Komedia e Molierit do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Erion Kames
Pas komedisë “Djemtë gazmorë”, e cila u ngjit në skenën e teatrit në shkurt të vitit të shkuar, Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti do të jenë sërish në një shfaqje bashkë. Dy emrat e njohur të teatrit shqiptar janë përzgjedhur nga regjisori Erion Kame si protagonistë në komedinë “Tartufi” të Molierit, që pritet të ngjitet shumë shpejt në skenën e Teatrit Kombëtar. Kjo do të jetë dhe shfaqja e parë për vitin 2015 e këtij institucioni. Nëse te “Djemtë gazmorë” Ndrenika dhe Zhusti sollën një kombinim perfekt të dy aktorëve të njohur, që pas një kohe të gjatë tërheqjeje nga skena kërkojnë t’i rikthehen suksesit të dikurshëm, te “Tartufi” ata do të futen nën lëkurën e personazheve që i japin jetë komedisë së hipokrizisë. Viktor Zhusti do të interpretojë rolin e Tartufit, ndërsa Robert Ndrenika do të jetë në rolin e Orgonit. Regjisori Kame ka bërë bashkë te “Tartufi” emra të njohur të skenës. Përveç Zhustit dhe Ndrenikës, në role të tjera interpretojnë aktorët: Rajmonda Bulku, Vasjan Lami, Justina Aliaj, Gent Deçka, Vangjel Toçe, Lulzim Zeqja, Mehdi Malka, Olta Daku, Niada Saliasi.
Një rikthim në teatër me këtë shfaqje mund të quhet dhe prezenca e Justina Aliajt. Nën përkthimin e Sotir Cacit, “Tartufi” i Kames konsiderohet si një ndër veprat më të rëndësishme që do të ngjiten në skenën e teatrit këtë sezon artistik. Zgjedhja e kësaj komedie klasike duket një zgjedhje e menduar mirë nga regjisori, i cili komedinë duket se e ka në zhanret e preferuara. Pas komedisë, ku ishte dhe autor e regjisor “Harroje dashurinë”, Kame i rikthehet një mjeshtri të dramaturgjisë botërore, për të marrë ndoshta një prej veprave më të vështira. “Tartufi” konsiderohet dhe një nga veprat e vështira të Molierit, pavarësisht se kompozimi i personazheve në skenë dhe situatat që krijohen, nuk të lënë ta mendosh këtë. Molieri është sfidë për çdo regjisor, për vetë mënyrën sesi i krijon karakteret. Zgjedhja e aktorëve me përvojë në teatër, duket se do ta ndihmojë Kamen për të sjellë një Molier me të gjitha dimensionet që mbartin shfaqjet e këtij autori. Viktor Zhusti në rolin e Tartufit, duket sikur e vendos përgjithmonë me këtë zgjedhje afeksionin e tij për teatrin. Pas vitit 2009, ai ka qenë i pranishëm në disa shfaqje si “Të gjithë kanë huqe”, “Kush ka frikë nga Virxhinia Wolf”, “Djemtë gazmorë”.
Por “Tartufi” i Molierit është një karakter, i cili i jep një tjetër dimension karrierës së një artisti. Vetëm disa vite më parë, kjo shfaqje u vu në skenën e Teatrit Kombëtar nga Teatri i Prishtinës. Koncepti regjisorial dhe mënyra sesi Kame do ta ngjisë në skenë, synojnë një Tartuf që ka brenda atë çka Molieri vizatoi te ky karakter vite më parë, por dhe një “Tartuf” të kohës sonë. Tema e komedisë është hipokrizia e shtresës klerikale, që mundohet të pasurohet në mënyrë shumë të shpejtë, duke shfrytëzuar besimin që kanë të tjerët për profesionin e tyre të shenjtë dhe mendjelehtësinë e shtresës borgjeze që një kohë bëhet viktimë e hipokrizisë klerikale. Prej disa muajsh, aktorët dhe regjisori kanë nisur provat për të ardhur brenda muajit janar premierë për publikun.