorizimit për lëvizje brenda unazës etj, etj.
Nuk i numëron dot si tarifa e taksa, jo më të dish sa paguan!
Qeveria thotë se shqiptarët po paguajnë gjithnjë e më pak nga të ardhurat e tyre në formën e tarifave dhe taksave. Qeveria thotë gjithashtu se shqiptarët kanë tarifat dhe taksat më të ultat në botë. Thonë se “qeveria e zë lepurin me qerre”. Kështu është edhe kjo puna e shifrave të qeverisë! Por ca të tjerë thonë se tarifat e taksat janë aq të larta sa e rëndisin Shqipërinë si një vend me taksa të larta. Banka Botërore thotë, përshembull, se në 100 lekë të fituara me djersë nga shqiptarët, në 2012 qeveria ua merr me tarifa e taksa jo pak, por 38.5 lekë. Dhe kjo është shifra më e lartë në rajon e më gjerë.
Ka edhe shifra të tjera që na i shtojnë më shumë tarifat e taksat. Në mars 2012 është botuar një studim në Dublin, nga një ekspert i njohur, Peter Sanfey, i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ky studim thotë se Shqipëria është e fundit për rritjen ekonomike për frymë krahasur me Bosnjën, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë, Rumaninë, Kroacinë. Po lere më, BE-në! Ja tabela që e tregon këtë (grafik 1-2010)
Nga ana tjetër mund t’i paguash bukur taksat e tarifat nëse ke punë, nëse prodhon e shet, nëse qeveria mbledh më shumë të ardhura dhe investon më shumë për të rritur ekonominë e për të hapur vende të reja punë, duke ndikuar edhe në rritjen e pagave apo të fitimeve të bizneseve. Por edhe këtu eksperti i BERZH tregon me gisht Shqipërinë, lidhur me borxhin e përgjithshëm të qeverisë, e cila nuk ka para, se nuk mund të mbledhë më shumë se kaq nga biznesi, i cili nuk prodhon e nuk shet shumë, pra nuk mund të investojë dhe as të ndikojë në rritjen e investimeve private apo publike. E njëjta mesele është edhe lidhur me investimet e huaja, që janë frenuar, me rritjen e pagave që është frenuar, me kreditimin e ekonomisë dhe të individëve, që është bllokuar e me rradhë.
Në fund të ditës, mbetet të paguajmë taksat e tarifat e shumta, që siç tha Bashkia e Tiranës në fundjavë (dhe që ka të bëjë me mbledhjen e tarifës së pastrimit): “Nga mënyra e re e mbledhjes së tarifës së pastrimit nga familjarët, të ardhurat e arkëtuara për tremujorin e parë të vitit 2012 arrijnë shumën prej 101 milionë lekësh ose 204% e arkëtimeve të vitit 2011”. Hallall!