Portieri i përfaqësueses zvicerane, Jan Somer, ka pranuar se ndeshja me Shqipërinë është më e rëndësishmja për ecurinë në Europian. Kjo, jo vetëm për faktin se është ndeshja e parë në grup, por edhe sepse ka një koeficient vështirësie më të lartë meqë pjesëtarët e dy skuadrave njihen mirë.
"Ndeshja e parë kundër Shqipërisë është shumë e rëndësishme. Jo vetëm për shkak të tre pikëve, por edhe për shkak të atmosferës dhe për psikologjinë e skuadrës në vijim.
Sigurisht që kemi folur mes nesh për ndeshjen, apo për faktin që Granit Xhaka do të luajë kundër vëllait të tij. Por të shtunën, këto mendoj se nuk do të përbëjnë asnjë lloj problemi. Pas ndeshjes, të gjithë do të kthehemi të flasim me njëri-tjetrin si miq të mirë.
Padyshim që ndeshja me Shqipërinë do të jetë e vështirë. Ajo është një skuadër shumë e fortë në fazën mbrojtëse dhe lufton me shumë pasion. Por ne jemi më shumë të fokusuar te loja jonë sesa të aftësitë e kundërshtarit", ishin fjalët e Somer në konferencë për shtyp.