Frutikultura shqiptare dje dhe sot. Sa agrume, ullinj e vreshta prodhonim dikur dhe sa prodhojmë sot?! Një krahasim shifror për një pasuri kombëtare që ra pre e tranzicionit, mungesës së shtetit dhe kaosit
Kush i mban mend brezaret e agrumeve në Jug, nuk mund të mos ketë edhe sot një ndjenjë nostalgjie për atë panoramë të gjelbër që shtrihej që nga gjiri i Vlorës, e deri në ekstremin më jugor të bregut shqiptar, në kodrat e Ksamilit e Vrinës. Nuk është një nostalgji që ka të bëjë me regjimin dhe as me mënyrën sesi ai masiv dhe të tjerë si ai, u ndërtuan gjatë disa dekadave në vitet ’60-’70 e ’80, por thjesht kujtim i bukur i mbetur në memorien kolektive të shqiptare. Për një vepër që sot, kur kanë kaluar dy dekada amullie dhe shkatërrimi, duket edhe më sublime sesa ka qenë realisht. E njëjta gjë vlen edhe pas masivet e frutorëve dhe ullishtet në Korçë, Vlorë, Berat, Dibër, Tiranë e Shkodër.
Në këtë shkrim kemi zgjedhur të bëjmë një krahasim mes dy tablove tashmë shumë të largëta mes tyre: nga njëra anë, Shqipëria e viteve ’80, me plantacione masive drurësh frutorë, vreshtash e ullishtesh, të gjitha pronë shtetërore, nga ana tjetër situata e sotme e “atdheut privat”, ku kultivimi masiv ja ka lënë vendin fermave të vogla, oborreve e ngastrave të shpërndara në një mozaik të ngatërruar në të gjithë vendin.
Hamza Hyka, njëri ndër ekspertët më të vjetër të frutikulturës, na thotë se të krahasosh situatën e sotme të këtij sektori të rëndësishëm të bujqësisë shqiptare, do të thotë në fakt të krahasosh dy botë krej të ndryshme. “Ndërmarrjet e dikurshme bujqësore dhe fermat apo kooperativat, ju përkushtuan për shumë vite krijimit të masiveve frutore, ullishteve e vreshtarisë, pas një studimi të hollësishëm nga shteti, të kushteve klimatike, mjedisit, planeve urbanistike të qyteteve e rrugëve kombëtare. Asokohe u dha porosia, për shembull, që kurorat rreth qyteteve dhe hapësirat anash rrugëve kombëtare, duheshin mbjellë me drurë frutorë nga më të ndryshmit”. Hyka shprehet se me kalimin e viteve, u profilizua prodhimi i frutorëve, agrumeve, vreshtave e ullinjve, sipas pjesëve të caktuara të territorit. “Ishte epoka kur morën famë agrumet e Bregut, mollët e Korçës e Dibrës, ullinjtë e Beratit”, thotë ai, duke shtuar se Shqipëria krijoi në atë kohë, për herë të parë, një sektor frutikulture në kuptimin e mirëfilltë të termit. Në fund të viteve ’90 (siç paraqitet edhe në tabelat që po botojmë), vendi kishte rreth 10 milion rrënjë frutore, me një prodhim të përgjithshëm prej 80 mijë tonësh në vit. Kishte gjithashtu 45 mijë hektarë ullishte, me rreth 30 mijë tonë prodhim vjetor, 1600 hektarë agrume, me 1.1 milion rrënjë, 6 milion rrënjë pjergulla dhe 20 mijë hektarë vreshta. Këtij fondi, i cili ishte në pronësi të shtetit, i duhen shtuar rreth 2000 hektarë pjergulla, po aq hektarë vreshta, 3 milion rrënjë drurësh frutorë, 600 deri në 700 mijë rrënjë agrume – të gjitha të mbjella në oborret, kopshtet dhe ngastrat e shtëpive private.
Ndryshimi i sistemit, në fillim të viteve ’90 solli një përmbysje të madhe në sektorin e frutikulturës. Për shumëkënd, ky ndryshim simbolizohet me shkatërrimin e brezareve të Jugut dhe të fermave të mëdha bujqësore. Ndryshimi i marrëdhënieve të pronësisë mbi tokën, plakja e rrënjëve të mbjella shumë vite më parë, rënia e skemave shtetërore të organizimit dhe shpërndarjes, punimit të sipërfaqeve të mbjella, sistemeve të ujitjes dhe plehërimit, janë të gjithë faktorë që kanë përcaktuar situatën që kemi sot. Një situatë të cilën eksperti Hyka e konsideron si komplekse. “Prodhojmë sërish shumë, por kemi probleme të mëdha në organizimin dhe modernizimin e sektorit të frutikulturës”. Sipas tij “shkatërrimi i masiveve të mëdha të frutorëve, ullishteve e vreshtave , copëzimi i skajshëm i sipërfaqeve të kultivuara dhe mungesa e një sistemi korrekt në mbledhjen, shpërndarjen dhe përpunimin e produkteve në fjalë, kanë sjellë probleme të mëdha në rritjen dhe fuqizimin e sektorit të frutikulturës”. Hyka thotë se nëse do të kishim sot brezaret e Jugut, jo vetëm ekonomia e asaj zone, jo vetëm agro-industria kombëtare, por edhe turizmi, do të kishin një pasuri të madhe për t’u shfrytëzuar. Hyka thotë se për bujqësinë aktuale, mbetet imperativ kthimi në hapësirat e dikurshme të kultivimit të drurëve frutorë, agrumeve e ullishteve. “Sektori nuk ka ende një ofertë të përqëndruar. Kjo bën që sipërmarrës që nuk kanë lidhje me prodhimin, të futen në mes, duke shtuar artificialisht çmimin e produkteve”, thotë Hyka. Ai shprehet se prodhuesit duhet të organizohen në formë kooperativash sipërmarrjeje, ku të kryhet mbledhja e prodhimit dhe dalja e tij në treg. Kjo është një përvojë që vjen nga të gjitha vendet me sektor të zhvilluar frutikulture.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është profilizimi i zonave bujqësore. “Duhet qartësuar tashmë, se cilat rajone të vendit do të prodhojnë këtë apo atë produkt. Ky lloj profilizimi ka nisur, por është ende kaotik dhe spontan”, thotë eksperti. Nga ana tjetër Hyka thotë se edhe përpunimi i produkteve të frutikulturës është ende thuajse inegzistent. “Është urgjente ngritja e qendrave të grumbullimit dhe përpunimit, të cilat mungojnë. Kjo edhe për shkak të konkurencës disa herë të pandershme, që bëjnë produktet e importit”. Hyka thotë se më pas, ka gjithashtu nevojë për rritje të vlerës së produktit të përpunuar shqiptar, përmes standartizimit, ruajtjes e paketimit të tij. “I keni parë agrumet, mollët, ullinjtë dhe frutorët e tjerë të prodhimit shqiptar?”, pyet Hyka. “Janë thuajse të gjitha të pa-paketuara, të mbledhura nëpër arka e kosha, rrëmujë dhe pa standart. Ndërkohë, malli që vjen nga importi është i gjithi i paketuar, i seleksionuar dhe i përzgjedhur me kujdes”.
Frutikultura shqiptare është një markë kombëtare. Disa prej produkteve të saj kryesore, kanë emrin dhe traditën më të mirë, brenda dhe jashtë vendit. Si e tillë, ajo duhet trajtuar me peshën dhe rëndësinë që ka. Por që në kohën e absurdit që kalon prej 20 vjetësh shteti shqiptar postkomunist, është lënë në harresë dhe në vakuum total rregullash, standartesh dhe kontrolli. Hamza Hyka thotë se kjo kohë duhet të marrë fund, nëse nuk duam që kujtimi i largët i kuadrateve të agrumeve, vreshtave dhe ullinjve, të vijë duke u bjerrë në kujtesën kolektive të shqiptarëve.