Te flasesh shume gjuhe shpeton trurin

Te flasesh shume gjuhe shpeton trurin
Të njohësh dy ose më shumë idioma parandalon humbjen e aftësive njohëse dhe ul rrezikun e prekjes nga sëmundjet e këqija si Alzhajmeri. Këtë e konfirmojnë shumë studime.

Dy është më mirë se sa një, ose tre është më mirë se sa dy. Konkretisht po flasim për gjuhët. Zotërimi i tyre i bën mirë shëndetit, forcon aftësitë njohëse, por gjithashtu mund të rrallojë edhe avancimin e sëmundjeve të këqija si Alzhajmeri. Disa studime kanë ndezur debatet midis ekspertëve, të cilët e dinë se si ta mbajnë në gjendje aktive trurin, për të ruajtur aftësitë njohëse, por që sot kanë në dorë diçka më shumë. Fillimisht sepse ka diçka tepër konkrete (të flasësh disa gjuhë) e aftë të parandalojë degjenerimin cerebral, dhe e dyta sepse këto zbulime ndihmojnë që të kuptohet më mirë se çfarë ndodh te neuronet e një personi, i cili flet disa gjuhë, gjë që për këdo është avantazh.

Pikënisja është një punë e realizuar në vitin 2008 nga Gitit Kave, një studiues nga Tel Aviv, që u publikua më pas në revistën “Psycology and Aging”. Në atë artikull shkruhej që njohja e dy ose më shumë gjuhëve ndihmon në parandalimin e humbjes së aftësive njohëse te të moshuarit mbi 75 vjeç. Por cila është arsyeja dhe në ç’kushte ndodh kjo? Sot shkencëtarët i kanë idetë më të qarta. Avantazhet nuk janë vetëm për personat që zotërojnë dy gjuhë që në vegjëli, por edhe për të tjerët që kanë praktikuar gjuhë të ndryshme në moshë madhore.

Konfirmimi i fundit për këtë çështje vjen pas një studimi te 200 të moshuar (kryesisht 70-vjeçarë), i realizuar nga studiuesja nga Luksemburgu, Magali Perquin. Studimi është paraqitur në Kongresin e Akademisë Amerikane të Neurologjisë dhe sipas tij, të zotërosh të paktën tri gjuhë ka efekte pozitive për kujtesën. Studime të tjera të realizuara nga “York University” i Torontos tregojnë se fakti që flet shumë gjuhë redukton në mënyrë domethënëse dëmtimin konjuktiv (njohës) shkaktuar nga Alzhajmeri. “Duket se po të flasësh më shumë se një gjuhë, ndihmon që të mbash nën kontroll dëmtimet e shkaktuara nga sëmundja, duke u lejuar këtyre subjekteve të ruajnë më gjatë funksionet cerebrale”, thekson psikologia kanadeze Ellen Bialystok, përgjegjëse e studimit.

Perspektiva është joshëse dhe studimet për këtë çështje janë të shumta. “Këto studime kanë baza të forta. Natyrisht që ka gjuhë si ajo kineze, ku variacionet varen nga ndryshimet e tonit dhe është e vështirë ta kuptosh në thellësi ndikimin mbi zhvillimin konjuktiv (njohës). Të gjithë e dimë se zotërimi i dy gjuhëve ofron shumë avantazhe”, thotë një studiues i gjuhës.

Nuk ka dyshim se shumë prej këtyre avantazheve e kanë origjinën nga mënyra e sjelljes: për shembull është e lehtë të kuptosh se kush njeh shumë gjuhë, ka një mundësi komunikimi më të pasur. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që personat të cilët flasin dy gjuhë, duke u bazuar kryesisht te studimet e fundit, janë më të shoqërueshëm dhe të gatshëm për të biseduar, madje jo vetëm me ata që flasin gjuhën e tyre. Në fakt ka diçka më shumë: sipas disa studimeve të bëra nga Teresa Bajo në Spanjë dhe studiues të tjerë nga Universiteti i Kolumbisë në Britani, foshnjat 4-muajshe, të cilat kanë dëgjuar gjuhë të huaja para lindjes, reagojnë më me pak ankth ndaj idiomave që nuk i njohin dhe arrijnë të lexojnë saktë shprehjet e fytyrës dhe emocionet e personit që po flet me to. Ndoshta mund të jetë edhe sjella, megjithatë nuk ka dyshim që është struktura e vetë trurit e cila përfshihet në efektin mbrojtës të gjuhëve mbi zhvillimin e tij të mëtejshëm.

Në këtë pikë është e rëndësishme të shtrohet pyetja: çfarë e dallon gjuhën nga llojet e tjera të gjimnastikës mendore? Dhe si vepron ajo mbi trurin tonë? “Është e çuditshme që ne mendojnë se gjuhët e huaja mund të mësohen lehtë dhe nuk e kuptojmë se bëhet fjalë për një fenomen të ndërlikuar. Kur fillojmë të mësojmë një gjuhë të re, përqendrohemi vetëm te fjalori, gramatika dhe sintaksa”, thekson studiuesi i gjuhës. Mësimi i gjuhëve të huaja u revolucionua në gjysmën e dytë të viteve 1900 nga Noam Chomsky, i cili duke analizuar strukturat matematikore në bazë të idiomave të ndryshme, vuri re se gjuhët kishin një lloj ADN-je të përbashkët, që e përmbante edhe truri ynë e që përkon me variacionet e pafundme që njohim. “Duke arritur në këtë përfundim mund të themi se të mësosh një gjuhë do të thotë të ‘vësh në lëvizje’ informacionet që mësohen me aparatin me të cilin kemi lindur, duke fiksuar disa nga hapat e mundshëm dhe duke harruar disa të tjera”, shpjegon ai.

Nga pikëpamja fiziologjike, një analizë me teknika të avancuara tregon se te një person i cili flet dy gjuhë që kur është i vogël, disa hapësira të hemisferës së majtë të trurit, të lidhura me funksionet gjuhësore, aktivizohen në mënyrë të ngjashme kur përdoret njëra gjuhë ose tjetra. “Kur gjuha e dytë është mësuar më vonë vërehet një ndryshim në aktivizim, që varion sipas llojit të detyrës së propozuar”, shpjegon një docent i neuroshkencave njohëse, në Universitetin e Shën Rafaelit. “Për shembull në provat e sjelljes, aktivizimi cerebral është tepër i madh kur njihet gjuha e përdorur, sepse nuk është e vështirë të kuptosh domethënien e fjalëve. Kur flasim, truri aktivizohet edhe më shumë kur bëhet fjalë për një gjuhë të cilën nuk e njohim mirë”.

Çështja është aq e ndërlikuar, saqë gjithnjë e më shpesh studiuesit përdorin bilinguizmin si një lloj bisturie konjunktive për të kuptuar se si funksionon truri. Për shembull është vënë re se një person që zotëron dy gjuhë, teksa flet, kur kalon nga njëra gjuhë në tjetrën, aktivizohen hapësira të ndryshme të trurit sipas frazës që ndodh kalimi. Dhe jo vetëm kaq. Neuroshkencëtarët kanë zbuluar se truri është në gjendje të ndajë një gjuhë të vërtetë nga një e sajuar. Ndërkohë shkencëtarët amerikanë po financojnë studime të reja për të parë lidhjen midis mësimit të gjuhëve, zhvillimit njohës dhe kujtesës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama