Te dashura vajza hiqni dore nga nenat

Të dashura vajza, hiqni dorë nga nënat

“Nënë ka vetëm një në botë”, thotë një shprehje e urtë popullore. Dhe është e vërtetë. Mjafton të dëgjoni edhe fjalët që dalin nga goja e një burri, të cilat e vërtetojnë më së miri këtë gjë: “Ajo është njeriu më i rëndësishëm i jetës sime”.

Edhe raporti nuse-vjehërr nuk është i lehtë për t’u mbajtur nën kontroll, sepse shpesh mund të lindin momente xhelozie dhe duhet të përmbahesh për të mos rënë sy dhe për të mos shqetësuar bashkëshortin ose partnerin, pa llogaritur pastaj tensionin kur prindi në fjalë bëhet më shumë sesa duhet e pranishme në jetën e përditshme të çiftit. Për shumë gra, martesa është fillimi i një marrëdhënieje të re e të gjatë konkurrence me një grua që sigurisht nuk është rivale seksuale, por që përdor ndaj bashkëshortit të tyre mjete shumë më të forta se seksi: lidhjen mëmë-djalë, që në shumë raste është lidhja më e çeliktë që ekziston. Grindjet vjehërr-nuse janë të lashta sa vetë historia e marrëdhënieve njerëzore.

Për të është folur e shkruar në lashtësi dhe në kohët moderne dhe ajo ka qenë në thelb të tragjedive dhe barsoletave njëherazi. Sipas një psikologu, konflikti shpesh nis nga ideja që kjo marrëdhënie nuk mund të jetë kurrë e mirë dhe nga supozimi se të dyja palët nuk mund ta duan dhe e shajnë njëra-tjetrën. Në fakt, bëhet fjalë më shumë për një stereotip marrëdhënieje sesa me fakte konkrete që e çojnë një lidhje vjehërr-nuse në një konflikt që shpesh merr përmasat e një lufte të ashpër e të gjatë. Dhe shumë të pakta janë ato vjehrra apo nuse që nuk nisen nga paragjykimet dhe mundohen që të krijojnë një marrëdhënie krejt të ndryshme me njëra-tjetrën. Të dyja luftojnë që të arrijnë në familje pozicionin e "komandantes", luftojnë që të mbrojnë statusin që kanë dhe të fitojnë epërsi ndaj "kundërshtares".  Të dyja palët ndihen të kërcënuara nga prania e njëra-tjetrës.

Meri është 30 vjeçe dhe prej disa muajsh po jeton me të dashurin e saj. Shtëpia gjendet në të njëjtin qytet ku jeton nëna e tij, jo shumë kilometra larg. “Pavarësisht se nuk jetonte shumë kilometra larg nesh, donte të merrte me qira një shtëpi përballë nesh, por për fat të mirë e ndaluam në kohë”. Por mund të ndodhë edhe e kundërta, siç tregojnë shumë meshkuj. Nuk ekzistojnë vetëm mamatë e djemve. Janë edhe ato të vajzave. “Vjehërr nuk quhet vetëm nëna e bashkëshortit. Këtu përfshihet edhe mamaja e bashkëshortes. Në vendet perëndimore shumë çifte jetojnë me prindërit e gruas ose të dashurës. Zakonisht, vajzat nuk pranojnë të jetojnë me prindërit e burrave, sepse ata kanë ‘kolerë’, ndërsa prindërit e vajzës janë ‘shenjtorë’”, thotë me ironi një zotëri.

Sa gra pas lindjes ua besojnë fëmijët prindërve të tyre, duke ua mohuar këtë privilegj edhe prindërve të bashkëshortit? Sa prej tyre marrin në telefon mamatë në çdo orë të ditës, për t’i pyetur për çdo gjë? Cilat femra i lejojnë vjehrrin dhe vjehrrën të ndërhyjnë në jetën e tyre, apo t’u lënë çelësat e shtëpisë që të hyjnë e të dalin kur të duan? Nëse bëhen të tilla diferencime për prindërit e gruas (që janë shumë të mirë) dhe ata të burrit (shumë të këqij), është logjike që do të lindin kontradikta të mëdha mes çiftit.

“Ndodh, shpesh madje, që kur mes çiftit ka zënka, gruaja merr gjërat e saj dhe shkon në shtëpinë e nënës. Nëse do ta bëja unë diçka të tillë, do të më quante një të paaftë që nuk mund të jetojë larg nënës”, shfryhet Karli.

Lidhur me faktin në fjalë, një vajzë nuk është dakord me mendimin e Karlit. Ajo është e bindur se femrat kanë një nivel më të lartë autonomie se meshkujt në jetën e përditshme: lajnë, gatuajnë, bëjnë pazarin, kujdesen për shtëpinë. “Meshkujt nuk do të mësojnë kurrë t’i bëjnë këto gjëra, prandaj ua bëjnë mamatë, të cilat ndiejnë gjithmonë nevojën për t’i kompensuar. Shpresoj që im bir të mësojë, përndryshe edhe unë do të bëhem një vjehërr si ato të këqijat”.

Mashkulli është gjithmonë në një pozicion shumë të vështirë mes dy grave me të rëndësishme të jetës, njërës që i ka dhënë jetën dhe tjetrës që i ka dhënë asaj kuptim. Është shumë e vështirë për të që të gjykojë veprimet e njërës, apo të tjetrës e të mbajë anë, sepse i do të dyja, por të rralla janë rastet kur një burrë është shumë i prerë ndaj njërës, apo ndaj tjetrës. Një burrë mundohet të mbajë ekuilibrin, të mos e prishë as me njërën as me tjetrën dhe të negociojë paqen mes tyre, që shpesh është një mision i pamundur. Ata përpiqen që t‘i bëjnë të gjithë të lumtur dhe shpesh ia dalin përkohësisht, por vetëm përkohësisht, sepse ekuilibrat e brishtë prishen shumë shpejt. Për një marrëdhënie të shëndetshme mes nuses dhe vjehrrës nuk ka receta të  përcaktuara, sepse receta të tilla nuk ekzistojnë për asnjë lloj marrëdhënieje, por ka disa parime të cilave nëse u përmbahesh nuk të lënë në baltë dhe japin rezultat të kënaqshëm.

Parimi i parë është që në një marrëdhënie të tillë të mos nisesh nga stereotipi apo nga fakti që nuk mund të dalësh nga qerthulli i grindjes. Është plotësisht e mundur një marrëdhënie jo konfliktuale, mjafton që të vendosësh pak nga pak kufij të qartë dhe të aplikosh shumë tolerancë dhe mirëkuptim. Një nuse nuk duhet të harrojë marrëdhënien nënë-djalë, që ka nisur që nga dita e parë e ardhjes në jetë të burrit të saj dhe nuk do të mbarojë kurrë. Një nënë nuk duhet të harrojë se nusja është personi që mund ta bëjë të lumtur ose fatkeq krijesën e saj dhe se gjithë sa ajo mund të bëjë është që të ndihmojë në realizimin e opsionit të parë.

Por cili është ilaçi? Është një dhe i vetmi: çifti duhet të jetojë më vete, larg prindërve dhe të lindin sa më shumë fëmijë për të mos qenë të varur prej tyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama