Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, sqaron prapaskenat e diskutimeve për mungesën e rinovimit të Miroslav Kloses.
Futbollisti i dha lamtumirë skuadrës në ndeshjen e fundit që Lacio pati në Serinë A. Në një intervistë pas takimit, Klose tha se presidenti Lotito nuk i kishte kërkuar nëse ai donte të rinovonte kontratën e tij, apo jo.
Por ai që hedh poshtë deklaratat e futbollisti gjerman është Igli Tare. Në një prononcim të fundit për radio "Lazio Style", Tare deklaron se Kloses i është dhënë mundësia për të rinovuar me klubin që në ndeshjen e fundit ndaj Sparta Pragës, por ai e refuzoi.
"Klose? Kam lexuar edhe unë deklaratat e tij dhe sinqerisht jam surprizuar. Ishte një zgjedhje e imja për mos t'iu përgjigjur menjëherë, në mënyrë që mos t'i jepja shumë rëndësi polemikave në një natë lamtumire të një futbollisti të madh që ka veshur me nder fanellën e Lacios",-ka thënë Tarë.
Ndërsa për ofertën që i ka bërë futbollistit më herët, ka shtuar se: "Klubi i ka dhënë shumë atij dhe gjithashtu, edhe ai skuadrës. Para ndeshjes me Sparta Pragën i kisha propozuar rinovimin me dy vite, por m'u përgjigj "jo, falëminderit". Donte të kthehej në Gjermani. Ndërsa intervista e ndeshjes së fundit, të dielën e kaluar, më la të habitur. Ne kërkuam të nderonim ikjen e tij me një mbrëmje të rëndësishme",-ka thënë Igli Tare.