Te blesh nje vend ne politike

Te blesh nje vend ne politike

Pak javë më parë, një miku im ish-deputet i një partie të madhe politike në legjislaturën e kaluar, po thoshte gjatë një bisede se, për të kandiduar si kryetar komune, bashkie apo deputet duhet të “kontribuosh” nga disa dhjetëra deri në qindra mijë euro (dollarët duket se nuk janë më të preferuar për shqiptarët që shpresojnë të shkojnë shpejt në familjen e bashkuar europiane). Sigurisht që personi i interesuar për këtë pyetje pati një zhgënjim nga përgjigja dhe kësisoj edhe nga perspektiva që kishte menduar se mund të kishte në atë parti politike. Ai nuk ishte më i interesuar për të ditur se cilat janë rrugët nëpërmjet të cilave kandidatët për deputetë apo kryetarë të njësive vendore duhet të dorëzojnë zarfin për të siguruar më pas edhe vendin e sigurt në pushtet.

Historia e tij m’u kujtua këto ditë, kur ministri Erjon Veliaj denoncoi abuzimin me pagesën e invaliditetit, që ishte përvetësuar nga një numër kryetarësh të njësive vendore, të cilët fiktivisht kishin vendosur në listë të afërm të tyre për të përfituar nga fondet e fatkeqëve, që për shkak të problemeve me shëndetin nuk mund të punojnë. Në të njëjtën ditë me këtë skandal, Tatimet dërguan në prokurori 8 ish-zyrtarë të vetët për mashtrim. Ndërsa kjo kategori zyrtarësh duhet të përfundojnë patjetër pas hekurave për abuzim me pushtetin dhe shpërdorim të fondeve publike, në njëfarë mase e kuptoj veprimin e tyre, pasi ata kanë qenë “të detyruar” që në krye të herës që të veprojnë kështu. Si vallë do t’i nxirrnin ata dhjetëra apo qindra mijë eurot që kishin paguar paraprakisht për t’u ulur në karriget e parlamentit, bashkisë, komunës apo zyrës së administratës së lartë të pushtetit?! Kush do të ishte ai budalla që do të jepte miliona lekë nga fitimet apo kursimet e tij vetëm për një post publik?! Asnjë! Madje, ndonjë biznesmen që ka para me thasë nuk është aq i çmendur sa t’i sakrifikojë ato për një profil më të lartë publik apo politik. Sigurisht, që e gjithë kjo kategori njerëzish, synon politikën apo pushtetin për t’i shtuar fitimet. Por më përpara se të punojnë për këtë, ata duhet të “shlyejnë” borxhin që i kanë krijuar vetes, duke parapaguar në zyrat e partisë “gjobën” e përfshirjes në politikë.

Për të paguar shefin dhe marrë fitimet e pretenduara prej pushtetit, sigurisht që duhet abuzuar me të. Dhe gjithkush gjen rrugën për këtë. Dikush vjedh fondet e ndihmës sociale, dikush atë të personave me aftësi të kufizuara për punë, dikush ngre traun e doganës apo shmang detyrimet në tatime në këmbim të zarfit që të vjen në shtëpi, dikush merr përqindjen e caktuar në tendera, dikush heq dhe fut njerëz në punë duke e konvertuar një vend pune në disa milionë lekë…dikush… Dhe realisht kjo është rruga e vetme dhe e shkurtër për të marrë mbrapsht paratë e shpenzuara si dhe për të vënë mënjanë të tjera. Me paratë e rrogës asnjë prej këtyre ofiqarëve nuk mund të sigurojë shuma aq të mëdha, të cilat i kanë investuar për t’u marrë me politikë. Pagesat e tyre mujore nuk janë më shumë sesa të shumë kategorive të tilla profesionesh si gazetarë, administratorë kompanish private etj., por që jeta sociale e politikanëve apo pushtetarëve është krejt e ndryshme dhe shumë më cilësore. Një pyetje e thjeshtë që mund të bëhet nga kushdo, por sigurisht dhe nga Inspektorati që ka për detyrë hetimin e pasurisë së tyre, është: Si kanë mundur këta njerëz të vënë kaq shumë pasuri në kaq pak kohë?! Përgjigja në fakt dihet prej të gjithëve, por asnjë prej krahëve të politikës deri më sot nuk ka qenë i interesuar që të bëjë shembull ndonjërin prej tyre.

Në këto kushte, nuk ka pse të na duken të çuditshme katapultimet e menjëhershme në politikë dhe as pasurimi “ brenda natës” i shumë politikanëve dhe zyrtarëve. Po ashtu, ata që duan ta shohin politikën si lëvizje normale pas një karriere domethënëse në fushën e tyre, duhet të maten mirë. Ose të zbrazin xhepat apo të kërkojnë borxh para për të shtruar rrugën drejt politikës, ose të denoncojnë me emër dhe mbiemër njeriun që i shikon nga xhepat ata që duan të hapin dyert e politikës. Njësoj siç disa mjekë shikojnë nga xhepat e duart të afërmit e pacientëve që u shkojnë në zyrë për të bërë operacionin e radhës… Por sado i shtrenjtë të jetë “brisku” i mjekut, shumë më e shtrenjtë duket se është “fatura tatimore” e padeklaruar që duhet të paguash për t’u futur në politikë. Të paktën kështu na bëri të besojmë miku im politikan. Dhe në fakt, kështu beson shumica e opinionit publik.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama