Tare Demtimi nje tjeter krim me dashje

Tare: Demtimi, nje tjeter krim me dashje
Deputeti socialist Auron Tare e quan dëmtimin e mozaikut një tjetër krim ndaj trashëgimisë kulturore

Gruaja e veshur me xhubletë kombëtare dhe me armë në dorë, të tërheq vëmendjen nga larg, sapo hedh vështrimin nga Muzeu Historik Kombëtar. Ajo ka mbetur si personazhi kryesor i mozaikut “Shqipëria” që prej 33 vitesh nga krijimi, ka mbetur si një simbol jo vetëm i kryeqytetit, por dhe i së shkuarës sonë. Shirat e rëna ditët e fundit nxorën sërish në pah një problem që ka nisur prej disa vitesh me këtë mozaik, dëmtimin e tij.

Çarjet e krijuara nga lagështira dhe mungesa e një dore specialistësh mbi këtë vepër prej vitesh, rrezikojnë formën e saj. Prej vitesh është folur për një projekt që synonte restaurimin e mozaikut, por siç duket këto kanë qenë vetëm fjalë… Në një studim të tre viteve më parë u pa që dëmtimet e bëra gjatë kësaj kohe në mozaik kanë qenë të pakthyeshme dhe që ndërhyrja e specialistëve do t’i zgjaste jetën ndoshta dhe 30 vjet kësaj vepre. Pavarësisht kontestimeve që ka pasur kjo vepër gjatë këtyre viteve për vetë përmbajtjen e saj, ajo çfarë është pranuar nga specialistë të artit dhe historisë është fakti që ajo shpreh më së miri të shkuarën tonë historike, duke mbartur aty të gjithë

elementët e Shqipërisë së dikurshme komuniste. Historia është pjesë e jona, dhe pavarësisht mënyrës sesi do të sillemi me të, dëshmitë e mbetura prej saj janë pjesë e identitetit tonë si komb. Ndaj mozaiku që dalëngadalë duket se do të humbasë imazhin e tij, është përfaqësimi më i denjë i asaj epoke, i realizuar nga artistë të rinj, të cilët hodhën në të personazhet e një Shqipërie tek e cila besonin.

Dëmtimi i tij, dhe pafuqia e institucioneve përgjegjëse përkatëse për të mbrojtur një vepër e cila është në qendër të Tiranës tregon edhe një herë se sa të papërgjegjshëm jemi për të mbrojtur vlerat tona, dhe kur janë para syve tanë. Dhe ajo çfarë e bën më të trishtë këtë situatë është fakti se dëmtimi i këtij mozaiku ka qenë i paralajmëruar prej vitesh dhe nuk është marrë asnjë masë. Deputeti socialist dhe anëtari i Shoqatës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Auron Tare, i njohur për kontributin e tij në këtë fushë, e quan një krim tjetër që i bëhet trashëgimisë kulturore me atë çfarë ka ndodhur me mozaikun. “Ky mozaik unikal për nga kompozimi dhe ekzekutimi, por edhe si pjesë e një epoke tashmë të lënë pas, siç është realizmi socialist, ka vlera shumë të mëdha historike.

Do ta quaja një krim të bërë me dashje, pasi situata e mozaikut dihej mirë. Një fond ishte dhënë nga një kompani private për ta restauruar. Nëse e kujtoni, për disa muaj ka pasur skela të mbuluara nga portreti i kryeministrit. Ja sot mozaiku po bie, dhe duket qartë që askush nuk ka vënë dorë mbi të”, thotë ai. Ky dëmtim vjen vetëm pak kohë nga ngjarja e rëndë e vjedhjes dhe dëmtimit të pikturave të Onufrit në Kishën e Valëshit në Elbasan. “Për ngjarjen në Kishën e Valëshit, ministri i Kulturës u justifikua se ishte në një vend të humbur dhe nuk kishte mundësi t’i ruante. Ai shkoi deri atje sa të propozonte armatosjen e priftërinjve. Po Mozaiku i Muzeut Kombëtar, i cili është në mes të Tiranës… Çfarë do të thotë ministri i Kulturës sot?”, thotë Tare. Sipas tij, trashëgimia kulturore është përfshirë në një stuhi shfarosëse.

Dëmtimi i këtij mozaiku është dhe një kambanë tjetër alarmi që ka ardhur koha për të menduar gjatë për një strategji për trashëgiminë tonë kulturore. Kjo strategji për Taren duhet të nisë nga zgjedhja e një personeli të aftë dhe jo partiak dhe nga miradministrimi i fondeve dhe jo vjedhje e tyre. Një tjetër strategji të cilën ai e quan të thjeshtë dhe të menaxhueshme është forcimi i strukturave të ministrisë dhe institucioneve vartëse dhe dhënia fund e tenderëve, të cilët fitohen nga njerëz të afërt të politikës. “Një strategji për harmonizimin e interesave të komunitetit me qendrat e trashëgimisë kulturore”, thotë Tare.

a.b

Anastas Kostandini, një nga krijuesit e Mozaikut, kujton vitet kur punohej për ta realizuar atë. Sipas tij, ideja e hedhur në fillim që Enver Hoxha të ishte pjesë e këtij mozaiku nuk u pranua. “Ishte kërkesë që të mos i qaseshim figurës së Enver Hoxhës, pasi mund të ketë pasur ndonjë tentativë. Me sa di unë, vetë udhëheqësi komunist nuk e dëshironte një gjë të tillë dhe e kishte thënë këtë”, thotë ai

Prishja e mozaikut, e turpshme

Anastas Kostandini, një nga krijuesit e Mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, bashkë me artistët Vilson Kilica, Josif Droponiku, Agim Nebiu dhe Aleksandër Filipi, e quan të pafalshme dëmtimin e kësaj vepre të rëndësishme për kujtesën tonë historike. “Vetë ministria disa vite më parë është shprehur se ka dashur ta restaurojë mozaikun, pavarësisht dilemave që ka pasur shpesh për këtë vepër në duhet kontestuar apo jo. Por deri tani, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Siç duket, kjo është një teknikë e njohur për të bërë gjithnjë ndoshta sikur. Deri tani nuk kam dëgjuar ndonjë prononcim për mbarëvajtjen e saj”, thotë Kostandini. Ai e quan të turpshme degradimin që po i ndodh kësaj vepre dalëngadalë. “Është diçka që ndodhet në qendër të Tiranës, dhe ky shtet, sido që të jetë, nuk duhet ta lejojë të kthehet në atë gjendje. Ose duhet ta restaurojë ose të shprehet se çfarë do të bëhet me të. Prisja që me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, kjo fasadë, e cila është pashmangshmërisht pjesë kryesore e sheshit të ishte restauruar, të paktën për etiketë”, thotë Kostandini. Gati 33 vjet më parë, Anastas Kostandini, piktori që e ka vendosur krijimtarinë e tij artistike në qytetin e Pogradecit, u përzgjodh si anëtar i grupit krijues i zgjedhur nga Komiteti Qendror për të ndërtuar një vepër e cila do të ishte përfaqësuese për ndërtesën e re të Muzeut Historik Kombëtar që po ndërtohej në qendër të kryeqytetit. Tema e punës së tyre krijuese duhet të ishte “Shqipëria” dhe duhej që përmes shprehjes artistike të personifikonte të monumentalizuar shprehjen e gjithë historisë së Shqipërisë por përmes filozofisë së asaj kohe.

Puna për realizimin e mozaikut do të niste më 1979-n dhe do të përfundonte më 1981-shin kur mbaroi dhe ndërtimi i muzeut. “I gjithë imazhi i veprës duhej të realizohej përmes figurave jo të identifikueshme, dhe duhej të jepej një sipërfaqe e cila të zotërohej nga figura autoritare, ku të spikasnin tri figura kryesore në qendër, të cilët do të përfaqësonin dy epokat. Atë të historisë së luftërave të shqiptarëve për mbijetesë dhe epokën e realizmit socialist, e cila përfaqësohej nga punëtori dhe figura kryesore e këtij mozaiku, ajo e gruas së veshur me xhubletë kombëtare dhe me armë në dorë. Ajo grua është kombi shqiptar i cili ecën përpara përmes personifikimit”, kujton Kostandini. Sipas tij, ideja e hedhur në fillim që Enver Hoxha të ishte pjesë e këtij mozaiku nuk u pranua. “Ishte kërkesë që të mos i qaseshim figurës së Enver Hoxhës pasi mund të ketë pasur ndonjë tentativë.

Me sa di unë, vetë udhëheqësi komunist nuk e dëshironte një gjë të tillë dhe e kishte thënë këtë. Sigurisht që ne nuk kishim kontakte me të, po përmes njerëzve të komitetit qendror që e kishin porositur këtë vepër. Dua të theksoj se mozaiku ka qenë pjesë e muzeut dhe jo një vepër më vete. Ajo është pjesë integrale qoftë në përmbajtje, qoftë edhe në formë, sipas brendisë së këtij institucioni”, thotë Kostandini. Ai e quan risi për kohën realizimin e kësaj pune, pasi grupi që e realizoi ishin kryesisht artistë të rinj përveç profesorit të tyre Vilson Kilica.

Po përse u përzgjodhën artistë të rinj, për një vepër e cila do të përfaqësonte kohën? Për Kostandinin ishte koha pas plenumit të katërt dhe pas ritmeve politike të asaj kohe, kërkohej të bëhej një art puritan dhe krejtësisht i ri. “Arsyeja përse u përzgjodhëm ne ishte se ne ishim të gjithë të rinj, të pandikuar nga idetë e huaja. Ne nuk kishim dalë ndonjëherë jashtë Shqipërie dhe kishim studiuar në një shkollë shqiptare dhe nuk kishim prirje për të bërë manipulim politik. Ishim të gjithë apolitik”, thotë Kostandini. Grupit i është dashur një vit për të realizuar këtë mozaik i cili është kthyer jo vetëm në një simbol për kryeqytetin, por dhe si një imazh që shpreh më së miri shpirtin e historisë së këtij vendi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama