Te gjithe syte nga Merkuti

Te gjithe syte nga Merkuti
Balerini 25-vjeçar Endri Shkoza bie në sy në shfaqjet e trupës kombëtare, për shkathtësinë, vigjilencën, gjallërinë që iu jep karaktereve. Së fundmi, në premierën "Romeo dhe Zhuljeta" ai shkëlqeu. Me kaq pak komunikim më botën që kanë artistë si ai, kush do t'ia shfrytëzonte pasionin atij.

Një nga balerinët që i dha qetësi në të punuar Peter Loukanovit, koreografit bullgar që realizoi baletin "Romeo dhe Zhuljeta", premierë më 19-22 mars në Teatrin e Operës dhe Baletit, ishte Endri Shkoza. 25 vjeç, në rolin e Merkutit, sikur e kënaqte koreografin me seriozitetin dhe korrektësinë në ekzekutimin e lëvizjeve. Loukanov u mbajt mend nga grupi i balerinëve për rigorozitetin dhe "rreptësinë" në mënyrën e të punuarit. Po për Endrin nuk ishte mundim t'i jepte jetë figurës hokatare të Merkutit. Gjithë energjia u përqendrua te akti i vdekjes, ku heroi me shpatën e ngulur në kraharor nga Tibaldi mizor (në rol Sokol Zhugri) ishte ende në këmbë, duke i qeshur turmës, e hidhej sa në krahët e vajzës së re (në rol Ledia Sula) sa në të mikut të tij Romeo (në rol Gerd Vaso, Ervis Nallbani).

Endri dinte si t'i fshihte hekjet e vdekjes, aq sa shikuesi të mësonte se heroi nuk ka frikë nga përballja me të. Atij i qeshte fytyra edhe në këto momente dhe nuk hiqte dorë lehtë nga jeta. "Shpata është e dashura ime, jeta ime. Unë me luftë jam mësuar, me luftë do vdes" vijon rrëfimin në emër të Merkutit, balerini. Saktësia në luftën me shpata, lëvizjet e shktathëta që i vishte natyrshëm Endri personazhit, e bënte dylyftimin në mbrojtje të nderit të Montagëve, të dukej i vërtetë. Shkoza, në një bisedë të sinqertë kujton realizimin e baletit, kushtet në të cilat është punuar që e detyrojnë t'i dalin nga goja fjalët "habitem sesi e kemi bërë shfaqjen".

Ja cilat ishin vështirësitë: "Koha për përgatitjen e baletit ka qenë shumë e shkurtër, rreth dy javë dhe për kaq pak kohë ne kemi dhënë maksimunimin tonë. Kemi punuar paradite e pasdite. Normalisht, të vësh në skenë për dy javë një vepër si "Romeo dhe Zhuljeta", kërkon shumë punë", rrëfen ai me bindjen se publiku do të shihte tjetër nivel nëse baleti do të merrte atë kohë që meriton. Nga ana tjetër, do ia kishte ënda të punonte me tjetër mënyrë të konceptuari të shfaqjes, "jo aq të vjetër. Te mendosh që jemi në vitin 2011. Po ta shohësh Romeo dhe Zhuljetën bashkëkohore, është perlë, nuk e di, më pëlqen shumë". Në kohën që një balerin zgjidhet për rolin jo gjithmonë ndodh që të ndihet i qetë në një ambient ku të pakënaqurit, konkurrentët jo vetëm nuk dijnë të zbusin egot e tyre dhe t'i rrahin shpatullat shoku-shokut, por sikur e ndihmojnë në zbehjen e dëshirës për të punuar fort, për të besuar, për të guxuar.

Nuk kanë qenë të paktë zërat që i kanë folur në vesh edhe Endrit, me dyshimin "si do ja dalësh?" që nuk e kanë trembur 25-vjeçarin. Vetmia, puna me veten, kërkimi i pareshtur zhdukën "pesimizmin që frenon". Jo se balerini nuk lëkundej brenda vetes para dyshimeve, por nuk i lejonte ta mbysnin dhe t'i zbehnin besimin që puna të tregon. Edhe kur koha e kalonte orën 20.00 dhe akoma ishte në sallën e provave, balerinit nuk i shkonte nëpër mend të flinte pa parë Merkutin, atë model që koreografi kishte realizuar dikur në një shfaqje baleti në Bullgari dhe Endri e kishte në një DVD.

Duhet të jetonte me luftën e Merkutit. E kështu për çdo rol. Kjo është puna e një balerini në Teatrin e Operës, kaq e vrullshme para premierave, kurse për çdo ditë shkohet në orën 9.00 dhe përfundon në orën 12.00. Tjetër regjim do të donte balerini ynë. "Mbaroj kjo shfaqje, unë do të doja të bëheshin tri-katër ditë, maksimumi dhe të ishte prapë ky vrull i punës. Kjo është e keqja këtu te ne: bëhet një balet, qetësohet trupi, muskulatura. Kur vjen shfaqja tjetër të duhet të përgatitesh nga fillimi dhe të ushtrohesh me vështirësi. Sa më shumë balete gjatë sezonit, edhe më mirë do të ishte".

Endri Shkoza ka 7 vjet që angazhohet në Teatrin e Operës dhe Baletit, dikur me një rrogë të ulët modeste që nuk i dilte të përballonte shpenzimet. Tani rroga i është trefishuar, mbi 50 mijë lekë dhe ai "arrin të kavardiset, por jo që të thuash të bësh një jetë normale". Cila mund të quhet jeta normale për Endri Shkozën? Të përballojë shpenzimet që i tejkalojnë personalet për një djalë në moshën dhe me profesionin e tij. Faturat, një pjesë të së cilave duket t'i likujdojë ai në familje. "Jo të shkoj të paguaj dritat, ujin, korrentin, telefonin, të gjitha këto".

Me punën në TKOB, jo gjithçka mund të mbulohet, kështu që i duhet të punojë dyfish sa në punë të shtetit, sa në televizione private. Ka edhe alternativa të tjera që balerini i ndërmerr, por nuk i çon deri në fund. Kursin e baletit me fëmijë e ka ndërprerë se i kujtojnë veten. "Kam parë nënën dhe babanë tim që kanë sakrifikuar për mua. Kur rritesh me atë jetesën e vështirë, nuk ua merrja dot lekët atyre fëmijëve". Figura e nënës, Dhurata Shkozës, i jep forcë. Ajo kujdeset për dëshirat e të birit, si dhe për regjimin e tij. Nuk harron çdo mëngjes lëngun e freskët, arrat me mjalt mbi komodinë...

Kush është

Endri Shkoza ka mbaruar studimet për koreografi në vitin 2008. Ka shtatë vite që punon në Teatrin e Operës dhe Baletit, por që prej vitit 2003, u fut në organikën e tij. Ka marrë pjesë në shfaqjet e baletit: "Caro Mozart" me koreografi të Tony Candeloros, te "Lumi i vdekur" me koreografi të Agron Aliajt, "Coppelia" dhe "Arrëthyesi" me koreografi të Ilir Kernit, "Zorba" me koreografi të Arjan Sukniqit dhe së fundmi te "Caravaggio", po me koreografi të Candeloros. I pëlqejnë rolet e karakterit, ka shumë dëshirë të luaj te një "Don Kishot", sidomos nëse e merr në dorë një koreograf i ri që punon mbi koncepte moderne. Kush? Një Preljocaj. Pse jo?

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama