Të dënuarit e burgut të Nigritas kanë shkruar një letër, e cila është publikuar nga mediat greke. Ata nëpërmjet letrës kanë kërkuar që autorët e vrasjes së Ilia Karelit të vihen para drejtësisë. Gjithashtu ata në letër kanë hedhur edhe hipotezën sesi mund të jetë vrarë Kareli nga gardianit të burgut të Malandrinos.
“Viktima ishte e gatshme të pranonte pasojat e ligjit dhe dënimit për veprën që kreu, por ai tashmë ka vdekur pa shkuar një gjykatë. Vrasja u bë direkt me saktësi profesionale. Ilia përveç rrahjeve dhe kishte vrima në trupin e tij, një në dorë dhe një në zonën e gjoksit, të cilat thuhet se janë bërë me një objekt të mprehtë, që nuk është publikuar”, thuhet në letër
Të dënuarit kanë bërë thirrje që të bashkohen të gjithë njëzëri pa dallim etnik dhe të kërkojnë të merren masat e nevojshme për të përcaktuar shkakun e vdekjes së shqiptarit. Ata gjithashtu kanë kërkuar të publikohen të gjitha fotot që nga momenti që ai hyri në Nigritas burg, nëpërmjet të cilave kuptohet se atë e kanë rrahur rëndë edhe në burgun e Nigritas.
“Ne kërkojmë drejtësi dhe jo veprime fashiste për hakmarrje. Ne jemi këtu dhe do të ngrihemi kundër kujtdo që do të ndalojë zërin tonë të dëgjohet. Le të bashkohemi të gjithë, përtej përkatësisë etnike dhe t’i rezistojmë juntës që ekziston prej disa kohësh'', përfundon letra e të dënuarve të Nigritas.
Ndërkaq, hetimet për vdekjen e Ilia Karelit vazhdojnë dhe sipas disa mediave që iu referohen burimeve nga prokuroria, këta të fundit sigurojnë se nuk do të favorizohet askush mbi të cilin do të bjerë drita e çështjes.
Sipas të dhënave të deritanishme pretendohet se thyerjet në kafazin e krasharorit dhe shenjat në duart e Karelit janë bërë në kohë të ndryshme. Zyrtarët e burgut nga burgu i Malandrino kanë paraqitur dokumente dhe prova, të cilat sipas mendimit të tyre, vërtetojnë se shenjat në duart e Karelit nuk janë bërë në burgun e Malandrinos dhe as gjatë transferimit të tij në polici.
Zbardhet letra e Karelit
Gjithashtu ditën e sotme mediat greke kanë publikuar letrën e plotë të Ilia Kareli, i cili e ka shkruar në burgun e Malandrinos në Greqi. Kareli u vra në burg nga torturat e ushtruar nga autoritetet greke. Ndërsa letrën e ka shkruar pak para se të vendoste të vriste gardianin e këtij burgu.
Letra që publikohet është shumë e dëmtuar dhe ka njolla gjaku mbi të. Përmes këtij shënimi Kareli akuzonte autoritetet e burgut se, e kishin dënuar padrejtësisht. Ai pranon krimin e kryer prej tij, një vrasje që në vitin 1997 por deklaron se duhet ti ishte dhënë lejë për të parë nënë e tij. Ndërsa në fund shkruan dhe hakmarrjen e tij, do të vras njërin prej jush.
“Për shërbimin e burgut të Malandrinos! Më keni futur dhe më mbanin këtu, kaq gjatë, kaq shumë vite. Edhe pse kam vrarë dikë, ju pse nuk më lejoni që të shkoj në shtëpinë time për të gjetur dhe parë nënën time gjallë. Pse nuk më lejoni të shkoj në familjen time, pse? Unë jam këtu që në vitin 1997 dhe ju nuk jeni ngopur me kaq shumë vite të jetës time? Deri më tani unë ju kam dhënë jetën dhe 4 vite punë. Me atë gabim që kam bërë unë, nuk meritoj kaq shumë vite dhe ju ende vazhdoni të më mbani, pse? Pse? Tani unë duhet të marrë jetën e njërit prej jush. Kjo sepse ju keni marrë jetën time. Pse ... pse .?"
Ekspertizë tjetër Ilia Karelit
Ilia Kareli apo Kudret Kume, i burgosuri i cili u vra në burgun grek do t`i nënshtrohet edhe ekspertizës në Shqipëri përpara se të varroset në fshatin e tij, në Zhupan të Fierit.
Rreth orës 06:30 të mëngjesit të sotëm, policia e Fierit ka marrë nga familjarët trupin e pajetë të Kudret Kumes për t`i bërë ekspertizën mjeko-ligjore.
Trupi i pajetë i Kudret Kumes mbërriti nga Greqia, pasditen e djeshme në banesën e tij, në fshatin Zhupan të Fierit, ku edhe do të varroset nga familjarët e tij.
Ekzaminimet mjeko-ligjore në Greqi treguan se ai u rrah në mënyrë brutale nga policët grekë që i thyen kafazin e kraharorit me shkop gome, ndërsa ka dyshime se përdorën dhe elektroshokun, si hakmarrje për vrasjen e gardianit grek.
Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë gjetur shenja djegieje në pëllëmbën e dorës së djathtë të 40-vjeçarit, gjë që dëshmon se Kareli është torturuar.
Ndërkohë rezultati i mjekut ligjor përjashton mundësinë që vdekja e Ilia Karelit të ketë ndodhur për shkaqe natyrale, pra si komplikacion i zemrës ose shkaqe të tjera patologjike, dhe arrin në përfundimin se shkaku i vdekjes është dëmtimi i kafazit të kraharorit nga goditjet me shkop gome. Raporti mjeko-ligjor në Greqi flet për dëmtime në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme.
Ilia Kareli apo Kudret Kume, prej 1997 ishte burgosur në burgjet greke për një sërë akuzash. Ditë më parë ai kërkoi leje për të takuar nënën e tij, e cila ishte e sëmurë, por pas refuzimit të radhës që ju bë nga autoritetet, në shenjë proteste ai vrau një gardian në burgun e Malandrinos.
Pas ngjarjes ai akuzoi drejtësinë greke se nuk po e lejonte të takonte familjarët. 40-vjeçari u transferua në një burg tjetër, atë të Nigratas, ku gjeti edhe vdekjen nga torturat.