Te huajt Tirana nuk shikohet nga Sahati

Te huajt: Tirana nuk shikohet nga Sahati
Pasi bëjnë një vizitë në xhaminë e Et’hem Beut, turistët, që kanë kureshtje, i afrohen edhe Kullës së Sahatit. Ata që kanë lexuar në guida se mund të vizitohet, apo të shtyrë nga kujdestari(tashmë edhe i ekspozitës etnografike në vendin e parashikuar për muze orësh), bëjnë një ngjitje për të parë Tiranën nga lart. Janë kryesisht të huaj. Shumë pak nxënës, studentë e qytetarë.

Sipas rregullores, Sahati është i hapur nga ora 8.00 deri në 15.00 dhe hyrja është falas. Pasi ngjit një sërë shkallësh të ngushta metalike, mund ta shohësh Tiranën nga të katërta anët. Sipas të dhënave të mbajtura, gjatë muajit qershor në Kullën e Sahatit janë ngjitur 218 vetë, nga të cilët 157 turistë, në korrik 453 vetë, nga të cilët 355 të huaj dhe në muajin gusht(pjesërisht i hapur) e kanë vizituar 168 persona, ku nga këta 127 turistë. Në fakt dikur, syri mund të rrokte cepat e Tiranës. Pamja që të ofrohet sot, nuk shkon përtej disa ndërtesave të larta e të reja. “Ka shumë ndërtime të reja.

Nga njëra anë tregon zhvillim, por është paksa kaotike. Ishim kurioz ta shikonim Tiranën prej këtu”, thotë një turist hungarez, i cili kishte vizituar pjesën më të madhe të Ballkanit. Ishte nisur së bashku me tre miq të tij drejt Shqipërisë, sepse kishte dëgjuar se kishte plazhe të mira në Vlorë. “Përshtypjet janë të mira, por kam vënë re një diferencë të madhe në popullsi, ka të pasur shumë, por edhe shumë të varfër”, thotë ai. I bien përqark Sahatit, bëjnë disa fotografi dhe zbresin sërish. “Nuk shihet shumë qyteti”, thotë një prej vajzave të grupit. Teksa ngjit shkallën e fundit, ka edhe një pllakë me informacione rreth Sahatit, të cilat po i paraqesim më poshtë. Sahati i Tiranës filloi të ndërtohet në vitin 1822 me iniciativën e Haxhi Et’hem Beut, i ndihmuar edhe nga qytetarë tiranas. Ndërtimi i Kullës së Sahatit të Tiranës vazhdoi deri në vitin 1830.

Aty punuan ndërtues të zot tiranas dhe gollobordas. Si material ndërtimi i përdor, gur i sjellë nga fshati Priskë, si dhe druri i lisit me të cilin u ndërtuan shkallët ngjitëse të kullës, të cilat kohët e fundit u zëvendësuan nga shkallë metalike. Kulla në lartësi të ndryshme është e pajisur me frëngji të vogla, me funksion mbrojtës, ajrosës dhe ndriçues. Fillimisht lartësia e saj ka qenë 30 metra. Gjatë kohës së ndërtimit u sigurua nga tregtarët venedikas, ishte pa fushë me akrepa, por me një kambanë prej tunxhi, e përzierë me materiale të çmuara dhe me një mekanizëm për kurdisje. Montimi i orës u bë nga specialistë të familjes Tufina, me në krye Islamin. Tingujt matës të këtij Sahati u ndërprenë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe nuk u dëgjuan për shumë kohë, pasi kambana dhe mekanizmat e saj u grabitën. Në vitin 1928, Bashkia e Tiranës bleu në Gjermani me 13.300 franga ari një sahat modern.

Për ta vendosur këtë sahat, kulla u ngrit edhe 5 metra, pasi mekanizmat e saj zinin një volum më të madh dhe sepse kulla do të kishte 4 fusha pamje të orës me akrepa, ndryshe nga ora e parë. Gjatë luftës së Dytë Botërore ora u bombardua dhe u dëmtua. U vu përsëri në punë në korrik të vitit 1946. Është shpallur monument kulture dhe me vendim të posaçëm të bashkisë është shpallur qendër e vizitueshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama