Pas ndryshimeve të bëra në Ligjin “Për procedurat tatimore”, Administrata tatimore do të vendosë komunikim online dhe me postë të shpejtë me të gjithë tatimpaguesit. Me një njoftim të nxjerrë këto ditë, Tatimet lajmërojnë tatimpaguesit që të paraqiten dhe të përditësojnë të dhënat për komunikim elektronik. Mënyrat e komunikimit me tatimpaguesin për sa u takon vlerësimeve, njoftimeve, vendimeve dhe komunikimeve zyrtare të administratës tatimore bëhet në rrugë elektronike, në përputhje me legjislacionin e komunikimeve elektronike dhe kur tatimpaguesi ka dhënë pëlqimin për pranimin e njoftimit në rrugë elektronike. Por tatimpaguesi është i lirë të vendosë edhe për alternativën tjetër, shërbimin postar rekomande. “Për të siguruar një komunikim sa më korrekt, të shpejtë dhe brenda afateve ligjore në mënyrë që të shmangen vonesat në komunikimin zyrtar, çdo tatimpagues duhet të paraqitet pranë zyrave të shërbimit për tatimpaguesit, në Drejtorinë Rajonale ku është i regjistruar, për të deklaruar dhe përditësuar adresën e komunikimit elektronik”, thuhet në këtë njoftim të bërë përmes faqes zyrtare të internetit të Administratës Tatimore. Në bazë të ligjit, autoritetet e Tatimeve mund të kërkojnë përdorimin nga tatimpaguesit të formularëve të veçantë, për dorëzimin e dokumentacionit, informacionit apo kërkesave. Kur nuk kërkohet formular, çdo komunikim, i kërkuar sipas legjislacionit tatimor, dërgohet në mënyrë elektronike ose dorëzohet me shkrim. Ndërsa vlerësimet, njoftimet, vendimet dhe komunikimet zyrtare, drejtuar tatimpaguesit, deri në fund të vitit 2013, kur u bënë ndryshimet në ligj, i dërgoheshin në adresën e shënuar në dosjen e tij, duke përdorur shërbimin postar rekomande.
Risia
Vlerësimet, njoftimet, vendimet dhe komunikimet zyrtare të Tatimeve me tatimpaguesin do të bëhen në rrugë elektronike
Energjetika
Ballkani, bashkëpunim për “kursimin” e energjisë
Eficenca e energjisë shihet si një burim i pashfrytëzuar, i cili do të krijojë jo vetëm kursimin, por edhe një sektor që ndihmon ekonominë. Kjo do të jetë objekt i punimeve të konferencës me temë “Politikat e eficencës së energjisë në Ballkan: Mundësi bashkëpunimi rajonal”, që mbahet sot në Tiranë. Konferenca është e organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund. Në tryezë marrin pjesë përfaqësues nga ministritë e linjës së disa prej vendeve të Ballkanit, përfaqësues të Balkan Forum, Komisionit Europian, UNDP-së, Rockefeller Brothers Fund etj. Shqipëria ka arritur të sigurojë për eficencën e energjisë fonde nga Banka Botërore dhe ka disa projekte në vazhdim në Entin Kombëtar të Banesave dhe disa bashki të vendit.
Shpërndarja
Në Tiranë lidhen 67% e kontratave të sigurimeve
Tregu i sigurimeve përqendrohet në kryeqytet. Ky konkluzion del nga statistikat e detajuara të AMF-së, të ofruara nga buletini me titull ‘Gjeografia e Sigurimeve’. Nga analiza e primit të shkruar bruto sipas shpërndarjes gjeografike, del se Tirana kap 67.23% të totalit të primeve të shkruara bruto gjatë vitit 2013, Durrësi që vjen i dyti, vetëm 7.35%, Fieri 4.30%, Shkodra 3.96%. Për sa i përket primit për frymë sipas prefekturave, Prefektura Tiranë me 7,232.83 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga Prefektura Gjirokastër me 2,704.91 lekë për frymë dhe më tej Durrësi dhe Vlora përkatësisht me 2,264.66 lekë për frymë dhe 1,524.80 lekë për frymë. Referuar dëmeve të paguara gjatë vitit 2013 sipas prefekturave, pjesën më të madhe të dëmeve të paguara e ka Prefektura e Tiranës me 60.57%, e pasuar nga Prefektura Vlorë me 6.86%.