Nuk ka asgjë të keqe në vetvete të mediatizosh figurën e Kadaresë, por është tejet e gabuar të ndyesh figurën e shkrimtarit që i ka sjellë nder emrit “shqiptar” në arenën kulturore të botës. Ngritja e tezave të shëmtuara që e lidhin këtë figurë me Enver Hoxhën, me agjentaturën e huaj, me hakmarrje personale dhe rrënim të jetë njerëzish në shfrytëzim të sistemit komunist, një feminist i thekur dhe don zhuan i heshtur, të japin një shije të hidhur mbi qëndrimin që kanë media të caktuara mbi vlerat dhe pasuritë kombëtare.
Flitet shumë për lirinë e medias, por nuk flitet aspak për abuzimet mediatike të disa figurave qesharake si Kastriot Myftaraj i cili theshethemon për listën e ish të dashurave të Kadaresë, fejesën e Enver Hoxhës me motrën e Mbretit Zog, masonerinë e Edi Ramës dhe Erion Veliaj, dhe gjëra të tjera si këto, që fundja më shumë e shkatërrojnë një shoqëri sesa e ndërtojnë atë.
Talljet e fundit mediatike kanë ngritur edhe tezën e homoseksualitetit të dikatorit Hoxha. Çuditërisht, atyre që nuk ia mbante të thonin një fjalë të vetme kundër tij, tani kanë guximin të bëjnë lajm dhe shesin gazeta me histori qesharake si kjo. Shumë gazetarë mediokër rrisin nivelin e mediokracisë në vend dita-ditës duke shfrytëzuar median dhe hapësirën publicistike. Ndryshe nga Blendi Fevziu i cili ka bërë punën e një historiani profesionist duke botuar një studim të mirëfilltë dhe dinjitoz mbi figurën e Enver Hoxhës, gazeta të caktuara merren me figura të tilla historike apo dikatoriale duke i trajtuar ata si qesharakë apo homoseksualë vetëm për të shitur gazeta.
Mungesa e seriozitetit mediatik po shkatërron konceptin mbi njeriun intelektual dhe rolin e individit në shoqëri. Në vend që media të inspirojë apo sfidojë historianët dhe akademikët duke ngritur pyetje mbi aspektet pozitive apo negative të periudhës komuniste, duke krijuar kështu një opinion profesional dhe argumentues mbi çfarë është e vërteta e pastër e asaj periudhe dhe çfarë qëndrimi të drejtë duhet të mbajë shoqëria, pseudo-intelektualë të caktuar shkruajnë kronika rozë për figura të errëta të pa-studiuara si Enver Hoxha dhe pasuri kombëtare të njohura mbarë botës si Ismail Kadare.
Një fenomen tjetër shqetësues për shoqërinë është edhe shfrytëzimi që politika po i bën publicistikës mediatike. Panairi i fundit i librit dëshmoi se disa politikanë, jo vetëm që përdorin median për të promovuar botimet e tyre, por i përdorin këto publikime për të sulmuar kundërshtarët politik dhe për të manipuluar zgjedhësit.
Libri i fundit i Edi Ramës “Kurbani” nuk ka asnjë vlerë artistike në vetvete por është një mjet i mirë lufte politike apo traktat bashkimi me armiqtë e tij. Ky best-seller jo vetëm që i bën reklamë kryetarit të opozitës por i shërben atij për të bërë hapa përpara drejtë karrigen së kryeministrit. Kjo mënyrë komunikimi dhe publicitike i shtie zili të gjithë atyre që janë në fushën e letrave dhe publicistikës, duke përfshirë edhe veten, por mund të konsiderohet thjeshtë si një herezi letrare e cila do i hapë rrugën ‘kurbanëve’ të tjerë të politikanëve të së ardhmes.
Nëse Kastriot Myftaraj kryen herezi historike, ndërsa Edi Rama herezi letrare, kësaj liste i shtohet edhe Ben Blushi me herezinë e tij fetare tej libri i tij i fundit “Shqipëria”. Në këtë libër, Blushi hedh tezën se Zoti mund të ketë vrarë prindërit e tij. Sipas tij, meqë Zoti vrau birin e tij Jezus Krisht ai mund të ketë vrarë edhe prindërit.
Kjo herezi fetare mund të jetë e shpagueshme për një individ të pashkolluar por jo për një figure politike dhe intelektuale në vend si z. Blushi. Kjo tezë e hedhur prej tij përmban disa pasaktësira teologjike dhe mungesë informacioni mbi kulturën fetare të krishterë, pasi Zoti nuk vrau birin e tij, por biri i tij, në natyrë hyjnore vetë Zoti, u sakrifikua për shpëtimin e njerëzimit. Dhe, ajo që është më e rëndësishmja në besimin e krishterë është se Jezus Krishti u ringjall, që siaps Blushit i bie që nëse Zoti do kishte prindër edhe ata do ringjalleshin.
Në fakt libri i Ramës dhe Blushit kanë një të përbashkët. Rama përdor pa vend qingjin si kurban për shlyerjen e mëkateve të tij politike, ndërsa Blushi nuk gjen vend për Jezus Krishtin si qengjin e Perëndisë për të shlyer mëkatet e mbarë njerëzimit.
Fatkeqësisht, kjo lloj publicistike dhe mediatizimi në shërbim të qëllimeve momentale dallon nga intelektualizmi i vërtetë i cili i reziston kohës dhe brezave. Të bësh kurban Kadarenë, veprat e së cilit kanë inspiruar shumë njerëz në mbarë botën të bëhen shkrimtarë nuk do e bëjë kurrë Kastriot Myftaraj një personazh historik por veçse një flluskë sapuni që e mer era. Kurbani i Ramës nuk do i rezistojë kohës nëse Rama nuk bëhet kryeministër, madje jo vetëm kaq, por një kryeministër i dalluar. As Shqipëria e Blushit, e cila dallon nga Shqipëria jonë e cila nuk njihet si heretike por shquhet në botë si simbol i harmonisë fetare.
Duket se integritetin kombëtar e lidhim vetëm me kufijtë, ekonominë dhe politikën, por janë vlerat intelektuale ato që përbëjnë një pasuri kombëtare, ndaj lypset që këto vlera ti ruajmë dhe të promovojmë intelektualë që ndërtojnë dhe jo fenomeve që e shndërrojnë një shoqëri në mediokër.