Vanjeku, i interpretuar nga aktori Armond Morina, duket qartë se nuk ka asnjë lidhje me ambjentin e birrarisë, ku është dënuar të punojë. Ai flet në mënyrë të “kulturuar”, është i mirësjellë dhe nuk e duron dot erën e birrës. Ndërsa Sladeku, interpretura nga Shkumbin Istrefi, përgjegjësi i birrarisë, është një “fshatar i trashë”, siç thotë ai vetë. Një pijetar me përvojë, që vështirë se mund të gjendet ndonjëherë esëll. Edhe pse është Vanjeku, i dënuari, duket se më në hall është pikërisht përgjegjësi, pasi i kanë vënë si detyrë të raportojë tek ata “lart” për shkrimtarin. Gjatë një “audience” në “zyrën” e mbushur me arka e që kutërbon erë e thartë birre, Sladeku e ka të vështirë të “zbërthejë” dramaturgun. E deh, i ofron një punë më të thjeshtë në depo, se ajo në punëtori, por pa dobi.
Absurdi arrin kulmin ku i kërkon të “spiunojë” veten, të shkruajë, të sajojë diçka për veten. Në fund të fundit ai është shkrimtari… Në fund Vanjeku i dorëzohet tërësisht dehjes, pranoi konformizmin, përkundër lirisë intelektuale, që regjisori e bën të pranishme me anë të një dritareje, që hapet në mënyrë të mistershme, sa herë ai është vetëm dhe ka mundësi të arratiset. Po zgjodhi më mirë burgun-birrari. Fati i jo pak intelektualëve gjatë kohës së diktaturës jepet përmes ironisë therrëse. Më tepër se një komedi, ajo është një tragjikomedi, e cila vjen natyrshëm përmes lojës së aktorëve, të cilët kanë vite që e luajnë këtë pjesë. Mund të quhet një vepër e “pjekur”. Për ta është si një refren. I rikthehen vazhdimisht prej 11 vjetësh dhe dje e të premten e sollën edhe në Tiranë. Për stafin, fakti që sjellin për herë të parë në shqip një vepër të Havelit, është një krenari më vete, përpos mirëpritjes së spektatorit, që vlerëson në këtë vepër mesazhin e fortë havelian, humorin dhe ironinë çeke, gjetjet regjisoriale, lojën e aktorëve dhe skenografinë e Ilir Murselit, që e bën më të prekshme veprën e më të ndjeshëm absurdin.
Alma Mile Gazeta Shekulli