Te hapet Pallati i Brigadave

Te hapet Pallati i Brigadave
I përdorur si rezidencë presidenciale, Pallati i Brigadave “fsheh” në brendësinë e tij një kompleks arkitekturor dhe historik të rëndësishëm. Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë dhe studiuesi Valter Gjoni shprehet se hapja për turistët mund t’i jepte një impuls të madh Tiranës. Sipas tyre, është i pakuptimtë fakti që një pasuri e tillë qëndron e mbyllur

Pallati i Brigadave duhet të hapet për turistët. Ky mendim ka disa muaj që diskutohet në mesin e specialistëve që drejtojnë institucionet e trashëgimisë në vend. I përdorur si rezidencë presidenciale, Pallati i Brigadave “fsheh” në brendësinë e tij një kompleks arkitekturor dhe historik të rëndësishëm. Projektimi i pallatit dhe parkut mbretëror nisi në vitin 1937 nga arkitektë e inxhinierë italianë si Florestano di Fausto, Giulio Bertrè, Gherardo Bosio, të cilët kanë firmat e tyre edhe në ndërtimet e rëndësishme të qytetit të Tiranës. Në fillim u quajt Vilë Mbretërore e më pas seli e mëkëmbësisë së mbretit Viktor Emanuel i III, i cili qëndroi për 10 ditë në këtë pallat. “Hapja e Pallatit të Brigadave është shumë e rëndësishme dhe një xhevahir i munguar i kurorës shumë të bukur që ka Tirana me monumente që nisin që nga shek. III- IV i erës sonë.

Ndonëse nga viti 1945 deri më sot janë prishur shumë nga shembujt më të mirë të kësaj pasurie, siç ishte edhe pazari i vjetër i Tiranës, Pallati i Brigadave në tërësinë e tij është i paprekur. Përveç kontekstit historik, ka edhe atë ambiental dhe kjo e bën edhe më tërheqës. Publiku nuk ka pse ta shohë më si një rrethim i papërshkueshëm, por si një trashëgimi të të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e presidentit. Shumë turistë të huaj janë mësuar të shkojnë në vende të ngjashme, në Londër, Paris, në çdo vend tjetër të madh të Europës”, shprehet Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë.

Kjo është një ide që prej disa muajsh po diskutohet në Ministrinë e Kulturës, në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, por ende shumë larg realizimit konkret. Valter Gjoni, studiues i vlerave historike dhe të trashëgimisë kulturore, veçanërisht për kryeqytetin, mendon se së pari për këtë ide duhet ngritur një grup pune që të përfshijë arkitektë, historianë, specialistë të monumenteve të kulturës. “Jam plotësisht me idenë që të jetë qendër e vizitueshme, nuk ka pse të mbetet e mbyllur. Me dhjetëra pallate mbretërore nëpër botë janë të vizitueshme kur kanë vlera shumë të shtrenjta, siç është Versaja, Pallati në Vjenë, në Madrid, Belgjikë, Tajlandë, Pekin, etj.

Unë nuk e shoh si praktikë normale mbajtjen mbyllur të atij pallati. Një grup pune mund të diskutojë se çfarë mund të pasqyrohet: përpjekjet për monarki e pavarësi, një galeri e princave shqiptarë ndër vite, galeri e heraldikës shqiptare apo muzeu i mbretërisë. Është një pallat që ka mjaft histori.

Aty janë pritur e përcjellë diktatorë të ndryshëm, aty janë bërë gjyqe e janë dënuar njerëz, gjen kudo edhe gjurmë të diktaturës, ndonëse ende mbetem pa përgjigje se si Enver Hoxha nuk e shkatërroi këtë ndërtesë. Pallati i Brigadave mund të jetë një muze i mirëfilltë në këtë kuptim”, thekson Gjoni. Kësaj ideje i është kushtuar edhe revista “Art & Trashëgimi”, një botim i dedikuar këtë herë për qytetin e Tiranës. Pikërisht për këto vlera, me Vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 752, datë 11/11/2004, Pallati i Brigadave dhe parku i tij është shpallur “Ansambël Historik” dhe “Zonë e Stimuluar”. Si Kadia dhe Gjoni pranojnë se është e domosdoshme një ndërhyrje restauruese në godinë, por zgjidhja mund të jetë e disallojtë.

Sipas Kadisë, përmes biletave mund të sigurohen të ardhura që mund të përdoren në vazhdim për restaurim të vazhdueshëm. Në fakt, një projekt i gjerë restaurimi u prezantua pikërisht në Pallatin e Brigadave në vitin 2006 nga një grup studiuesish italianë, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Prej asaj kohe, asnjë hap konkret më tej. Drejtori i IMK-së, Apollon Baçe, mendon se ai projekt është vështirësisht i zbatueshëm në të ardhmen, pasi pala italiane është tërhequr. Megjithatë, sipas Arbër Kadisë, hapja e Pallatit nuk do të cenonte funksionet rezidenciale. “Hapja mund të bëhet sipas një grafiku të caktuar dhe të monitoruar pa u cenuar pjesa presidenciale. Meraku ynë më i madh është nëse mund të dëmtonte vizitueshmëria ambientet e brendshme të godinës. Për këtë duhet një studim dhe mendim i specialistëve”, shprehet Kadia.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama