Fukushima ka ndryshuar botën, sepse ndodhi diçka krejt ndryshe nga ajo që kishte ndodhur deri më tani, nga ajo që kishim ditur dhe marrë me mend. Vetëm tani shumë vetë janë bërë të ndërgjegjshëm për rreziqet e energjisë bërthamore. Fukushima është shndërruar në temë bisede në çdo familje. Ndërsa për të moshuarit si puna ime është një moment shumë i rëndësishëm dhe i veçantë reflektimi.
Duke sjellë ndër mend jetën tuaj në lidhje me temën e atomit, çfarë do të kujtonit?
Unë arrita pjekurinë pas Luftës së Dytë Botërore. Nazizmi sapo kishte kapitulluar dhe isha ende i burgosur i amerikanëve. Në atë kohë u hodhën edhe bombat e para bërthamore, dhe kështu mori fund edhe lufta me Japoninë. Ky ishte “takimi” im i parë me bombën bërthamore. Isha dhe kam qenë kundër këtij akti, por ndërkohë kam qenë mbështetës i përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime civile. M’u deshën vite e vite të tëra për të kuptuar që përdorimi ushtarak dhe ai paqësor kanë diçka të përbashkët që i mban të lidhura. M’u deshën vite për të kuptuar se sa e dëmshme është për civilizimin edhe energjia bërthamore.
Edhe përdorimi i saj për qëllime paqësore?
Po. Për shumëkënd rreziku ka qenë i qartë prej kohësh, por gjatë Luftës së Ftohtë, gara e armatimeve, kundër të cilës kam qenë gjithmonë, tërhoqi më shumë vëmendje. Në atë kohë, Republika Federale nisi ndërtimin e centraleve bërthamore, madje njëri prej tyre edhe fare pranë shtëpisë sime.
Përse vallë lëvizja anti-bërthamore dha kaq pak rezultat?
E gjithë kjo histori ka të bëjë me rritjen gjithnjë e më të madhe të varësisë së politikës ndaj lobeve të caktuara, në këtë rast atyre që mbështesin centralet. Edhe unë kam protestuar kundër rritjes së varësisë së Parlamentit ndaj lobeve të caktuara.
Mendoni se Fukushima është edhe një mësim për politikën?
Po. U duhet dhënë fund pushteteve të lobeve. Duhet që të krijohen zona ku lobistëve u ndalohet hyrja, si për shembull përreth Parlamentit.
Gjermania ka shuar shumë reaktorë dhe importon energji nga Franca. Çfarë kuptimi ka që t’u japësh lamtumirën centraleve, por duke qenë i vetëm në këtë përpjekje?
Çështja është se me zvarritjen e mbylljes së centraleve bërthamore, siç ka bërë prej kohë qeveria Merkel para Fukushimës, i është prerë rruga shumë investimeve që nisën të ndërmerreshin në fushën e energjisë së rinovueshme dhe të pastër. Për shkak të këtyre vonesave, tani duhet që të importojmë energji nga jashtë vendit. Por sigurisht, Gjermania është vetëm një shembull.
Si duhet të reagojnë qytetarët me ndërgjegjen e tyre kritike?
Qytetari duhet që të impenjohet. Mbi shpatullat e brezit tim ka rënë barra e Republikës së Vajmarit, që dështoi edhe sepse qytetarët nuk luftuan aq sa duhej për ta mbrojtur. Demokracia duhet mbrojtur çdo ditë.
Atomi është sot tema më e rëndësishme?
Nuk ka vetëm një temë prioritare. Fundi i rezervave, fundi i rritjes ekonomike, globalizmi, fundi i rezervave të ujit të pijshëm, të gjitha janë njëherazi të rëndësishme. Rreziku qëndron se në të ardhmen e afërt, gjithçka mund të na plasë në duar në të njëjtën kohë. Rritja e çmimeve të ushqimeve, që nuk ndihet shumë në vendet e zhvilluara, do të thotë “katastrofë” për vendet e varfra.
Nëse të gjitha problemet do të plasnin menjëherë, çfarë do t’i druheshit më shumë si pasojë?
Frika ime më e keqe është krijimi në të ardhmen i një diktature ambientale, pra jetesa nën dekrete emergjencash të vazhdueshme për të shpëtuar atë që mbetet nga ambienti. Katastrofa bërthamore në Japoni nuk mund të prevalohet në mënyrën se si u përballua katastrofa e Çernobilit nga ish-Bashkimi Sovjetik. Kjo katastrofë ka lidhje me të ardhmen.
Çfarë prisni nga lëvizjet anti-bërthamore?
Do të doja që të bëja gjithçka që kam në dorë për ta forcuar një lëvizje të tillë.