Te flesh ne Shqiperi e te punosh ne Greqi
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Fshati Shalës bën pjesë në komunën e Markatit. Ai shtrihet rrëzë malit me të njëjtin emër e çdo ditë zgjohet nga zhurma e motorëve që këtu, ashtu si në Greqi, u thonë "papaqi". Rrugicat, sheshi në qendër të fshatit dhe gjithë faqja e malit oshtin nga zhurma karakteristike e këtyre motorëve. Të moshuarve kjo zhurmë u kujton traktorët me zinxhir, kur ishin në kooperativë, mirëpo kohët kanë ndryshuar. Sot, burrat, ata që kanë mbetur në fshat, flenë natë për natë në shtëpi, në Shqipëri e të nesërmen nisen për të punuar në Greqi. Zbresin me motor në Konispol, hidhen në pikën kufitare të Qaf-Botës, parkojnë motorët dhe ashtu në grup i hipin autobusit të afendikoit. Shkojnë buzë detit. Aty shpërndahen nëpër vaskat e rritjes së peshkut. Këtë punë bëjnë çdo mëngjes. Pasdite i hipin autobusit dhe kthehen në kufi. Marrin motorët dhe ja ku i ke në fshat.
Nazmiu, një nga 30 të rinjtë peshkatarë të Shalsit, na shpjegon se për këtë punë paguhen 30€ në ditë. Sipas tij, "mirë fare". Puna nuk është e rëndë. "Mirë fare", se këtu nuk ka punë - na sqaron Nazmiu. Pastaj ai vazhdon: Vërtet punoj në Greqi, por natë për natë kthehem te gruaja dhe fëmijët në shtëpi. Do të punosh të shtunë dhe të diel, puno! S`do të punosh, mos puno, po nuk ka 60€ plus. Ec e gjeji ato të bekuara para të kam rixha.
Kur e pyesim si e bëjnë këtë punë, me dokumente apo jo, me siguracion apo jo, ai na e kthen menjëherë "O gazetar, në do të rrish me ne eja ulu e lëri pyetjet. Ti s`vjen nga hëna o burrë! Ti e di më mirë se unë se si venë këto punë. Ja nuk i pëlqeu afendikoit apo qeverisë ajo që them unë? Ja nuk i pëlqeu policit apo doganierit. Kufiri lirohet dhe shtrëngohet si ja do qejfi atij e jo mua! Ç`të bëj unë pastaj, ku të vete, të rri pa punë? Një nga burrat në tavolinë ja kthen me qesëndi: Jo mor jo, s‘ka më shtrëngim, se ju ushqeni jo vetëm grekun, por edhe peshkun që ha greku.
Jo vetëm të punosh....
Jo vetëm të flesh në Shqipëri e të punosh në Greqi, por edhe të mësosh në shkollat greke dhe në mbrëmje të kthehesh në shtëpi. Nuk është fjala për familjet shqiptare që punojnë e jetojnë në Greqi prej vitesh. Dihet se ata po harrojnë edhe gjuhën e nënës, pasi shkojnë në shkollat greke. E kemi fjalën për fëmijët. Shqiptarë që jetojnë në Shqipëri e shkojnë në çdo mëngjes për të mësuar në Greqi. Kjo ndodh masivisht në fshatin Janjar të komunës Markat, në kufi me Greqinë. Në këtë kohë të gjithë fëmijët që mbarojnë shkollën 9-vjeçare shkojnë të mësojnë në Greqi.
Mirela Alizoti, mer në telefon dy vajza të reja që të vijnë e të na tregojnë për këtë, mirëpo ato i tregojnë se nuk kanë njeri në shtëpi e pa lejen e prindërve nuk mund të dalin, aq më tepër për të dhënë intervistë. Atëherë Mirela na tregon me hollësi atë që këtu e dinë të gjithë.
Çdo të hënë në mëngjes, fëmijët e fshatit zbresin poshtë në përrua, buzë liqenit, aty ku ka qenë rruga e kooperativës. Presin mikrobusin e shkollës e nisen për në Palambaq, fshat në tokën greke. Stacioni urban është improvizuar në tokën neutrale, aty ku dikur ka qenë brezi kufitar. Tani s`ka më as brez të butë e as brez të fortë, s`ka klon e pikë kufitare. Prej këtej, fshati grek Palambqi nuk është më shumë se 10 minuta në këmbë. Fëmijët mund të shkojnë edhe në këmbë, por shkolla ku ata mësojnë ua ka ndaluar një gjë të tillë. Për ta ka ngritur edhe konvikt. Kështu, fëmijët e fshatit Janjar mësojnë në Palambaq, hanë në Palambaq, flenë në Palambaq dhe të premten në drekë kthehen në shtëpi.
- Kush vete në atë shkollë? - pyesim Mirelën.
- Të thashë, të gjithë fëmijët që mbarojnë klasën e 9-të. Kuptohet, ata që kanë dëshirë të mësojnë se ata që nuk kanë kohë për shkollë i vënë festen e çobanit e i dërgojnë me dhi këtyre skërkave.
Shqip mësojnë në Palambaqi?
Ç`shqip mo, greqisht po të them!
Pse nuk venë në Markat, në qëndër të komunës ku ka shkollë të mesme, në Konispol apo Sarandë?
- Ku të venë the, në Sarandë? Po Saranda është 70 km larg prej këtej. Të shkosh në Sarandë me këtë rrugë copë-copë të duhen 3 orë me makinë. Po për t‘u kthyer? Telash i madh. Ti shiko shkollën 9-vjeçare të fshatit! Mezi mbahet në këmbë. Xhama nuk ka, ngrohje nuk ka dhe tarraca i pikon. Tani në shtator, para se të fillojë shkolla do i japin një sherbet me gëlqere, vetëm kaq. Kurse Palambaqin e kanë 10 minuta në këmbë.
- Po shqiptarizma, gjuha e mëmës?
- Ti je budalla apo hiqesh si i tillë. E kujt i hyn në punë shqiptarizma këtu? Po të mos ishte Palambaqi, fëmijët do mbeteshin pa shkollë. Ti thua se mësojnë greqisht. Eh, më mirë se gjejnë punë më lehtë. Këtu punë s‘ka, rrugë s‘ka e ujë s‘ka.
Jo vetëm të mësosh...
Dikur, lugina Pavëll qe hambar jo vetëm për këtë komunitet, por edhe për Sarandën, Gjirokastrën, Përmetin dhe Tepelenën. Tani vendin e prodhimeve bujqësore e kanë zënë ferrat e drizat. Ju do të pyesni me se jetojnë banorët e kësaj zone? Ku e marrin vajin, sheqerin, frutat, perimet, rakinë e verën? Përgjigjja është e thjeshtë. Te greku.
Dasho Muçaj ka një biçim lokali poshtë urës, që lidh fshatin me zonën e Livadhjanë. Ura është me kapriata hekuri, urë ushtrie, po Dashua ka shfrytëzuar distancën midis dy këmbëve, dhe aty në zall ka ngritur lokalin e tij. Ai na thotë se çdo fundjavë i hipën autobusit e shkon në Greqi, bën pazarin e kthehet në shtëpi.
Aty i blej të gjitha që më duhen. thotë ai
Ti je tregtar e ta mban xhepi, po të tjerët si ja bëjnë? - e pyesim ne
Të gjithë po të them - na sqaron Dasho, duke vazhduar se në Shqipëri të gjitha janë të shtrenjta. Orizi, mielli, sheqeri e vaji. Ky i fundit ka vajtur 300 lekë litri, sheqeri 100, kurse në Greqi me 40 cent blen një kg miell apo sheqer e të mbeten edhe disa cent të tjera, për të blerë ndonjë artikull tjetër. Shkurt, jo vetëm unë, por edhe gjithë të tjerët, çdo gjë që mund ta marrim këtu e marrim andej se është më lirë.
Kryetari i komunës Markat, Ismail Musai, na sqaron se Markat do të thotë treg. Banorët e zonës merreshin me blegtori e vreshtari. Ato shkëmbeheshin me vajguri e kripë, ja tek ky shesh në qendër të fshatit. Pra vite e vite më parë njerëzit thoshin: "po shkoj në Markat të shes këtë të blej atë". Sot, veç emrit, Markatit si ka mbetur asgjë nga lavdia e dikurshme e biznesit. Në qendër të fshatit ka vetëm një klub, si dhe zyrat e komunës me 11 punonjës gjithsej.
Në shtëpinë e rektorit
Për të shkuar nga Markati në Ninat, e cila ndodhet 4 km larg, ose duhet t‘u japësh këmbëve ose duhet të kesh një fuoristradë të mirë. Makinat e zakonshme ose të lënë në rrugë ose mbeten vetë atje. Kryetari i komunës na jep fuoristradën e tij, së cilës ju deshën gati 20 minuta për të bërë ato 4-5 kilometra që më shumë i ngjante një rruge këmbësorësh sesa një rruge automobilistike. Këtu ndodhet shtëpia e rektorit të parë të Universitetit të Stambollit, Hasan Tasimit. Në fakt nuk ka shtëpi. Ka vetëm mure pa dyer e dritare, pa çati e dysheme, ndërsa rreth e rrotull ferra të harlisura.
Njëzet e pesë vjet më parë, kur e vizitoi këtë shtëpi Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Francës deklaroi i befasuar: "Nuk ma priste mendja se në një vend të tillë të shkretë, rrethuar nga male të gurtë pa asnjë lloj infrastrukture, do të gjeja një muze kaq të bukur për ish-nxënësin tonë të Universitetit të Sorbonës.
Po kaq shumë jam befasuar nga pasuria etnografike që ju kaq bukur e keni ekspozuar në këtë shtëpi të Hasan Tasimit". Sot, ndërsa vështroj me pikëllim muret e rrënuar të shtëpisë muze, që dikur ka befasuar të gjithë ata që e kanë parë, mendja më shkon te Hasan Tasini. Ai ka lindur dy shekuj më parë e s‘ka pasur lidhje as me komunizmin e as me regjimin e Enver Hoxhës. I ati, Osmani, e mori Hasanin e vogël në Berat, ku qe mësues. Më vonë në kalanë e Shkodrës ku i ati merrej me edukimin e fëmijëve të Bushatllinjve.
Duke pasur lidhje të forta me Çamërinë, Osmani e dërgoi të birin në medresenë e Filatit. Rezultatet në mësime e renditën Hasan Tasimin në pesë më të mirët e Perandorisë Osmane. Vetë sulltani vendosi që këta pesë djem të shkonin për studime në perëndim. Hasani studioi në Universitetin e Sorbonës për astronomi, psikologji dhe matematikë. Me tu kthyer në Stamboll ai hartoi projektin për çeljen e Universitetit të Stambollit. Hartoi programe e tekste dhe në vitin 1864 hapi universitetin e parë të Stambollit, duke u zgjedhur nga kolegët si rektori i parë i këtij universiteti. Mirëpo ndërsa Porta e Lartë i kërkonte Hasan Tasimit të shpjegonte ëndrrat e Sulltanit, ai merrej me eksperimente astronomike. Ky ishte Hasan Tasimi për të cilin Sami Frashëri shkruan: "Hasan Tasimi bën pjesë te njerëzit e mëdhenj që epoka dhe shekujt fort rrallë ja falin njerëzimit".
Tani ky burrë nuk ka më shtëpi. E kish deri dje, jetonte në të, priste e përcillte mysafirë nga e gjithë bota, mirëpo tani nuk e ka më. Ja shkatërruan...po gurët e themelit janë po aty, qemerët e portave gjithashtu, kornizat e dritareve me gurë të skalitur qëndrojnë ende në këmbë, çka tregon se me pak para e me pak punë, shtëpia e Hasan Tasimit mund të kthehet në identitet, ashtu siç qe, pse jo edhe më e fortë.
Përtej punës dhe mësimit në Greqi
Kur flet për një komunë ku burrat punojnë në Greqi, fëmijët mësojnë në shkollat greke dhe gratë psonisin në marketet greke të krijohet përshtypja se këta njerëz kanë arritur parajsën.
E vërteta është krejt ndryshe.
Për të shkuar nga Saranda deri në këtë "parajsë" rruga është një ferr i vërtetë. 70 km rrugë ka 700 mijë gropa, kurse për të shkuar nga qendra e komunës në Janjar, fshati më ekstrem në hartën e Shqipërisë, ku ndahet kufiri me Greqinë, s`bëhet më fjalë për rrugë.
Sadete Didani na thotë e revoltuar se: "Ne jetojmë kot. Gjatë 9 ditëve unë kam të drejtë të mbush vetëm një herë ujë Më thoni a rron dot njeriu pa ujë? Do pish, do lash, do potisesh...Doktor s‘kemi. Vdiqe, linde, u sëmure doktor s‘ka! Për të kryer një dhëmballë do veç në Sarandë, do bësh 70 km e do paguash tridhjetë e pesë mijë lekë. E përse? Po unë aq pension marr në muaj.
Dhimitrulla Brahimi, një plakë tjetër nga Janjari (këtu vetëm pleq e plaka ka) na thotë e trishtuar: "Këto që të themi na, ti do i kresh psh. Në gazetë e ku do i kresh! E pastaj? Mos pandeh se do rregullosh gjë? Po ne kemi shkuar në komunë, në polici, në qark e në prefekturë e asgjë nuk ka ndryshuar sepse këtu s‘ka as komunë, as polici e as qeveri. Ka nja dy a tre familje si ajo e Rushitit që thonë ne jemi këtu e s‘ka tjetër. Ata janë qeveria, mafia, policia. E ku të vejë burri im të ankohet? Ne jemi të humbur se po u ankove të prishin vreshtin, të marrin hajvanin, të prishin shtëpinë, të heqin zorrën e ujit natën, kur ke radhën e të lenë batall. Kështu është katandisur ky fshat".
Kryetari i këshillit Janjar, Namik Bidani, kërkon të ngrejë një problem që e ka ngritur me qindra herë. Ai na tregon liqenin e Janjarit poshtë në luginë e na sqaron se ky rezervuar u ngrit për të vaditur tokat e 17 fshatrave. Kur u prish sistemi e toka u nda, ne mbetëm pa tokë se tokën tonë e mori liqeni. Pas shumë përpjekjesh, në vitin 1994,na u dhanë 80 ha tokë në Vurg kurse shtëpitë do i bënim në Cukë, në Bradanesh. Ja ku i kemi hartat, projektet, firmat dhe vulat nga këshilli i Ministrave, nga Ministria e Turizmit, nga Ministria e Rregullimit të territorit, nga KKRT, nga qarku dhe prefektura, mirëpo rezultati zero. Që nga ajo kohë e deri tani nuk është bërë asgjë. Ka 15 vjet që po na heqin zvarrë. Gënje njëri e gënje tjetri. Ata që marrin votën tonë bëjnë lart, kurse ne bëjmë gjithnjë e më poshtë. Dikush thotë: "Ju punoni në Greqi"...."Ju i çoni fëmijët në shkollat greke?"..."Ju psonisni në Filat"...etj.
Po ku të punojmë o zotëri?
Gazeta: Shqip