Nga një editorial i The New York Times, me titullin pompoz "Arti në Moskë, ende i ndaluar", mora vesh se një gjykatë moskovite kishte dënuar me gjobë organizatorët e një ekspozite me titullin "Art i ndaluar - 2006", e cila përmbante vepra arti të ndaluara nga muzeumet ruse nga frika se mos shkaktonin reaksione në publik. Mes veprave, kishte të tilla si imazhi i Krishtit në një reklamë të McDonald's, dhe pamja e një gjenerali rus duke përdhunuar një ushtar, nën diçiturën "Lavdi Rusisë".
Më anë tjetër, vetëm pak ditë më parë, lajmet përcollën zemëratën e publikut polak, me një pllakat që ekspozonte një punë të artistit Max Papeschi - dhe pikërisht një grua lakuriqe me një maskë të Mickey Mouse-it, me një kryq të thyer nazist në sfond. "Ky provokim arti është një formë dhune ndaj ndjeshmërisë së shumë njerëzve," tha një anëtar i këshillit bashkiak të qytetit të Poznanit, ku ishte varur pllakati. Ndërsa kryetarja e komunitetit hebre të qytetit, Alicja Kobus, u shpreh se pllakati "është shokues për njerëz që janë ende të gjymtuar nga ferri i Holokaust-it."
Fatmirësisht, këtë herë Papeschi nuk u dënua, madje përkundrazi, emri i tij fluturoi anembanë botës, i ndihur nga agjencitë e lajmeve. Megjithatë, si në Perëndim, ashtu edhe në Lindje, duket se arti shokues ndjek një shabllon monotonisht të njëjtë: gjej një tabu që ka mbijetuar, krijo një vepër që e thyen madje e fyen tabunë, ekspozoje veprën në publik, shijo famën që ndjek zemëratën e të drejtëve. Tabu të tilla, anembanë botës, mund të jenë figurat e shenjta të feve dhe profetët (Krishti, Muhameti), seksi normal dhe eksperimental, holokausti, nazizmi, ekskrementet, incesti...
Në 1987, fotografi Andres Serrano ekspozoi një model të vogël plastik të Krishtit në kryq, të zhytur në urinën e vet, me të cilën edhe fitoi një konkurs të shpallur nga Qendra Juglindore e Artit Bashkëkohor, në SHBA. Në 1999, artisti britanik Chris Ofili përdori bajga elefanti në një skulpturë të Shën Mërisë. Në 2007, spanjolli Santiago Sierra solli në Lisson Gallery të Londrës 21 blloqe kabá me të pëgëra të sjella posaçërisht nga nënkontinenti indian, për t'i ofruar publikut një grimcë eksperience nga jeta e të paprekshmëve në atë vend.
Më e hershme se të gjitha këto gjeste është ideja e Piero Manzoni-t, i cili prodhoi, në maj të vitit 1961, nëntëdhjetë kuti me fecet e veta (Merda d'artista), të cilat u përpoq pastaj t'ua shiste galerive ose koleksionistëve anembanë botës. Nga ana e vet, publiku bashkëkohor e ka gjithnjë e më të vështirë të befasohet nga provokimet e artistëve vizualë dhe sulmet e këtyre ndaj atyre pak tabuve që kanë mbetur në këmbë; madje edhe atyre tabuve të tjera që kanë mbijetuar si dordolecë të vetvetes ose skelete druri të kalbur.
Pështyma, sperma, qelbi i plagëve, gjaku menstrual, indet kadaverike, urina dhe fecet janë pranuar tashmë në qerthullin e materialeve dhe shenjat e artit bashkëkohor, krahas lëndëve më të fisme ose së paku më neutrale, si bojërat e vajit, mermeri, bronzi, qelqi, allçia, plastika, pëlhura dhe letra. Në atë masë që funksionojnë si të tilla, shoqëritë gjithnjë do të kenë tabutë e tyre, rreth të cilave të ngrenë sistemet e vlerave; i njëjti kurator muzeumi, që mund ta kalojë ditën duke negociuar për të blerë një nga kanoçet e Manzoni-t, do të dridhej i tëri nga neveria, po të të kapte ty duke kruar pafajësisht hundën me gisht në metro.
Njëlloj është e vërtetë se arti gjithnjë do të përleshet me tabutë, pjesërisht në emër të lirisë, të përkufizuar negativisht si shkelje, infraksion, kundërvajtje; dhe pjesërisht për të shkundur publikun nga apatia, për ta tërhequr vizitorin për mënge. Marrja në pyetje e tabusë funksionon kështu si portë drejt një niveli më domethënës të perceptimit. Megjithatë, ta kufizosh artin me identifikimin dhe thyerjen e mëpastajme të tabuve do të ishte një formë spekulimi, ose sharlatanizmi. Vetëm nuhatja për të njohur këtë apo atë tabu, si dhe guximi për ta shkelur në publik, nuk mjaftojnë; duhet edhe arti vetë.
Natyrisht, është relativisht komode të fiksosh në ndonjë farë forme akte të ndryshme që shkojnë kundër tabuve, paragjykimeve, vlerave sociale të pranuara, traditës; dhe pastaj ta kundërshtosh zemëratën që shkakton, duke e paraqitur ose ekspozuar gjestin tënd si art. Veç të tjerash, kjo do ta asgjësonte artin, jo vetëm duke i sheshuar kufijtë mes artit dhe jo-artit; por edhe duke ia imponuar një formulë mekanike për përftim veprash në seri. S'ka dyshim, nga ana tjetër, se ideja e një "arti të ndaluar" (forbidden art) e katalizon veprimtarinë artistike; meqë vetë akti i ndalimit parakupton një farë rëndësie institucionale ose solemniteti të asaj çka mbron tabuja.
Në këtë kuptim, nëse shoqëria vetë, së bashku me publikun që e përfaqëson, perceptohet prej artistit si e kalbur ose hipokrite ose e kalcifikuar, atëherë sulmi ndaj tabuve do të ishte një formë më se legjitime e kritikës sociale. Në këtë kuptim, jo vetëm veprat e ekspozitës me art të ndaluar në Moskë e kritikojnë, me mënyrat e veta, sistemin e atjeshëm; por edhe vetë ekspozita, duke ngjallur reagimin institucional ndaj kuratorëve, merr pjesë në procesin që kërkon t'i japë këtyre gjesteve statusin e "artit". Nëse qeveria ruse, kisha, prokuroria, ose njerëzit e thjeshtë të mos kishin reaguar, atëherë veprat në fjalë do të kishin dështuar fund e krye - sepse vlera e veprave të tilla nuk mund veçse të jetë në përpjesëtim të drejtë me zemëratën që shkaktojnë në publik. Editoriali i The New York Times kërkon kështu të pamundurën: tolerimin nga publiku dhe institucionet të një "arti" i cili ekziston vetëm në atë masë që nuk tolerohet.
Më anë tjetër, vetëm pak ditë më parë, lajmet përcollën zemëratën e publikut polak, me një pllakat që ekspozonte një punë të artistit Max Papeschi - dhe pikërisht një grua lakuriqe me një maskë të Mickey Mouse-it, me një kryq të thyer nazist në sfond. Pështyma, sperma, qelbi i plagëve, gjaku menstrual, indet kadaverike, urina dhe fecet janë pranuar në qerthullin e materialeve dhe shenjat e artit bashkëkohor, krahas lëndëve më të fisme si bojërat e vajit, mermeri, bronzi, qelqi, allçia, plastika, pëlhura dhe letra.