Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me shpejtësi, javën e shkuar, pa asnjë diskutim në sallë, vendimin e ri për taksat bashkiake.
Vendimi erdhi pas protestave të biznesit të vogël për ngritjen e taksave në dhjetorin e shkuar dhe arritjen e një kompromisi mes tyre dhe Kryebashkiakut Veliaj për uljen e tyre.
Por vendimi ka një surprizë të madhe dhe të papritur: ai ka ulur, gjithashtu, nivelin e taksës për kalimin e pronësisë së paluajtshme për zonat e ish komunave të Dajtit, Farkës dhe Kasharit.
Në vendimin e dhjetorit 2015, taksa për këto zona--të cilat rrethojnë qytetin e Tiranës--ishte e të njejtit nivel si për qytetin e Tiranës. Vendimi i fundit i uli ato me rreth 5-7 herë duke i barazuar me nivelin e zonave më të varfra të Tiranës si Shëngjergji e Zall Bastari.
Relacioni shoqërues i projekt-vendimit shpjegonte se "ky ndryshim vjen si rezultat i interpretimeve në raport me ndryshimet e fundit në Ligjin për Sistemin e Taksave Vendore dhe vështirësitë e aplikimit në praktikë nga institucionet përgjegjëse të niveleve të miratuara."
Një deklaratë e tillë është absolutisht qesharake, përderisa janë ndërruar vetëm numrat dhe nuk kuptohet se pse ka vështirësi teknike të mblidhen dhjetë në vend të pesë apo dy.
Edhe referimi në ligjin e ri për taksat vendore nuk gjen asnjë shpjegim. Sikurse është absurde që Bashkia e Tiranës i paska kuptuar këto gjërë këto dy muajt e fundit, pasi është e qartë që në dhjetor ka pasur një tjetër mendim.
Ajo që kuptohet, në fakt është diçka tjetër.
Përfituesit e vërtetë të uljes së taksës mbi kalimin e pronësisë janë ndërtuesit dhe pronarët e pronave të paluajtshme në zonat rreth Tiranës--në Dajt apo Farkë. Vendet ku oligarkët shqiptarë kanë ndërtuar vilat e tyre të ekzagjeruara dhe komplekset rezidenciale të lluksit, të rrethuar dhe mbikqyrur nga roje private. Dhe janë vila që shiten me vështirësi.
Pa asnjë vemendje për popullin, duke shfrytëzuar në mënyrë tallëse protestën e pavetëdijshme të shumë njerëzve normalë që luftojnë për t'u dhënë një të ardhme më të mirë fëmijëve të tyre, perandori dhe shakaxhiu i tij i ri, u kanë marrë të varfërve për t'i dhënë të pasurve--të pasurve të tyre, atyre që kanë ndërtuar vilat e tyre, manjatëve të mediave, dhe bashkëpunëtorëve e shërbyesve të tyre të nivelit të mesëm, noterëve, gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, fiskalistëve, dhe mbi të gjitha funksionarëve të shtetit, minsitrave, doganjerëve, tatumorëve.
Ky është socializmi i Rilindjes, kjo është taksa progresive në kahun e kundërt, që ju merr të varfërve për t'ju dhënë të pasurve.