Te gjithe ne bicikleta

Të gjithë në biçikleta
Biçikletat sot janë një pasion kombëtar që kanë pushtuar këto qytete, por mbi të gjitha, një mjet që ua ka bërë jetën më të shëndetshme dhe më të bukur. Pikërisht në këto vende protagonistja e padiskutueshme është bërë biçikleta. Kështu, një intelektual i shquar si Marc Auge ka ndier nevojën e të shkruarit "Bukuria e biçikletës", ku shkruan me tone idilike për rikthimin në modë të këtij mjeti të mrekullueshëm. Ai tregon se sa e mahnitshme ishte të vizitoje Parisin dhe shumë qytete të tjera europiane me ajrin e pastër që të përplasej në fytyrë dhe bukuritë mahnitëse për t‘u adhuruar.

Por, në të vërtetë janë shifrat ato që i japin konkretizim intuitës së këtij antropologu: në Holandë, në qytete si Amsterdami apo Groeningeni, lëvizjet me biçikletë të njerëzve i kalojnë ato me makina. Në qytetin e ri të Almeres, me 180 mijë banorë, arkitektët kanë projektuar një ishull të madh vetëm për biçikletat, aq shumë i përhapur është ky mjet transporti në këto vende. Tani janë këmbësorët ata që duhen shpëtuar. Nuk ka qytet në Europën Veriore që të mos ketë parkim për biçikletat jashtë stacioneve hekurudhore, ura dhe rrugë kushtuar atyre. Ndërkaq, në Gjermani dhe Holandë ethet e lëvizjes me biçikletë janë përhapur edhe në rrugët interurbane. "Në disa zona në vendet e ulëta, rrugët lidhëse nga një qytet te tjetri janë bërë "zona 60". Makinat nuk mund ta kalojnë shpejtësinë 60 kilometra në orë dhe dy korsitë tradicionale janë shndërruar në një korsi të përbërë prej dy pistave me asfalt të kuq ku lëvizin biçikletat.

Kur dy automobilat kryqëzohen kanë lejen të vendosin një rrotë në pistën e kuqe", tregojnë ekspertët e transporteve. Sigurisht të pedalosh për shumë kilometra nuk është "sport" që e praktikojnë të gjithë. Për këtë arsye, kanë nisur të përdoren biçikletat elektrike me pedalim të asistuar, ideale për profesionistët që duan të arrijnë në zyrë në mëngjes të padjersitur dhe të kthehen në shtëpi në mbrëmje duke u dhënë pedaleve për të shkarkuar stresin. Një tjetër zgjidhje janë edhe biçikletat portative që mund të vendosen brenda çantave dhe të përdoren sapo zbret nga mjetet e tjera të transportit. Në Kopenhagen shikon biçikleta gjithandej. Ato janë mënyra më e lehtë për të lëvizur. Sot, 36% e popullsisë së kryeqytetit të Danimarkës përdor biçikleta për të shkuar në shkollë, në punë e gjetkë. Biçikleta është bërë sinonim i lëvizjes në Danimarkë. Çdo vit e më shumë, makinat po ia lënë vendin asaj. Gjithë kujdesi i përkushtohet mjedisit që në këtë vend është stil të jetuari. Në përgjithësi, gjithmonë e më shumë europianë si kurrë më parë përdorin biçikletat në vend të makinave për të shkuar në punë. Kjo zgjedhje bëhet si pasojë e çmimeve të larta të naftës, rënies ekonomike dhe shqetësimeve të tyre për ambientin.

Pedalimi dhe shëndeti

Studimet gjithmonë kanë konfirmuar se pedalimi dhe biçikletat janë mjeti më i mirë për të mbajtur trupin në lëvizje dhe zemrën e shëndetshme. Për më tepër, pedalimi është mënyra më e mirë për të luftuar ankthin, depresionin dhe frikat e ndryshme, sidomos nëse aktiviteti kryhet në ajër të pastër. Të paktën 40 minuta pedalim në ditë janë të këshillueshme dhe shumë të shëndetshme, thonë mjekët. Ndoshta është kjo arsyeja që vendet e Europës Veriore nuk vuajnë thuajse fare nga sëmundjet kardiovaskulare

Arratisje në natyrë

Në majë të gishtave, duke lënë një gjurmë të lehtë ekologjike. Më 2010-n, sipas www.sustainabletourisme.net, turistët nëpër botë do të jenë 1.6 miliardë me një impakt shumë të madh mbi ambientin. Mjafton të mendosh se një dhomë hoteli ka një konsum uji prej 1800 litrash në ditë, kundrejt 500 në muaj në një fshat në vendet në zhvillim. Këtë vit edhe skitë do të jenë ekologjike. Shembullin e parë e ka dhënë Merano në Itali me programin "Green Ski", ku impiantet e ngjitjes do të funksionojnë me energji të rinovueshme dhe mjetet e transportit do të respektojnë natyrën. Miqtë dhe rezidentët janë të ftuar të braktisin makinat për të përdorur hekurudhat dhe trenat që do të funksionojnë nëpër pista. Për të fjetur do të përdoret "Theiner‘s Garten Bio Vitahotel", i pari hotel bio në këtë zonë. Në Zvicër firma "Nature‘s Best" i nis turet e saj vetëm për ata që nënshkruajnë një protokoll se do të respektojnë ambientin. Sot e gjithë bota duket se është e mobilizuar në luftën kundër ndotjes. Një mundësi të tillë mund ta gjesh edhe në Sri Lanka, vendi që po mundohet të rilulëzojë turizmin pas luftës dhe cunamit. Ajo ka aderuar në projektin "Tourism Earth Lung", i prezantuar në konferencën botërore mbi ndryshimet klimaterike dhe turizmin, që ka për qëllim minimizimin e impaktit ambiental të emetimeve të gazrave serrë të provokuar nga ngrohja globale në dhjetë vitet e ardhshme. Në Amerikën Qendrore revolucioni jeshil ka nisur që nga popullatat lokale. Hotelet më ekologjike amerikane janë në Kaliforni dhe janë ndërtuar nga "Ledearship in energy and Enviromental design", që mban medaljen e artë në ndërtimin e banesave ekologjike.

Udhëtime ekologjike

Sa sasi C02 lëshojnë në qiell avionët?

"Intergovermental Panel on Climate Change" (IPCC) ka llogaritur se një kuotë që shkon nga 2 në 4 për qind të emetimeve totale të CO2, duhet t‘u atribuohet fluturimeve të avionëve. Europa, duke nisur nga viti 2012, sipas iniciativës së ndërmarrë nga Zvicra dhe Suedia që aplikon një taksë ekstra për avionët e vjetër që ndotin më shumë ambientin e që ulen në territorin e tyre, do të nisë t‘u kërkojë një tarifë kompanive më pak ekologjike që duan të lëvrojnë qiellin, qofshin këto europiane apo jo. Që tani kanë nisur të qarkullojnë avionët që përdorin biokarburant dhe që ndotin ambientin shumë më pak se të tjerët. Inxhinierët janë duke ndërtuar mjetet e transportit të së ardhmes për të ulur në maksimum ndotjen si pasojë e fluturimeve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama