Ky cikël shpjegon gjithashtu se të konsumosh ushqim në të njëjtën sasi në mbrëmje ose gjatë ditës, mund të ketë efekt jo të dobishëm në organizëm, ose të transformohet në një burim sëmundjeje? Por në ç’mënyrë? Të dhënat e para të ekzistencës së një marrëdhënieje shumë të ngushtë mes ciklit gjumë-zgjim dhe të ushqyerit janë zbuluar nga vëzhgimet e shumta që janë bërë dhe lidhen me fenomene të ndryshme, si për shembull orët e gjumit dhe pesha, por asnjëherë nuk është vërtetuar një lidhje e rastësishme. Për të vërtetuar këtë cikël, studiuesit kryen edhe një studim, të cilit iu nënshtruan 14 infermiere. Studimi përfshinte ushqimin, aktivitetin fizik, largimin e stresit dhe përmirësimin e cilësisë së gjumit. Në fund, para mbledhjes së të dhënave, infermieret u ndanë në dy kategori, sipas kohës që i ishte kushtuar gjumit dhe pushimit të mirë. Ndryshimi mes dy grupeve ishte i dukshëm: kush nuk ishte ngopur me gjumë, kishte një tregues të masës trupore më të lartë se gjumashet. Përse? Sipas njërit prej studiuesve, një mundësi është që gjumi i pakët ka ndikuar në ekuilibrin hormonal, për shembull duke zvogëluar prodhimin e leptinës, hormoni i ngopjes, e duke shkaktuar një ndjesi më të madhe urie.
Gjatë viteve të fundit, për të shpjeguar arsyet e efektit gjumë mbi peshën trupore, janë kryer dhjetëra studime dhe të gjithë kanë treguar se fenomeni është sa kompleks, aq edhe i rëndësishëm. Le t’ia nisim nga Deanna Arble, një studiuese e “Centre for Sleep and Circadian Biology”, e cila ka publikuar në revistën “Obesity” një studim se si minjtë e ushqyer me një dietë të pasur me yndyra shtonin në peshë 48 për qind kur ushqimi u jepej në oraret që ata flinin, dhe 20 për qind nëse i njëjti ushqim u jepej në orare të ndryshme gjatë ditës. Kjo ndodhte te minjtë. Po te njeriu? Kësaj pyetjeje i është përgjigjur studiuesi Plamen Penev, nga Universiteti i Çikagos, i cili ka treguar për revistën “Journal of Endocrinology and Metabolism” se çfarë ndodh kur njerëzit shëndetplotë detyrohen të flenë mesatarisht pesë orë (një vlerë relativisht e ulët krahasuar me orët e plota të gjumit), humbasin sasi të madhe glukoze dhe janë të ekspozuar ndaj diabetit dhe obezitetit. Diçka e ngjashme është vënë re edhe nga endokrinologët e Universitetit Laval, në Kanada, të cilën e kanë hasur edhe në revistën shkencore “Diabetes”. Në këtë revistë ka gjetur hapësirë edhe një studim tjetër ndërkombëtar, i cili ka vërtetuar që kur receptori i melatoninës nuk punon mirë, rreziku për të zhvilluar sëmundjen e diabetit rritet me 20 për qind. Gjithashtu, endokrinologët e Universitetit të Notinghamit, në Britaninë e Madhe, kanë treguar se ndryshimet në përqindjen e yndyrës kafe, që gjendet kryesisht te foshnjat e sapolindura dhe kafshët që bien në letargji, është e lidhur ngushtë jo vetëm me ciklin gjumë-zgjim, por edhe me temperaturën e trupit (e cila ndryshon gjatë orëve të ditës).
Të dhënat e mbledhura deri këtu janë diçka më shumë se sa tregues të thjeshtë. “Ka shumë prova lidhur me faktin që një prishje e ritmeve normale kardiake ndryshojnë metabolizmin. Mjafton të mendosh për ata që punojnë natën dhe ata që nuk hanë mëngjes. Të dyja këto kategori personash janë më të rrezikuar ndaj obezitetit dhe tumoreve të ndryshme. Në qoftë se pastaj marrim parasysh elementët kryesorë, të cilët ndikojnë në rregullimin e peshës dhe oreksit, do të vëmë re se të gjithë ndikohen nga alternimi i gjumit dhe zgjimit: metabolizmi i insulinës, funksionimi i leptinës (hormoni primar për ngopjen), zhvillimi i rezervave të yndyrës kafe, rregullimi i temperaturës dhe shumë të tjera. Si pasojë, ky cikël ka diçka të rëndësishme: obeziteti mund të shihet edhe si një patologji që vjen nga humbja e harmonisë së këtij ekuilibri delikat. Kështu, pasi i kemi kuptuar mirë mekanizmat molekulare, mund të mendojmë për ndërhyrje të mirëfillta”, thotë një studiuese.
Në fakt, studimet e shumta mbi qelizat individuale dhe gjenetikën e fenomenit kanë filluar të pasqyrojnë një skemë tepër të komplikuar, në të cilën janë përfshirë mijëra gjene. “Ritmet kardiake ndikojnë në sekretimin e hormoneve dhe në shumë fenomene të tjera. Gjithsesi, edhe ato vetë ndikohen nga niveli i hormoneve, si melatonina, por gjithashtu edhe nga faktorë të tjerë, siç janë ushtrimet fizike ose lloji i ushqimit të konsumuar. Ushqimet e pasura me yndyrë, për shembull, ulin ritmet. Në një farë mënyre është historia e pulës dhe vezës: nuk e dimë ende se cila e ka bërë shoqen, por ka gjasa që bëhet fjalë për diçka unike, ku çdo element është i lidhur ngushtë me tjetrin”, shpjegon sërish studiuesja. Gjumi dhe pesha janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, duke aktivizuar ose çaktivizuar mijëra gjene, në varësi të kohës, asaj çfarë hani dhe pini, gjendjes hormonale, ilaçeve të marra për sëmundjet e ndryshme, mënyrën e jetesës e kështu me radhë.