Nga ana tjetër, banorët e kryeqytetit do të përballen gjatë këtij viti me një rritje të lehtë të tarifave vendore. Sikundër ishte parashikuar, tarifat e shërbimeve që paguhen pranë minibashkive janë shtrenjtuar. Tarifa e pastrimit të qytetit është rritur me 500 lekë të reja, ndërsa ajo e gjelbërimit me 100 lekë. Kjo do të thotë se një familje në qytetin e Tiranës, e cila një vit më parë paguante 4900 lekë, gjatë këtij viti do të paguajë 5500 lekë. Por, një familje paguan edhe taksën e pasurisë, bëhet fjalë për taksën mbi sipërfaqen e banesës, e cila për këtë vit ka mbetur e pandryshuar. Kjo është një nga taksat që vendorët kanë dështuar ta mbledhin nga viti në vit. Sipas tyre, shkak për këtë është bërë mungesa e informacionit të saktë dhe të qenit jo bashkëpunues të institucionit të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Pa pasur informacion të saktë mbi sipërfaqet e banesave dhe pronësinë e tyre, kjo taksë nuk mund të mblidhet në mënyrë të suksesshme, konfirmojnë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës. Pra, duke llogaritur të gjitha taksat e tarifat vjetore të përcaktuara nga drejtuesit e bashkisë, shuma totale që i duhet të paguajë një familje, në Tiranë, minimalisht është 7 mijë lekë të reja në vit.
Çështja e taksave dhe e tarifave vendore u shndërrua edhe në debatin e radhës në mbledhjen e këshillit bashkiak të kryeqytetit, që është edhe organi vendimmarrës për këtë çështje. Këshilltarët demokratë dhe ata të LSI-së kanë kërkuar informacion shtesë lidhur me bazën dhe impaktin e sistemit të taksave dhe tarifave të vendosura jo vetëm për familjarët, por veçanërisht për biznesin, që në kryeqytet zë edhe peshën më të madhe krahasuar me të gjithë vendin. Kështu, sipas të dhënave të bashkisë më të madhe në vend, asaj të Tiranës, biznesi që operon në kryeqytet mbulon 80 për qind të totalit në të gjithë vendin.
Për vitin 2010, të ardhurat e përgjithshme të Bashkisë së Tiranës parashikohen në shumën 6678910000 lekë, ose i njëjtë me planin e vitit 2009. Këto të ardhura përbëhen nga taksat dhe tarifat vendore, si dhe nga pagesat e përdorimit të aseteve të bashkisë.
Nga : Gazeta Shqip