Te flasesh per dashurine dhe demone te tjere

Te flasesh per dashurine dhe demone te tjere
Në një qytet pa jetë kulturore, dy artiste vënë në skenë një tekst-monolog të nobelistit italian Dario Fo dhe të së shoqes Franca Rame. “Seks? T’falemnders, sa me e provue” (Sesso? Grazie tanto per gradire!, 1995) me aktore Rita Gjekën dhe regji të Merita Smajës, përcjell një leksion të sinqertë dhe emancipues mbi dashurinë. mbi dashurinë shpirtërore e fizike, që sipas rrëfimit të një urti në një përrallë mesjetare, i sjellin njeriut dashurinë e përjetshme. Shfaqja pati premierën në prill në Shkodër, konkurroi në dy festivale të monodramës në Pejë e Vlorë, dhe kthehet në Teatrin “Migjeni” të qytetit më 8 dhe 9 qershor.

Si ju ra në dorë teksti i Dario Fo-së dhe Franka Rame-s?

“Seks? Falemnderit, sa për ta provuar” i shkruar nga familja Fo, pra nga nobelisti Dario Fo, e shoqja Franca Rame dhe i biri Jacopo Fo, është një tekst i guximshëm që erdhi si rezultat i këmbënguljes së Frankës për ta vënë në skenë, mbasi lexoi veprën e të birit “Zeni dhe arti i të palluarit”. Ky tekst ishte në dorën e Rita Gjekës dhe ajo kishte dëshirë ta interpretonte, por nuk gjente guximin e duhur.

Në një ditë krejt të zakonshme i thashë Ritës: “Ke dëshirë të fillojmë me pjesën e Frankës?” Sepse prej vitit 1994 ka patur qindra shfaqje të suksesshme në Itali. Ajo nuk u mendua shumë e më tha: “Po, nëse ti je e bindur.”

Ky ishte fillimi. Rita nuk ndjehej mirë me tekstin në standardin letrar. Kërkuam në blog-un e Frankës ku gjetëm katër variante. Ata si familje kishin punuar duke korrigjuar njëri-tjetrin, në fund ishte një tekst i plotë. Pamë çfarë shkonte për në Shqipëri, pra lamë jashtë ato pjesë ku Franka flet për qeverinë italiane, kryeministrin, italianët dhe problemet e tyre ekonomike e politike dhe e sollëm tekstin në gegnisht.

Kam parë gjithçka ka shkruar Dario, Franka e Jakopo, gjithçka kanë ndryshuar nga debatet mes tyre. E menduam si një leksion mbi dashurinë dhe seksin, ndaj në fillim të shfaqjes jam unë që e hap dhe ia jap fjalën Ritës, aktores.

Po çfarë e bën leksion në teatër?

Kemi një temë për të cilën nuk ishte folur kurrë në teatër kaq hapur dhe me kaq qartësi. Rita dhe unë dëshironim t’u flisnim njerëzve për një çështje që i përket gjithë shoqërisë, ku secili individ bën pjesë me gjithë ndjenjat e tij. Jo më kot, në fillim të shfaqjes kam përdorur dy thënie të filozofeve të lashtë. Së pari nga Aristofani: “Qëndroji larg një burri dhe një gruaje që bëjnë keq dashuri, sepse tek ty do shfryjnë të keqen dhe mungesën e dëshirës.” Dhe nga Demosteni: “Mos i beso kurrë qeverisjen e një qyteti apo një shteti, dikujt që nuk di të bëjë dashuri, ose më keq që nuk e do dashurinë.”

Sot problemet janë edhe më të mëdha, ndaj kemi nevojë të sqarojmë veten në radhë të parë e sigurisht edhe partnerin për atë që përbën kënaqësinë e jetës, për dashurinë e seksin, në mënyrë që t’i japim mundësi vetes të jemi të lumtur, e të dimë ta kërkojmë e ta gjejmë lumturinë e kënaqësinë trupore sepse lidhet me shpirtëroren. Duke folur për këto marrëdhënie në teatër, mendojmë se diçka ndryshojmë.

Është edhe solidaritet i dy artisteve femra?

Aq sa për të krijuar tek aktorja një ndjesi të barabartë në të kuptuar. Kjo monodramë flet për gjërat më intime të jetës në mënyrën më të thjeshtë e të zakonshme, ashtu siç intimitetet e kërkojnë në jetë. Dy femra do e kuptonin shumë më mirë njëra-tjetrën për problemet që diskuton vepra, sesa po të ishte një mashkull që do të sillte aty egon mashkullore.

Të flasësh për lindjen, abortin, virgjërinë, ftohtësinë seksuale, menstruacionet, njohjen me seksin mashkull, për burrat, orgazmën, impotencën, përdhunimin, kjo vetëm me një femër, si e barabartë, është e mundur. Kjo e bëri punën tonë bashkëvepruese.

Kur flasin për seksin, nga e fillojnë autorët? Po nga do ta nisnit?

Të flasësh për seksin është një zgjedhje qytetare që na nevojitet të gjithëve për të rigjetur kënaqësinë e jetës, ndërsa atyre që sapo e kanë filluar jetën, për të njohur trupin e tyre. Ne duhet të bindemi se sa i rëndësishëm është seksi në një raport dashurie, për të ruajtur ekuilibrin e një personi, e si pasojë edhe sjelljen e tij në shoqëri. Në biseda me njerëz të çdo moshe, vërtet kupton se sa shumë injorancë dhe mister ka për seksin. Ky tekst i Fo-së dhe Rame-s e sjell në skenë këtë diskutim me bukuri dhe thjeshtësi. Është një monolog me humor dhe me disa momente mjaft dramatike. Nis nga marrëdhënia e parë e dashurisë në botë, ajo mes Evës e Adamit, marrëdhënie e pastër dhe e bukur e dy njerëzve që nuk e njohin njëri-tjetrin, nuk njohin trupin e tyre, që nuk dinë asgjë për seksin. Kjo vjen me një gjuhë të thjesht, nga goja e gruas së parë të universit. Është nga pjesët më të bukura të treguara prej Ritës, bashkë me leksionin e orgazmës që ishte kulmi i interpretimit dhe është pritur shkëlqyer nga publiku.

Dashuria fizike dhe dashuria shpirtërore, qoftë dhe sipas këndvështrimit tuaj, janë dy forca që shtyhen në realitetin e shumicës së rasteve?

Nuk do t’i ndryshoja asgjë çfarë kanë shkruar autorët e monologut tonë. Ata mundohen të tregojnë se një njeri i parealizuar në dashuri, apo që nuk e ka njohur dashurinë, natyrshëm do të ishte i rrezikshëm për shoqërinë.

Ajo që ndodh në të vërtetë është mungesa e kurajës për ta njohur këtë situatë, duke u përpjekur që ta fshehim nën një pamje të rreme, pas manierave të çuditshme e mashtrimtare të seksit. Ndaj më vjen t’u them njerëz: flisni me partnerët tuaj, flisni me miqtë, me mjekët, sepse në këtë mënyrë do të ndihmoni veten dhe familjen. Pikërisht mungesën e guximit autorët e theksojnë në një pjesë të mirë të veprës. Ata i japin rëndësi kuptimit të momenteve që i bëjnë keq një çifti: shtirja është njëra prej tyre. Të shtiresh sikur ndjen do me thënë t’i bësh keq vetes dhe tjetrit. Le të arrijmë të bashkëpunojmë, që marrëdhënia në çift të arrijë kënaqësinë e trupit e atë të shpirtit. Dashuria është shpirtërore, e kur kjo është e tillë, duhet kurorëzuar edhe me atë fizike.

Çfarë kërkesash keni pasur për objektet skenike, muzikën, veshjen e aktores?

Në fakt, një “leksion” si ky duhet të jetë gatshëm që të mbahet në çdo ambjent, edhe në një shkollë. E ky është një ndër qëllimet e shfaqjes sonë. E rëndësishme për ne është që spektatori të mos shqetësohet as nga muzika, as nga veshja e aktores, por të përqendrohet vetëm tek ajo që dëgjon. Objektet janë: një tavolinë, një karrige dhe një gotë uji, gjërat më të domosdoshme që mund të duhen në një leksion.

Çfarë cilësish vlerësoni tek Rita Gjeka?

Rita ka dhuntinë të komunikojë lirshëm dhe në mënyrë organike me spektatorin. Kjo e bëri atë të pranohet dhe të duartrokitet me shumë entuziazëm jo vetëm në Shkodër. Rita ka një sens të hollë humori dhe asgjë tek ajo nuk tingëllon banale. Ishte kënaqësi që punuam bashkë. Skena e fundit që ishte skena e përdhunimit, ishte shumë e vështirë. Mbas gjithë asaj kohe kur flitej me humor, edhe për spektatorin ishte pak e vështirë të pranonte dramacitetin, kulmin e dramacitetit, por këtë Rita e realizoi mjaft mirë. Ishte shpalosje e gjithë vlerave që mund të ketë një aktor.

Pas 8 dhe 9 qershorit, ku do të jeni me shfaqjen?

Shfaqjet e para i kemi dhënë në Shkodër në prill e gjatë kësaj kohe kemi marrë pjesë në dy festivale të monodramës, në Pejë ku Rita u vlerësua me çmimin për aktoren më të mirë dhe në Vlorë ku ajo u duartrokit gjatë nga spektatorët. Shfaqjet më 8 dhe 9 qershor janë të fundit për këtë sezon. Kthehemi në shtator me një axhendë të ngarkuar.

Fo-Rame

Franca Rame bijë arti (i ati, Domenico Rame ishte aktor dhe nëna, Emilia Baldini, aktore) u lind në një familje me traditë në artin teatral, sidomos me teatrin e kukullave e të marionetave prej viteve 1600. Në vitin 1958, bashkë me të shoqin themelon Kompaninë Dario Fo-Franca Rame dhe arrijnë të kenë mjaft sukses me turnetë e tyre në teatrot e Italisë. Në fund të viteve shtatëdhjetë Franca bëhet aktiviste në lëvizjen feministe, status që e ka demonstruar veçanërisht pasi u rrëmbye dhe u përdhunua nga një grup neofashistës në vitin 1973. Dy muaj pas dramës ajo u ngjit në skenë me monologun “Përdhunimi”. Shkruan “Tutta casa, letto e chiesa”, “Grasso è bello!”, “La madre”. Në vitin 2009 shkruan bashkë me të shoqin Dario Fo, autobiografinë “Una vitta all’impprovisa”.

Dario Fo, Çmimi Nobel për Letërsinë në vitin 1997, është i famshëm për pjesët e tij teatrale dhe satirën politike e sociale dhe për angazhimin politik me të majtën.

Biografi

Merita Smaja Blushi (Berat, 1958) e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë në Burrel e Peshkopi. Pas studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura, punon për një vit në Estradën e Peshkopisë dhe në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës prej vitit 1981. Ka punuar me regjisorë si Serafin Fanko, Fatbardh Smaja etj.. Është Martirio te “Shtëpia e Bernarda Albës” e Lorkës, Nëna te “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” i Pirandelos, Heroina e Grave te “Vizita e fundit” e Albri Brahushës (vlerësuar si aktorja më e mirë në Festivalin e Teatrove në Preshevë), Ajo te “Luaj për mua në violinë” e Gazmend Krasniqit, Natasha tek “Ishulli i Shitenit” i Albri Brahushës, e deri tek Meri në dramën “Dy jetë” të Fadil Krajës, roli i fundit në nëntor 2011, i vlerësuar si aktorja më e mirë në Festivalin e Ferizajt. Ka shkruar librete dhe ka punuar shumë me të rinj amatorë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama