Dokumentari "Divorc Shqiptar" (2007, 66 min.) i regjisores Adela Peeva hap sonte, ora 19.00, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut që mbahet deri më 10 tetor në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi".
Pas projeksionit, regjisorja bullgare e cila ka mbërritur dje në Tiranë, do të ndajë me publikun përvojën personale të realizimit të filmit në Shqipëri, me personazhe shqiptarë, sepse është një histori shqiptare e shkaktuar prej dhunës.
Peeva është tërhequr nga historitë e dashurive, martesave të burrave shqiptarë me gra të huaja, kur ata studionin në vendet e ish-Lindjes Komuniste. Bëhet fjalë për vitin 1961, për kohën kur Shqipëria prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe të huajat u akuzuan për spiunazh e u dëbuan për në vendet e tyre. Në kohën kur xhironte dokumentarin "E kujt është kjo këngë", regjisorja bullgare dëgjoi dhe njohu nga afër historitë e disa shqiptarëve nga Korça. Personazhet e saj janë kryesisht intelektualë, profesionistë, inxhinierë që kanë studiuar në Rusi, Bullgari, Poloni etj.. Me këtë histori, regjisorja Adela Peeva ka fituar Prix Arté më 2007, kur Akademia Evropiane e Filmit e nominoi për Çmimin e Dokumentarit më të Mirë.
Ky dokumentar hap i pari dialogun për shkeljen e të drejtave njerëzore dikur në vendet totalitare, sot në tranzicion por edhe në vendet me një zhvillim demokratik të kënaqshëm. Ky është misioni i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut (IHRFFA).
"Heshtja" ("Silence", 2008) me regji të Ava Lanche, është filmi i dytë që projektohet në ekranin e "Marubit" po sonte, ora 20.10. Në tre minuta tregohen "efektet e padukshme të propagandës".
Nga kinemaja gjermane shfaqet në orën 20.15, filmi "Shoqja Kulturë" (2009) i regjisorit Marco Willms, që ironizon sistemin në RDGJ-në e kohës.
Edhe pse ngjyra zyrtare e komunizmit është e kuqja, socializmi i vërtetë ekzistues në Gjermaninë Lindore e paraqiti vetveten me nuanca të grisë. I gjithë vendi u detyrua të vishej me veshje që ishin njëzet vjet mbrapa standardeve perëndimore. Si mundet një sistem politik t'i mbijetojë një mungese shijeje të tillë? Historia tregon se nuk i mbijetoi.
Nata e parë e festivalit mbyllet me këtë film.
Të gjithë filmat që prezantohen në 6 netët e festivalit, rreth 37, trajtojnë problemet e njeriut modern përballë barrierave që vë privimi nga liria.
Mesazhet që përcillen nëpërmjet këtyre filmave, nuk ngelen brenda mureve të Marubit. Organizatorët, kanë menduar të organizojnë më datë 7-8-9 tetor disa forume me nxënësit e shkollave të mesme, dhe qytetarë për "diskriminimin, të drejtat e fëmijëve, për median dhe propagandën". Pjesë e këtyre forumeve janë ekspertë vendas dhe të huaj, si: Theodore S. Orlin (president nderi i Festivalit), Simon Walker (Këshilltar i UN për të Drejtat e Njeriut), dhe organizatat CRCA, LGBT Pro, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, UNICEF, Aleanca kundër Diskriminimit të LGBT-ve.
Koordinatorja e festivalit, Klesta Alikaj në prezantimin e djeshëm me median, tha se këtë vit, forumeve u është kushtuar me tepër rëndësi për tema të veçanta si homofobia. IHRFFA po bën të mundu që t'i zhvendosë diskutimet mbi të drejtat themelore të njeriut edhe në mjedise si burgu. Nesër, 6 tetor, në burgun 313 në Tiranë, organizohet një takim me gra dhe burra të burgosur dhe shfaqen filmat "Bagatela" dhe "Guxim gruaje".
Nga marrëveshja me Ministrinë e Arsimit dhe Drejtorinë Arsimore të Tiranës është bërë e mundur, pjesëmarrja në disa forume e nxënësve të 8 shkollave publike të kryeqytetit.
Më 8 tetor, Peter Mossop, përfaqësues i organizatës për të Drejtat e Njeriut, bën një bisedë me këta të rinj dhe komenton një ekspozitë me fotografi e slogane për të drejtat e njeriut.
Duket me vend konstatimi i presidentit Theodore Orlin bërë dje në prezantimin e festivalit, se "mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk është një koncept, por një realitet". Orlin tha edhe që "Festivali i të Drejtave të Njeriut, po merr përmasa e një aktiviteti të rëndësishëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar".