Te dashura bijat e mia Malia dhe Sasha...

Të dashura bijat e mia Malia dhe Sasha...
E di që të dyja jeni zbavitur shumë këto dy vitet e fundit gjatë fush atës sime zgjedhore, duke mar rë pjesë në parada, piknikë apo panaire, duke provuar ushqime të ndryshme, madje nga ato që i quajmë "të dëmshme" e që në raste të tjera mamaja dhe unë nuk do t‘ua kishim lënë t‘i provonit. Por unë di edhe që pikërisht këto dy vjet nuk kanë qenë aq të lehta si për ju, ashtu edhe për mamin dhe kjo për atë kohë që na është dashur të qëndrojmë larg njëritjetrit. Vetëm unë e di sa më keni munguar gjatë kësaj kohe dhe sot dëshiroj t‘ju them dy fjalë më shumë për arsyet që më shtynë të vendos të rrugëtoj drejt Shtëpisë së Bardhë së bashku me familjen time.

Kur isha i ri, mendoja se jeta dhe gjithçka sillej rreth meje ishte se si të bëja përpara, si të kisha sukses dhe të merrja atë që dëshiroja. Por pikërisht atëherë ju të dyja erdhët në botën time me gjithë kuriozitetin, çapkënllëqet dhe buzëqeshjet e mrekullueshme që kanë mbushur dhe mbushin çdo ditë jetën time plot dritë. Befas gjithë planet e mia të mëdha për veten nuk dukeshin më aq të rëndësishme si më parë. Zbulova se lumturia dhe gëzimi më i madh në jetë ishte të shihja gëzimin në sytë tuaj. Pak nga pak kuptova se jeta ime nuk do të kishte ndonjë vlerë, nëse nuk do t‘ju siguroja të gjitha mundësitë për të qenë të lumtura e të plotësuara. Në fund të fundit, vajza, kjo është edhe arsyeja që vendosa të kandidoja për President: për atë çka dua në këtë jetë për juve dhe të gjithë fëmijët e tjerë të këtij vendi.

 Dua që fëmijët tanë të shkojnë në shkolla të denja për aftësitë e tyre, në shkolla ku të përballen me sfida, shkolla frymëzuese që nxisin për të zbuluar botën që na rrethon. Dua që këta fëmijë të kenë shansin të shkojnë në universitet, edhe nëse prindërit e tyre nuk kanë shumë para dhe më pas dua që kur të rriten, këta fëmijë të kenë ku të punojnë dhe të paguhen mirë për të pasur mundësi që ata më pas t‘u krijojnë kushte të mira fëmijëve të tyre dhe mbi të gjitha të kenë kohë për të qenë pranë tyre. Punë që të japin kënaqësi dhe të pajisin me një pension që të lejon të jetosh me dinjitet. Dua që të çojmë më tej kufijtë e dijes, që të jetoni në një botë me teknologji të reja që e përmirësojnë ekzistencën dhe e bëjnë planetin më të pastër dhe më të sigurt. Dhe unë dua që të shkojmë përtej gjërave që na ndajnë, si raca apo feja, gjinia apo gjeografia, për të qenë bashkë dhe për të marrë më të mirën nga njëri-tjetri.

Ndonjëherë na duhet të dërgojmë djemtë e vajzat tona të reja në luftëra dhe situata të tjera të rrezikshme për të mbrojtur vendin, por në një rast të tillë dua që të sigurohem se kjo ndodh për një arsye shumë të madhe dhe pas përpjekjes për të zgjidhur problemet përmes dialogut dhe diplomacisë dhe në këtë rast do të bëja gjithë sa është e mundur për t‘i mbajtur të sigurta trupat tona. Dua që çdo fëmijë të kuptojë se idealet për të cilat këta burra e gra luftojnë nuk jepen falas dhe se me privilegjin e të qenit qytetar i këtij kombi të madh, vjen pashmangshëm edhe përgjegjësia e madhe. Ky është mësimi që më dha gjyshja juaj, të dashura vajza, kur kisha moshën tuaj, duke më lexuar rreshtat e Deklaratës së Pavarësisë e duke më treguar për burrat e gratë që kanë luftuar për barazi, sepse ata kishin bindjen se fjalët e asaj deklarate ishin të shenjta.

Ajo më ndihmoi të kuptoj se Amerika është më e madhe, jo sepse është e përsosur, por sepse gjithmonë të jep mundësinë për ta përmirësuar dhe se barra e përfundimit të punës për perfeksionimin e saj bie mbi secilin prej nesh. Është një barrë që e përcjellim brez pas brezi, duke iu afruar gjithnjë e më tepër ideales, pra idesë për atë çka duhet të jetë Amerika. Shpresoj që edhe ju të dyja do ta vazhdoni këtë mision, për ndreqjen e asaj që është e gabuar, për dhënien e të tjerëve të shanseve që ju i patët dhe ata jo. Dhe këtë ta bëni jo për detyrim ndaj familjes dhe vendit që ju kanë dhënë kaq shumë, por si një detyrim ndaj vetvetes, sepse vetëm kur merr një barrë të madhe përsipër, del më në pah edhe potenciali yt.

Këto janë gjërat që do të doja prej jush: të rriteni duke mos u vënë kufij ëndrrave dhe mendimit se ka gjëra që nuk mund t‘i arrini; të rriteni e të shndërroheni në gra me zemër të madhe e të dedikuara, që do të kontribuojnë në ndërtimin e botës së idealeve. Unë dua që çdo fëmijë të ketë një shans të tillë për të mësuar, për të ëndërruar dhe për t‘u rritur. Kjo është arsyeja që vendosa ta marr me vete familjen në këtë udhëtim që nisi 2 vjet më parë, në këtë aventurë të madhe. Jam shumë krenar për ju të dyja. Ju dua më shumë nga sa mund ta imagjinoni ndonjëherë dhe ju jam mirënjohës për durimin e treguar çdo ditë, për buzëqeshjet, humorin, hirin që na jepni ndërsa po përgatitemi të nisim një jetë të re së bashku në Shtëpinë e Bardhë.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama