Te Gjesh Babain ne Epruvete

Te Gjesh Babain ne Epruvete

Autoambulanca e materninetit zbarkoi të fundit paciente nga rrethinat e Tiranës. Pa arritur ende në sallën e operacionit, bebja thithi për herë të parë ajrin e rënduar të korridorit. “Është djalë” kishte thënë mamia e turnit. Por kur të nesërmen në krahët e prindërve, bebja do të ishte një vajzë, asnjë nga të afërmit nuk e preku me dorë dhe s’mund ta kuptonte se bëhej fjalë për një ngatërrim të paqëllimshëm seksesh. Nuk mund të kishte asnjë justifikim.

Nëse për infermieren mund të dukej si shkëmbime “kukullash” mes dhjetrave syresh që kishte ndër inkubatorë, për babain, një djalë vlente më shumë sesa një vajzë. Analiza e testit të atësisë, kishte zgjidhur dilemën e madhe. Nuk flitej për një shkëmbim të qëllimshëm bebesh, pasi realisht nga testi i ADN-së, vajzë kishte të njëjtat të dhëna gjenetike me të atin. Nëse shumëkujt mund ti duket si një proces që më shumë funksionon në tetori, gjenetisti i Maternitetit, nuk kursehet të rrëfejë se analiza e AND-së, për të zbuluar atësinë, nuk është gjë tjetër veçse krahasimi i materialit gjenetik që ndodhet në bërthamat e qelizave të dy personave, at e bir. Ato kalojnë në provëza proces pas procesi, për t’u krahasuar më pas dhe nxjerrë një përgjigje.

Të gjesh babain për 78 mijë lekë
Grigor Zoraqit, profesor i diplomuar në Gjenetikë, do ti mjaftonte një cigare apo çamçakëz, pa folur për gjak, fije floku dhe lëkurë për të kuptuar zbuluar babain e vërtetë të kujtdo. Për gjenetistin e të vetmit laborator të këtij lloji në vend, historitë me baballarë të dyshimtë, nuk mund të ngjasin aspak si ajo thënia “nënën e njohim, ndërsa babain jo”, pasi të tilla raste i trokasin në derë pothuajse për ditë dhe dilema e tyre mund të marrë fund brenda pesë ditësh duke paguar 78 mijë lekë të reja. Gjenetisti rrëfen se askush nuk ka ngjitur qoftë edhe për një herë të vetme katër shkallët e laboratorit të gjenetikës, për të shuar kuriozitetin, veçse kur sherret mes prindërve dyshojnë atësinë.

“Ne përveç diagnozës duhet të bëjmë betimin para gjykatës, për vërtetësinë e analizave, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë çiftet”-tregon gjenetisti i laboratorit. Ata që përballen pothuajse gjithmonë me përgjigjet e testit të atësisë, janë gjithmonë burrat. Mjeku rrëfen se një çift erdhi parado kohësh, pasi gruaja ishte shtatzanë, ndërkohë që burri kishte rezultuar steril prej 20 vitesh. Dyshimi burrëror, as që mund të dilte para gëzimit për të pritur beben, pasi ai kishte ndalur frymën drejt e tek laboratori gjenetik i Maternitetit. “I bëmë analizat dhe përputheshin, bebja dhe babai kishin të njëjtat të dhëna gjenetike”-tregon Zoraqi. Sipas tij, më së shumti në laborator trokasin raste, që duan të zbardhen ose me vendim gjykate, por edhe pas divorceve, të cilat pretendojnë nëse fëmijët që kanë rritur janë realisht fryt i tyre ose jo.

 
"Kush nga këta të dy është babai i fëmijës sim?" Kjo dilemë, e tillë deri në pritje të përgjigjes së ADN-së, ka reflektuar deri në këto momente në raste të përcjella nga gjykata. Dhe si ka rezultuar? Çiftet e drejtuara në laborator janë tërhequr me gjithë dyshime, pa tentuar të kalojnë në provën 78 mijë lekëshe. "Ndoshta pikërisht për këtë, për çmimin e lartë të kësaj analize", thonë laborantet, që nuk kanë janë bërë deri sot dëshmitarë zgjidhjes së rasteve me baballarë të dyshimtë. Ky çmim, përveçse nuk është llogaritur asgjë mbi kosto, aktualisht nuk përfshihet në listën e rimbursimeve. Dhe gjithçka takon të paguhet nga pala që ngre pretendimin.


Vetëm një nga dy rastet e fëmijëve të lindur dhe më pas braktisur në maternitetin e Tiranës, i janë nënshtruar testit të atësisë. Duket se pendimi prindëror ka kthyer sërish të afërmit e foshnjes të marrin sërish atë, por sipas procedurave ligjore, braktisja e fëmijëve, dënohet me ligj. Përveç një gjobe që ndëshkon direkt te prindërit, marrja në ngarkim i fëmijës, nuk u realizua pasi babai duhet të paguante shumën e detyruar. Plot 78 mijë lekë për të vërtetuar atësinë nga testi i ADN-së. Prindërit rihoqën dorë nga bebi, pasi shuma për të kryer analizat ishte e papërballueshme.
Problemet e trashëguara gjenetikisht
Një diagnozë e paralindjes që paralajmëron një fëmijë me probleme ka të gjitha gjasat të pasohet nga një abort, sipas rasteve të regjistruara deri më sot në laboratorin e Maternitetit të Tiranës. Megjithëse precedentët e shënuar deri tani në Qendrën e Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike, ku realizohet diagnoza e paralindjes kanë qenë të paktë; këto raste kanë qenë të asaj kategorie me risk për të patur fëmijë me probleme.

Gjenetisti pohon se janë diagnostikuar fetuse me anomali kromozomike (sindroma e daunit), talasemikë (sëmundje e rëndë gjaku), fibrozë cistike (probleme të rënda të frymëmarrjes), distrofi a atrofi muskulare (zvogëlim i masës muskulare). Mjeku sqaron se diagnoza të tilla justifikohen kryesisht me trashëgiminë, duke u përcjellë gjenetikisht. Gjithsesi në çdo rast analizat gjenetike ka qenë vendimtare për prindërit e ardhshëm, pasi mjekët vetëm japin diagnozën e paralindjes. Të pakta në numër janë nënat që i drejtohen mjekut për të mësuar të fshehtat e krijesës që rritet brenda tyre. Sipas specialistëve propabiliteti që të lindë fëmijë me probleme një nënë 20-vjeçare është një në 1350 raste, ndërsa mundësitë rriten sipas një progresioni gjeometrik me rritjen e moshës së nënës. Kështu për femrat rreth të dyzetave, një në 50 gra ka mundësi për të lindur bebe të sëmurë.

 

Olsi Kolami -Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama