Po të shikosh sipas zërave, duket paradoksale, por Shqipëria, nga vendi i 77-të që zinte për regjistrimin e pronës, është renditur në vendin e 118-të për këtë vit. Por, të ndarë në zëra, duket qartë përparimi. Sipas raportit, një vit më parë, për të marrë një tapi, duheshin 42 ditë, ndërsa tani duhen 33 ditë, gjë që quhet lehtësim. Kurse për lejet e ndërtimit, nga vendi i 170-të, kemi shkuar në vendin 183. Kjo pasi, ndryshe nga një vit më parë, këtë vit nuk ka asnjë të dhënë për lejet e ndërtimit. Ndërsa një vit më parë duheshin 331 ditë për të marrë leje, këtë vit nuk janë dhënë leje fare dhe, si rrjedhojë, raporti e çon në vend të fundit këtë zë për Shqipërinë. Zërat e tjerë, sipas raportit, nuk kanë pasur ndryshim, por zhvillimi i vendeve të tjera ka bërë që Shqipëria të renditet 5 vende më poshtë.
Një tjetër faktor është ndryshimi i të dhënave që merren parasysh për renditjen e vendeve. “Të bërit biznes” analizon rregullat që përdoren për bizneset e një ekonomie gjatë ciklit të jetës së tyre, duke përfshirë nisjen dhe funksionimin e tyre, tregtinë ndërkufitare, pagimin e taksave dhe zgjidhjen e problemit të falimentimit. “Çdo vit, renditjet e vitit të mëparshëm për të gjitha vendet rillogariten për të marrë në konsideratë shtesën e indikatorëve të rinj, korrigjimet e të dhënave dhe ndryshimet e metodologjisë në indikatorët ekzistues, duke siguruar kështu një krahasim domethënës me renditjen e re. Pas dy vjetësh si projekt pilot, renditja e këtij viti prezanton një indikator të ri që ka të bëjë me të pasurit energji, si dhe ndryshimet e metodologjisë për dy indikatorë të tjerë”.
Bashkia: Bizneset debitorë të paguajnë taksat
“Të gjitha subjektet dhe individët tatimpagues që janë debitorë ndaj Bashkisë së Tiranës duhet të shlyejnë borxhet e tyre. Në të kundërt, do të penalizohen”. Këtë thirrje u ka bërë dje bizneseve dhe qytetarëve Drejtoria e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës. ”Muajt e mbetur të vitit 2011 janë mundësia e fundit që i jepet biznesit në bazë të ligjit të faljes nr. 10418, dt. 21.04.2011, ‘Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor’, për të mbyllur të gjitha detyrimet e tyre. Në të kundërt, në vitin 2012, të gjitha detyrimet e prapambetura do të jenë 100% të pagueshme dhe nuk do të ketë më asnjë falje”, thuhet në deklaratën për mediat të Bashkisë së Tiranës. Sipas saj, Drejtoria e Tatim-Taksave është e vendosur të zbatojë ligjin nëse nuk do të respektohet ky afat.
“Masa e parë që do të merret është publikimi në media i emrave dhe detyrimeve të çdo subjekti apo individi, më tej do të veprohet deri në mbledhjen e borxheve me forcë, siç e parashikon ligji. Drejtoria e Taksave në Bashkisë së Tiranës kërkon mirëkuptimin e të gjitha subjekteve apo individëve tatimpagues, që t’i përgjigjen menjëherë këtij njoftimi”, thuhet në deklaratë.