Betim Muço më dërgoi on line, përkthyer për qejf prej tij, tregimin “Vdekja e Plakut” të Vasili Shukshin. Në këtë prozë prekëse, deri në rreshtin e mbramë humane, teksa ndjen orën e fundit, Plaku i prozës s’rri dot pa i thënë plakës së tij se ‘…kishte qenë ca i ashpër me të…’
Në vëllimin poetik, titulluar “Bumerang”, vetë Betimi, mes tjerash, ka një poezi malli trishtues kujtesë-ëmbël për të ndjerin Robert Shvarc, i cili merret vesh, e pati një shkak që mbeti në Tiranë, kur mund të kishte nxituar gjithkundtjetër në botë, tek gjaku i tij…
Por duket se njeriu mësohet atje ku e çon rrota e fatit. Të tjerët veç mësohen me zgjedhjen e tij, siç pranojnë jetë-fatin, reciprokisht, njerëz në bashkëjetesë a fqinjësi të gjatë. Edhe kur e mërzisin njeri tjetrin, u binden heshtur orëve a ditëve të bukura që, në të vërtetë, i japin sens fjalëbe të mëdha qetësi e lumturi. Letërsia e artet, thjesht shërbejnë për t’i përjetësuar këto orë.
Për rusët adresojmë Revolucionin e Kuq më të madh që Tronditi Botën, por s’themi dot se bolshevikët i kandisën të presin kordonin e kërthizës prej natyrës, karakterit rus tolstojan. As edhe në vitet më staliniste të tyre.
Në Tiranë, post-stalinistët fare kollajshëm e prenë, fill pas Luftës së Dytë, linjën e letërsisë, kulturës, humanizmit që ngjizi Rilindja shqiptare dhe mbollën e shërbyen vitet ’30. Sot e kësaj dite s’po pranojmë dot shkoqur se ajo societe, ndonëse me sfond lindor, me sytë nga dielli i perëndimit, ishte truall që prodhoi vlera qytetare, edhe në fushën e kulturës, filozofisë e letrave. Madje inercia vazhdoi edhe përgjatë gjysmës së shekullit në vijim, teksa provuan ta helmojnë me pesticidet e artit të borive që gjëmonin nën mecenatin e shefave të politikës së kohës, që veç njeriun nuk e vendosën dot në qendër të tij.
Kudo shkrimtari ndjehet dyshues e i shqetësuar, por në këtë përmasë largimi ndaj fatit njerëzor, sa ç’ju imponua letrave shqipe, jo. Për më tepër, jo veç autorëve. Më keq akoma: personazheve.
Mjaft të njihesh me peripecitë e Lasgush Poradecit për të shpëtuar nga pushkatimi si “qen rrugaç” Cucin e tij, për të ndjerë në ç’borxh e futën autorin rrethanat politike, borxh që nuk shlyhet dot pa u pranuar si mëkat.
Bota sot është krejt tjetër, tjetër edhe se dhjetë vite më parë, kur Betim Muço fluturoi dhe e la Tiranën, natyrisht jo pa kthim. Zogjtë, në shëmbëllim me poetët, kthehen hera-herës. Nuk është ikja, e as përshtatja, fenomen shqiptar. Njeriun e sotëm, kudo, e udhëzojnë, e joshin, me globalizmin, por në asnjë rast nuk mundën, as kur ia bën fare shkoqur ftesën, të harronte atdheun…
Shkrimtarët nuk ikin kurrë prej atdheut, as kur u ndodh ose detyrohen, as kur fizikisht shfaqen tjetërkund. Ekzili ndaj është burim veprash të mëdha dhe ndaj përshkëndit memoria e tij e fosfortë. Kur adaptimi me atdheun tjetër ka suksesuar bujshëm, është vënë në dyshim integriteti moral, në mos vlera si shkrimtar.
Megjithatë, në gjithë rastet, shkrimtarët bartin me vete gjuhën e dheut ku ishin fëmijë. “Shenjën” e Atdheut.
Mbase janë qenia më e rrallë, padyshim më e pasionuar, që beson se mund ta shpjegojnë botën me shkak e shenja prej kujtesës së ngjizur në atdheun e kulturën e tyre, dhe anasjelltas. E ndjejnë krejt oportune të gjejnë çdo element të natyrës e njerëzve të vendlindjes, në territoret ku shkojnë. Janë gati të pranojnë se universi s’është tjetër veç tërësi e gjithë gjuhëve, kulturave dhe jetëve të individëve, të cilët të gjithë mund të kundrohen si heronj…Edhe vetja u merr trajtën e këtyre personazheve, zëri i të cilëve thuajse nuk arrin në vendlindje…
Me logjikë e princip tjetër, por duket sikur atyre që u ka mbetur në dorë Atdheu – pas Ikjes së tyre- nuk u del koha, nuk duan t’ia dinë, madje i gëzohen mungesës së të Ikurve. Aq më pak për krijuesit e shfaqur e madhuar në hapësirat andej larg.
Shkrimtarit, pavarësisht distancave dhe gjuhës me të cilën niset për tek lexuesi, edhe kur nuk i ndodh të përkthehet kurrë, i përndrit vegimi i mundësisë së komunikimit me shkrimtarë e lexues në botë, kudo ku merr me mend se ka shkak se mund ta ndjejnë apo të ketë shkak shëmbëllimesh subjekt apo kumtesh estetike apo sociale.
Por, pa dyshim, përgjithnjë e pashmangshëm, krijuesi është e ndjehet në gjuhën e vet, në trojet ku gjuha artikulohet në belbëzimet e para të fëmijëve…
…
Ka të ngjarë që në një bisedë shtruar-shtruar në shtypin e Tiranës, krejt pashpjegueshëm, mbase pa asnjë sebep, një i nderuar jo pak si autor, qenkej shprehur se ata që ikin nga Shqipëria, mbarojnë, humbasin…(!)
E thënë nga një krijues, për kolegët…tingëllon pa sens, ca naive, në mos fluturake, edhe pse e lëshuar pa adresë, pa të keq. Sidosi, jep shkas për kthjellime, paraqitje realitetesh dhe eksperiencash të reja.
Merret vesh, Të Ikurit, natyrshëm do duhet ta llogaritin që ky tjetri, I Gjalli Mes Të Gjallëve në mëmëdhe, pra I Pa Mërguari, nuk i lexon më, edhe nëse i ka lexuar dikur. Deri këtu s’ka asnjë problem. As për të pa-lexuarin, as për moslexuesin. Njeriu i sotëm, lexuesi shqiptar në veçanti, në atdhe e kudo, nuk është ai i Djeshmi, kur laj thaj, vetëm shkrimtarët e botuar nga “Naim Frashëri” i shtetit lexonte, ata që sugjeronte ideologjia e lëvdonte kritika zyrtare gjente në tekstet shkollore. Të tjerët, që gjykohej se nuk duheshin, madje e “prishnin” lexuesin shqiptar, shkrimtarët që “kishin mbaruar”, të huaj apo shqiptarë, në s’ishin “jashtë shtetit”, qenë në burgjet…
Shqiptarit të sotëm pa kufij, edhe me gjuhë të huaja “jo-armike” tashmë, nuk i mjafton koha të lexoj qoftë edhe vetëm nobelistët dhe të nominuarit!
Ata që marrin rrugët e botës, pas përshtatjes në kushte të tjera – proces jo aq i kollajtë ky-, dikur-dikur i kthehen pasionit të librit. Tashmë, jo vetëm librit shqip…
Në krye si lexues, Të Ikurit vënë re se Harta e Botës së Librave të Lexuesve në Liri është krejt e tjetërt nga ajo me të cilën ishin populluar bibliotekat e Këndeve të Kuq në shtëpitë e qendrat edukative, ku oferta dihej: një autor nga politika, një nga letrat, sipas hierarkisë…
Pas pak kohe përshtatjeje, kur sapo ndjehet se është shans për t’u dëshiruar dalja nga fshati, ikja nga qyteti i vogël drejt qytetit të madh, qoftë edhe si mërgim për njeriun në përgjithësi; aq më shumë për shkrimtarin.
Të mund të ikësh e të kthehesh sërish ku je nisur. Të mund të dilje e të ktheheshe, kur Shqipëria ishte e mbyllur, kur vetëm zogjtë dilnin, duhej përjetuar si privilegj. Qoftë edhe në heshtje. Madje kishe rastin të ndjeheshe edhe pak në faj, kur e dije se kolegët apo lexuesit e tu shkonin në burg, kur thjesht e zinin ngoje “botën Andej” dhe mos o Zot, Ikjen për Andej.
Tërë këto i di edhe shkrimtari që, një Zot e di përse, u shpreh se…të Ikurit humbasin, mbarojnë!
Tërë ne e dimë se, për goxha kohë, pothuaj tërë emrat e mëdhenj të letrave shqipe, i kemi pasur Ikur, mërguar a ndaluar në dheun e tyre. Me përjashtim të Fishtës, sidosi botoheshin (ktheheshin) në Prishtinë. Në Tiranë jo…
Më mirë ta lemë citimin si perceptim prej inercisë së plogësht të izolimit, ta justifikojmë si rehatllëk kombëtar, nëse ka shtysë mjaftueshmërinë e vetë të dikurshme…
“Të Ikurit”, s’ka si druhen të pohojnë: “Po, atje ku jemi tashmë, jeta mund të ndjek tjetër korsi. Të Shkruarit mund të ketë qenë një pasion e aq…E, çfarë pastaj?! Mund të ndodh atje, çfarë do ndodhte këtu, nëse s’do kish ndodhur Ikja, nëse individi do mbetej në mëmëdhe e do popullonte numrin e librave këtu…
Edhe kur “atyre që ikën…” jeta e fati u është shfaqur më ashpër “se sa ëndërronin” apo seç “meritonin”, së paku kanë arritur t’i gëzohen po këtij pasioni në trajtën tjetër: si lexues, pasurojnë botën shpirtërore, plotësohen duke lexuar libra të lirë, marrin frymë lirisht…
B. Muço, përpara se të ikte, pa e menduar ikjen, solli në Tiranë, pra në shqip, “Virgjëreshat Shqiptare” të (nobelistes së ardhme) Alice Munro dhe vetëm pastaj iku vetë! Prej andej, solli në shqip Antologji e Poetëve të Botës, të asaj bote që është, pavarësisht nesh…
E, në heshtje bujare, Të Ikurit e ata që vazhdojnë të gjejnë arsye për të ikur, u gëzohen ca të vërtetave që vijnë e shfaqen trishtuese. Tek e fundja, ikim edhe prej atyre që predikuan mbyllje gojësh e mendjesh, që bën lavdi e sukses kur njeriu privohej nga të drejta fare elementare; shpëtojmë prej atyre që (shumë më keq se me “të ikurit e pas ’90-ës,) mëkatuan ndaj atyre që nuk e deshën kurrë izolimin, mbylljen e dritareve dhe syve…
Nuk u rrëfyem aspak më të butë, me kolegët që mbetën brenda rrethimit: lamë në heshtje/vdekje ata që mund të na bënin hije…Këtu i patëm Lasgushin e Mitrushin. Edhe Robert Shvarci, nuk e la atë truall, përshkruar aq dhimbshëm e frikshëm prej Dhimitër Paskos në Amanetin e Tij për fëmijët…Nuk i lamë të iknin, si rusët, i mbajtëm gojëmbyllur, ua privuan vendlindjen si këngë, si ritm e si këngë e trishtë njerëzore mëmëdhetare. U mpakën, se ua rrëgjuam lirinë…
Historia e Mbylljes dikur ende është Dosje e hapur…
Vetëm pak javë më parë, një trumbë krijuesish – zogj të mërguar në brigjet e afërta Mesdhetare, provuan të “kthehen”, me librat e tyre në trojet e veta. Relativisht të rinj, të tjetërt në mënyrën e të perceptuarit e të shkruarit, në dëshirë shpirti, pa ftesë zyrtare, pa rimbursim biletash (…në fushatë elektorale) ,.As në studiot e përnatshme të medias dhe opinionistëve pa opinion; e dinin, në Tiranë s’ka Shtëpi Shkrimtarësh: si për t’u hakmarrë deri në fund, politika e kish shndërruar në një tjetër zyrë, ku zyrtarë të radhës me pardesy e ngjyra të ndryshme vazhdojnë të premtojnë se do ta çojnë këtë vend e këtë kulturë e këtë gjuhë në …Europë!
A s’po vinin edhe këta, poetë, shkrimtarë e studiues të rinj, nga Europa?! Në mos tërësisht europianë, pak më shumë se symbyllurit e izolimit po…!
Qofsha gabuar, nuk se u begenisën siç do duhej…
Realiteti i qartë, nuk ia vlen të pyesim, siç nuk e ndjemë dikur mungesën e Fishtës, Konicës, Camajt. Lasgushin e pëshpëritën si të vdekur teksa i gjori POET trokiste tek shkrimtarët me zyrë dhe tek zyrat e pushtetit….Nuk na e treguan përmasën e plotë të Dh. Paskos, teksa tashmë po marrim vesh si ua mërzitën atdheun e jetën atyre që ikën dhe atyre që s’e përballuan dot gjatë atë realitet…
Si të mos besojmë, në atë “truall gjarpërinjsh” ndodhi “Gjëma e mëkatit”, rrodhi në ato vise “Lumi i Vdekur”, dhe po vetëm pak vite më parë, Vathi shkroi proza të njëjtëshme. Jo veç Koreshi, por Koreshi s’na dëgjon…
Letrat s’kanë nevojë doemos për liri, themi pas nginjies vetjake. Edhe pse pati shkrimtarë që shkuan në burgje shqiptare në gjithë regjimet, krijues që u nderën telash me gjemba, i dhanë fund jetëve të këtushme. Mbahemi moralë e normalë, edhe pasi rioshët e sotëm marrin vesh se një “anonime e artë e vetëtimtë” si Suzana Selenica –e një grupi poetësh të rinj, të tërë të burgosshëm, paskej përfunduar në çmendinë.
Të tëra këto kanë ndodhur DJE…
Dje, ishim izoluar. Po sot…? Sot përse?!
Plaku i Shukshin, ca me vonesë, por e thotë, dhimbshëm: “…kam qenë ca i ashpër me ty…”