Taksistet pa leje shumica jane police

Taksistet pa leje, shumica jane police
Taksistët e licencuar priten nga Bashkia e Tiranës për të diskutuar çështjen e konkurencës së pandershme. Menjëherë pas botimit të ankesës së taksistëve në gazetën “Shekulli”, Bashkia e Tiranës i ka pritur në një takim të veçantë përfaqësuesit e Sindikatës së Taksistëve dhe taksistë të tjerë me leje. Pas një diskutimi të gjatë dhe prezamtimit të disahershëm të kërkesave të tyre, përfaqësuesit e bashkisë kanë rënë dakord për plotësimin e kërkesave brenda muajit prill.

Kryetari i Sindikatës së Taksistëve, Gëzim Bardhi shprehet se ky reagim i bashkisë erdhi menjëherë pas botimit të ankesës së tyre në gazetën “Shekulli”. Ndërsa taksistët që punojnë me leje bëjnë të ditur se punën po ua marrin policët. Sipas Bilbil Carës, policët punojnë paradite në polici dhe pasdite punojnë si taksistë. Ai shprehet se vendet dhe klientela po u merren nga policët, sidomos gjatë natës apo fundjavave. Gjatë takimit në bashki për këto ankesa, ata janë pritur nga Taulant Zeneli, drejtor i përgjithshëm; Nereda Hoxha drejtoreshë e Transportit; Florenc Hoxha shef i Policisë Bashkiake.

Kryetari i Sidikatës Gëzim Bardhi shprehet se gjatë këtij takimi u ra dakord që të nxirren nga tregu të gjitha taksitë e palicencuara dhe të lejohen vetëm taksitë e licencuara. Gjithashtu, u ra dakord që të krijohen hapësira të tjera për vendet e punës së taksistëve. Përfaqësuesit e bashkisë premtuan që do të ketë rritje të çmimit të udhëtimit dhe vënien në funksion të taksimetrave.Taksistët ankohen se deri më tani ata po punojnë me çmimet e vendosura vite më parë, por rritja e çmimit të karburantit ka bërë të nevojshme dhe rritjen e çmimit.

“Ne duam që Bashkia e Tiranës të marrë parasysh edhe rritjen e çmimit të udhëtimit, të përcaktuar nga taksimetrat. Çmimi i karburantit është rritur disa herë dhe ne kemi mbetur me çmime të njëjta, të disa viteve më parë. Për ne është e papërballueshme financiarisht që të punojmë me çmimet e mëparshme, pasi nuk kemi fitim. Të gjithë që kanë varësi nga karburantet i kanë rritur çmimet, ndërsa ne nuk kemi bërë asnjë lëvizje për këtë gjë, pasi presim miratimin e Bashkisë së Tiranës për të punuar brenda rregullave”,- shprehet Gëzim Bardhi.

Ndërkohë që Bashkia e Tiranës u ka premtuar që të nënshkruhet akt-marrëveshja sindikatë-bashki, në mënyrë që taksistët të jenë palë në vendime të ndryshme që mund të merren nga bashkia në lidhje me ta. Këto kanë qenë edhe pikat kryesore të diskutimit,që bashkia ka dhënë fjalën se brenda muajit prill do të realizohen të gjitha kërkesat. Ndërkohë që, plotësimi nqë kohë i këtyre kërkesave është parë me skepticizëm nga taksistët e kryeqytëetit. Kjo, pasi këta të fundit janë përfshirë në protesta të herëpashershme, sidomos gjatë dy viteve të fundit. Taksistët e pyetur, nëse kanë besim se çështja e tyre do të rregullohet, shprehen skeptikë dhe kërkojnë që të paktën të zhduken taksitë që punojnë në të zezë.

Bilbil Cara: “Policët, paradite punojnë në polici dhe pasdite si taksi”

Puna e taksive me leje po merret në mënyrë të paligjshme nga policët. Taksisti Bilbil Cara shprehet se po u merret puna nga policët, që ditën punojnë në polici dhe gjatë natës punojnë me taksi. Ai shprehet se janë vënë përballë një konkurence të fortë. Pasi policët u marrin gjithë punën sepse kanë njohje dhe zënë edhe vendet kryesore të punës. Me vende kyesore, Bilbil Cara ka parasysh vendet pranë lokaleve të natës me muzik, të cilët përbëjnë dhe shumicën e klientelës, por edhe të fitimeve. Ai shprehet se ndoshta edhe ata janë për të ardhur keq sepse nuk u dalin paratë nga rroga, por taksistët të vetmen rrogë për të mbajtur familjen kanë vetëm punën e taksistit dhe jo edhe të policit. Madje ai rrëfen se shpeshherë kanë pasur konflikte mes tyre.

Sipas tij, policët u zënë vendin dhe bëjnë “të fortin” në momentin që kundërshtohen nga taksistë me leje, të cilët duan të marrin të parët klientët. Bilbil Cara shprehet se ky debat është i përhershëm dhe sidomos gjatë fundjavave, kur fluksi i punës është edhe më i madh. “Ne kemi rastistur shpeshherë të kemi debate të forta me policët, të cilët përfitojnë nga statusi i tyre për të na nxjerrë jashtë loje. Ne i njohim që janë policë dhe mund të them se 30 për qind e atyre që punojnë në të zezë janë policë”,- shprehet Bilbil Cara.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama