Ai mozaik ka qenë halë në sy për ata që e shohin thjesht dhe vetëm si "njollë" e një sistemi, nga i cili nuk duhet të mbetet asgjë. Diskutimi nëse duhet të vazhdojë të jetë aty ku është apo jo, nuk është i ri. Tentativa e parë për të vënë dorë ishte gjatë qeverisjes së djathtë të pas nëntëdhjetës. Bëhet fjalë pët heqjen e yllit pesë cepësh dhe të gërmave PPSH, nga flamuri i mozaikut. Ndërhyrje kjo e bërë me vendim të qeverisë së atëhershme. Ka pasur tentativa të mëvonshme për të ndryshuar përmbajtjen, gjë që sipas specialistëve nuk është e mundur teknikisht. Tanimë flitet për heqjen e plotë të tij, çka s'mund të bëhet thjesht me vendim qeverie, por me konsultimet e specialistëve dhe kalimin në disa komisione e këshilla, siç është ai Kombëtar i Restaurimit.
Zoti Meta pse kërkoni heqjen e mozaikut?
Mozaiku duhet të ndryshojë. Nuk është se kemi ndonjë fobi ndaj kësaj vepre. Është i ndërtuar në formën e një pllakate të realizmit socialist, një vepër ideologjike, mbi aleancën mes punëtorëve, ushtarëve, fshatarëve… Ideologjizmi që paraqet kjo vepër bie ndesh me brendinë e muzeut, me konceptin që ne kemi për të si dëshmi e qytetërimit. Brendia e Muzeut nuk ka lidhje me ideologjinë, duhet të jetë i ftohtë në këtë aspekt. Ai mozaik është balli i muzeut, gjë që nuk i përshtatet. Është e njëjta gjë sikur dikujt t'i ndryshosh emrin, kur ka një emër tjetër.
Nuk mendoni se i keni hyrë një "misioni" të vështirë?
Sigurisht që është një punë e vështirë. Dikush duhet ta ndërmerrte një hap të tillë. Përveç mentalitetit, të cilin kemi për detyrë ta ndryshojmë, kemi të bëjmë edhe me të drejtat e autorit, vlerat e veprës. Ka shumë që e kanë quajtur mediokre, megjithatë, kjo nuk më mbetet mua për ta gjykuar. Nuk i dihet të ardhmes. Do të jem ose jo unë drejtor, ai mozaik do të lëvizë që aty. Madje e gjithë pamja e jashtme e muzeut do të ndryshojë, pasi i ngjan më shumë një burgu, se sa një institucioni që rrezaton kulturë. Ka nevojë për një veshje tjetër, sigurisht pa prishur arkitekturën. Por këtë do ta zgjidhin arkitektët dhe piktorët në bashkëpunim me historianët.
Nëse heqja e mozaikut nuk është thjesht një ide, në ç'fazë jeni me këtë proces dhe ç'mendojnë për këtë punë specialistët?
Momentalisht jam në faza opinioni. Kjo është çështje e hapur, ndaj edhe unë po e bëj publike, me qëllim që të mblidhen sa më shumë mendime, në mënyrë që ideja që kam hedhur të pasurohet. Do të bëjmë një bilanc të gjithë kësaj, për të arritur në një përfundim dhe të bëjmë diçka që të mbesë. Është një çështje të cilën e kam diskutuar me specialistë të ndryshëm, me arkitektë italianë dhe specialistë të muzeve. Ka qëndrime të dyanshme. Disa thonë që nuk shkon, që në ballë të muzeut të jetë ky mozaik, të tjerë e shohin në mënyrë ekzotike dhe janë për ruajtjen si një gjurmë të socializmit.
Po specialistët shqiptarë ç'mendojnë?
Ka reagime nga më të ndryshmet. Disa reagojnë me dhimbje sepse mendojnë se mozaiku do të shkatërrohet, por kjo nuk është e vërtetë. E kemi kaluar tashmë fazën e shkatërrimit të gjërave për të ndërtuar të tjera. Jemi një vend që kërkojmë të integrohemi në Bashkimin Evropian dhe sigurisht kjo nuk bëhet me shkatërrime.
Qoftë edhe si gjurmë e një periudhe që nuk do të harrohet lehtë nga shqiptarët, nuk mendoni se mund të qëndrojë aty ku është?
Nuk kemi pse e konsiderojmë në këtë mënyrë. Në muze ruhen vlera mijëravjeçare dhe kemi se ç'lëmë si gjurmë. Kjo është edhe një padrejtësi që i bëhet historisë. Socializmi paraqet vetëm 40 vjet, ndërkohë që historia jonë është mijëra vjeçare dhe ka kaluar përmes etapash shumë të rëndësishme. 40 vjet nuk mund të dominojnë mbi 3 mijë vjet. Në historiografi një periudhë nuk vlerësohet nga qëndrimet personale të njërit apo tjetrit, por nga rezultati. Dhe rezultati i kësaj periudhe është i dhimbshëm. Megjithatë ne nuk do ta fshijmë këtë periudhë, por do ta kujtojmë me dhimbje.
Nuk keni frikë se kjo ide e juaja do të merret si politike?
Nuk ka pse të preken të djathtë e të majtë. Muzeu është i të gjithëve, është kombëtar. Identiteti kombëtar është çështje shpirtërore.
Çfarë mendoni se mund ta zëvendësojë këtë vepër, sipas jush të papërshtatshme?
Le të jetë një vepër që paraqet formimin e popullit, le të fillojmë me rrënjët e historisë, që nga ilirët për të vazhduar me formimin e kombit e të shtetit. Duhet të japim thelbin e identitetit, të shpirtit shqiptar. Mund të gjenden mënyrat për ta paraqitur këtë ide në mënyrë artistike. Nëse do të ndërtojmë aty një mozaik, atëherë është mirë që në të paraqitet identiteti kombëtar.
Cili do të jetë fati i mozaikut ekzistues?
Mozaiku është i lëvizshëm. Nuk do të shkatërrohet, por nuk e ka vlerën aty. Mund të ekspozohet brenda muzeut për të paraqitur periudhën që pasqyron, mund të vendoset në një faqe anësore të muzeut… Por kjo është një çështje që pret. Ka të tjera faza përpara kësaj.
Përfundimisht kush duhet ta marrë vendimin për heqjen e veprës?
I mbetet qeverisë të vendosë. Është ajo që ka buxhetin.
Qëndrimi i një prej autorëve
Kilica: "Pa koment. Është çështje shtetërore"
Një nga 5 autorët e mozaikut, piktori Vilson Kilica, tha dje se heqja e kësaj vepre është çështje shtetërore. "Është bërë me porosi të shtetit dhe mbeti në një institucion shtetëror, kështu që unë nuk kam ndonjë koment për të bërë në lidhje me këtë proces", - thotë Kilica. Megjithatë ai nuk mund ta mohojë se i vjen keq që mozaiku të hiqet. "Si autor i veprës, sigurisht që më dhemb, sepse është realizuar nën një trysni mjaft të madhe nga pushteti i atëhershëm dhe një mbikëqyrje të rreptë ideologjike", - tregon artisti. Ai thotë se gati një muaj më parë është thirrur në zyrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar për të diskutuar rreth mozaikut. Kilica thotë se nuk u diskutua për heqje, por për ndryshim të përmbajtjes së mozaikut, në përputhje me ndryshimin e vetë muzeut. "Sipas meje, ndërhyrja në mozaik dhe ndryshimi i përmbajtjes është i pamundur teknikisht. Është e pamundur që të adaptohet pasi bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 400 metra katrorë të ndërtuar me gurë me sipërfaqe 5-8 cm2, të vendosur në beton. Kështu që ndryshime është e pamundur të bëhen. Ky është mendimi që unë u dhashë. Nëse ata gjejnë specialistë të tjerë shqiptarë, apo të huaj, që të mund ta ndryshojnë, atëherë le të ndërhyjnë", - tha Kilica. Ai është një nga 5 artistët që kanë realizuar mozaikun "Shqipëria", përkrah Aleksandër Filipit, Agim Nebiut, Josif Drobonikut dhe Anastas Kostandinit. Mozaiku është më i madhi në llojin e tij. Ai u realizua me rastin e hapjes së Muzeut Historik Kombëtar në 28 nëntor të vitit 1981.
Anastas Kostandini: "Një vendim i verbër politik"
Bardhyl Berberi
Piktorin e njohur pogradecar Anastas Kostandini e gjetëm në studion e tij duke punuar kur mësoi për deklaratat që drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dha në intervistën për "Shekullin". Komenti i tij i parë ishte ky: "Kjo është një masakër si ajo e '97-ës, por kësaj radhe jo nga kallashët por nga jakat e bardha të zyrtarëve. Nuk mund të vendos se do një palo drejtor që nesër ia zë vendin një tjetër. Në gjithë botën janë krijuar vepra në një epokë të kontestueshme nga epoka të tjera."
Piktori sjell të freskëta ditët kur ai, i sapodiplomuar, së bëshku me profesorin e tij, Vilson Kilica si dhe kolegët Josif Dobroniku, Agim Nebiun dhe Aleksandër Filipin në qershor të vitit 1979 filluan projektimin dhe më pas ndërtimin e këtij mozaiku gjigant prej 450 m2, një nga më të mëdhenjtë e Ballkanit. Pas dy vjet e gjysmë pune mozaiku u çua në një studoi në Milano dhe u realizua në dy pjesë. "Ne, - thotë Kostandini, - ishim të shqetësuar për të realizuar një vepër që t'i rezistonte kohës dhe të ishte një emblemë kombëtare. Vetëm skica idetë vazhduan një vit deri sa arritëm atë më të mirën. Mbaj mend, - shton Kostandini - që dikush hodhi idenë që të ishte në mozaik edhe figura e Enver Hoxhës por më pas u la që mozaiku të emërtohej "Shqipëria" dhe të mos kishte figura të përcaktuara por populli, puna ndërtuese dhe historia e tij e përgjakshme."
Ai e quan veç edhe dëshmi të kapacitetit të lartë të shkollës shqiptare dhe "unë nuk e kuptoj të vijë një "si drejtor" dhe të kërkojë ta shkulë atë vepër që s'e heq dot as ai, por as kryeministri. Nëse do të ndodhë, unë do ta quaja mjerimin e kulturës kombëtare, një lajm të kobshëm, një akt të turpshëm që gjithsesi kurrë nuk duhet të ndodhë. Ky është një vendim i verbër politik, është e papranueshme dhe këtë e them si artist dhe si qytetar i këtij vendi, aq më tepër që janë aq të pakta veprat e artit që ndërtohen aktualisht në Shqipëri." Tepër i revoltuar ai shton se mozaiku ka bërë vend dhe është klimatizuar me sheshin dhe kryeqytetin.
Më pas Kostandini tregon se dikur, kur u mbyll realizimi i mozaikut "Shqipëria", autorët janë shpërblyer me 16 mijë lekë secili, sa për dy rroga mujore dhe me një dekoratë "Naim Frashëri" të shkallës së dytë. Kujton punën në temperaturat e larta të verës në Tiranë dhe të ftohtit në dimër. Kujton montimin e mozaikut tek një palestër e vjetër e shkollës 8-vjeçare "Fan Noli" kur nga parketi i prishur iu delnin akrepa helmues. Duke iu dhënë fund kujtimeve dhe komenteve për këtë lajm të keq, shton: "Nëse ka ide të çmendura, vepra duhet të mbrohet nga njerëzit e aftë dhe të zotë. Sa drejtorë janë ulur në atë karrike dhe sa do të ulen, por veprat kanë mbetur."
Alma Mile : Gazeta Shekulli