Tase e Uka nderohen me Urdhrin Mjeshter i Madh

Tase e Uka nderohen me Urdhrin 'Mjeshter i Madh'
Ela Tase dhe Shaban Uka, dy emra të shquar të volejbollit shqiptar në vite, janë nderuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. Një vlerësim i merituar për dy sportistët e mirënjohur, që kanë entuziazmuar sportdashësit shqiptarë gjatë aktivizimit të tyre me Dinamon, por mbi të gjitha me përfaqësuesen në ndeshjet ndërkombëtare. Në ceremoninë e dekorimit të organizuar me këtë rast në mjediset e Presidencës, të pranishëm ishin edhe drejtues të Federatës Shqiptare të Volejbollit, si edhe personalitete të shquara të sportit shqiptar, trajnerë, volejbollistë, miq, familjarë dhe kolegë të sportistëve të dekoruar.

Pas leximit të dekreteve presidenciale, Presidenti Topi i dorëzoi medaljen e lartë dy figurave të volejbollit shqiptar, Ela Tases dhe Shaban Ukës, në shenjë vlerësimi për vlerat e paraqitura në këtë sport si lojtarë, trajnerë dhe specialistë me kontribute të jashtëzakonshme. Volejbollistët e dekoruar shprehën mirënjohjen për vlerësimin e marrë nga ana e Presidentit të Republikës dhe në fjalët e tyre përshëndetëse theksuan emocionet për vlerësimin e punës së tyre. Një vend të veçantë në falënderimet e Tases dhe Ukës ishin sportdashësit, të cilët i kanë mbështetur gjatë gjithë karrierave të tyre të shquara e që kanë lënë gjurmë në volejbollin shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama