Labirinti i nervave
Mund të ndodhë në fakt, që zona e dhimbshme mund të jetë krejtësisht e shëndoshë dhe se stimuli vjen nga një organ ose muskul që ndodhet larg kësaj hapësire. Në këtë rast jemi përballë “dhimbjes referuese”: është njësoj sikur kambana e alarmit të tingëllojë në derën e gabuar. “International Association for the Study of Pain” (Shoqata Kombëtare për studimin e dhimbjeve) flet për “dhimbjen e perceptuar në një zonë të trupit topografikisht veçan nga zona ku vjen vërtetë dhimbja”. Shembulli më klasik është dhimbja në krahun e majtë, e cila mund të sinjalizojë një atak në zemër. Por ka edhe dhjetëra shembuj të tjerë: një dhimbje e bezdisshme në këmbën e majtë mund të jetë shenjë e një mosfunksionimi në zorrë; një dhimbje në shpinë mund ta ketë prejardhjen nga fshikëza e tëmthit; një pneumoni mund të shkaktojë një dhimbje të fortë barku; ndërkohë që dhimbja e qafës mund të jetë e lidhur me ndonjë problem në diafragmë.
Çështje zakonesh
Shpjegimi i këtyre fenomeneve qëndron në vetë strukturën e sistemit nervor. “Fijet ndijore që zgjojnë organet e brendshme mblidhen në të njëjtat qendra nervore që marrin sinjale nga strukturat somatike (lëkura dhe muskujt), e si pasojë sistemi nervor qendror mund të bëjë ndonjë gabim në interpretim”, - thotë drejtori i një laboratori fiziopatologjie të dhimbjeve. Përveç kësaj, sasia e nervave që vijnë nga organet e brendshme është jashtëzakonisht e ulët në krahasim me ato që vijnë nga muskujt dhe lëkura, prandaj qendrat nervore të palcës kurrizore janë mësuar të marrin më shumë stimuj nga sipërfaqja e trupit se sa nga brendësia. Që këtu mund të lindë keqkuptimi i interpretimit.
Infarkti i maskuar
Le të marrim shembull atakun në zemër: një therje në krahun e majtë, një dhimbje në shpatull, gojë, qafë, nofull, në bark e madje edhe në kokë, të gjitha këto janë shenja të forta të një çrregullimi kardiak dhe mund të merren si dhimbje të bezdisshme jo shumë të rëndësishme. Problemi është se fijet nervore që vijnë nga zemra zënë një hapësirë të madhe të palcës kurrizore dhe si pasojë sinjalet e alarmit ngatërrohen lehtë me ato që vijnë nga zona të tjera. Më keq akoma është kur nuk ekziston një mënyrë e thjeshtë për të ndarë një dhimbje të parrezikshme, siç është zakonisht ajo e krahut dhe nofullës, nga një shenjë e qartë e një ataku zemre, kështu që për t’i paraprirë të keqes duhet t’i drejtoheni mjekut.
Kujtesa e dhimbjes
Mënyra e të ndjerit të dhimbjes ndryshon nga një person te tjetri dhe varet nga eksperiencat individuale. Për shembull, është vërtetuar se çdo e keqe ka një “kujtesë” të vetën dhe mund të rishfaqet në periudha të ndryshme kohore në të njëjtën pjesë të trupit si pasojë e stimujve shumë të ndryshëm. “Një dhimbje e fortë dhe që zgjat për shumë kohë, ndryshon vetë sistemin nervor qendror. Kjo gjë bën që impulsi pasardhës, i cili vjen nga e njëjta zonë, ta riaktivizojë dhimbjen”, - thotë një specialist i fiziopatologjisë dhe terapisë së dhimbjes. Kjo është edhe arsyeja që një dhimbje e fortë dhëmbësh, enigmë e zgjidhur tashmë, mund të shfaqet gjatë një ataku në zemër ose migrene.
Pika të rëndësishme
Disa lëndime të vogla muskulore mund të favorizojnë shfaqjen e të ashtuquajturave “trigger point” (pikave shkrehëse), që nëse stimulohen, janë në gjendje të shkaktojnë dhimbje në një muskul të vendosur në distancë. Një dhimbje e fortë në kofshë mund të shkaktohet nga pikat shkrehëse në vithe; ndërkohë që për këmbët dhe kaviljet pikat shkrehëse janë në pulpa. “Këto kontraktime mikroskopike janë të shpeshta te sportistët, duke qenë se muskujt janë në lëvizje gjatë gjithë kohës. Kura konsiston në ndërhyrjet e përqendruara te ‘trigger point’ me ilaçe dhe teknika të tërheqjes muskulore”, - thotë një specialiste. Gjëja më e vështirë në gjithë këtë është lokalizmi i pozicionit të saktë të “trigger point”.
Agopuntura
Disa studime kanë treguar se agopuntura ndihmon për të qetësuar dhimbjet. Kjo teknikë e njohur lindore jep rezultate të mira në kurën kundër dhimbjeve. Një studim i publikuar në vitin 1977 nga psikologu kanadez Roland Melzack ka treguar se “trigger point” korrespondojnë në 71% të rasteve me pikat ku futen aget gjatë agopunturës.
Mbani shpinën drejt
A ka ndonjë mënyrë për të parandaluar këto dhimbje jonormale të muskujve, që shpesh janë të vështira për t’u gjetur? Përgjigjja gjendet fillimisht te qëndrimi i duhur të trupit në hapësirë. “Qëndrimi luan një rol tepër të rëndësishëm”, - pohon specialistja. Kështu pra, një mbështetje e mirë e këmbës mbi tokë, pozicioni korrekt i shpinës dhe i kokës janë bazat e shëndetit të gjithë organizmit tonë.