Te huajt na blejne Kadarene dhe Kanunin

Të huajt na blejnë Kadarenë dhe Kanunin
Në kryeqytet padyshim emri që kërkohet më së tepërmi është autori i një libri, Ismail Kadare, që njihet tashmë ndërkombëtarisht. Në libraritë e kryeqytetit për të huajt, ku tregtohen edhe autorë shqiptarë në gjuhë të huaj, librashitësit tregojnë se botimet e Kadaresë janë më të kërkuarat, sidomos romani “Kronikë në gur”. Ndërsa është befasuese kërkesa e të huajve për librin totem të shqiptarëve “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, së bashku me guidat që prezantojnë Shqipërinë turistike.

Të huajt

Siç dihet, sezoni i verës është periudha ku të ardhurit nga shtete të ndryshme të botës në Shqipëri shënon fluksin më të lartë. Udhëtimi brenda kufijve tanë nuk të ofron vetëm bregdetin, Alpet e shumë pasuri të tjera. Përveç rërës, diellit, klimës mesdhetare, gjatë sezonit veror kryesisht shumë pushues të huaj kërkojnë të shfrytëzojnë edhe vlerat tona kombëtare. Kjo mesa duket ngaqë udhëtimi i tyre drejt viseve tona nuk ka si synim parësor vetëm argëtimin. Por, ata tregojnë një interes të veçantë edhe për librin shqiptar dhe guida të përmasave të ndryshme të përkthyera në shumë gjuhë të shteteve perëndimore, më së shumti. Shumë prej autorëve tanë më të njohur, veprat e tyre veçse në gjuhën shqipe, kanë mundur t’i përshtatin edhe në shumë gjuhë të tjera. Kështu, për të gjithë ata që duan të dinë për veprat tona më të njohura, nuk përbën më asnjë problem. Autorët tanë e kanë menduar këtë gjë, dhe në çdo pikë shitjesh për librat më në zë vepra të tilla kanë raftet e tyre të veçantë dhe renditen më vete. Por cilët janë konkretisht veprat më të kërkuara nëpër këto libraritë nga pushuesit e huaj, cilës gjini i përkasin shijet e tyre, sa është kostoja e tyre dhe a është i përshtatshëm çmimi përkatës për xhepin e një turisti?



Kadare, më i kërkuar në gjuhë të huaj

Në stinën e verës shumë turistë kanë vizituar libraritë e kryeqytetit që tregtojnë libra në gjuhë të huaja, të autorëve tanë dhe të huaj. Librarët tregojnë se preferencat e tyre janë të larmishme, por nuk qëndrojnë edhe aq të ndryshme nga njëri-tjetri. Të huajt duan librat tanë me karakter historik dhe guidat e vendit tonë. Por ai që thyen rekordin e librit më “të dashur” për ta janë pothuajse të gjitha veprat e shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare. Kjo, sipas tyre, vjen më shumë ngaqë ai është një nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqiptare i njohur ndërkombëtarisht. Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, fitues i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit “Nobel” për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale. “Ka shumë të turistë të huaj që vijnë në librari për të kërkuar vepra të ndryshme të penës shqiptare, por të përkthyera në gjuhë të huaja”, - shprehet shitësja e librarisë “Adrion”, një studente e filozofisë. “Mund të them që kërkesat e tyre ndahen në dy drejtime. Turistët që na vizitojnë kërkojnë vazhdimisht veprat e të njohurit Kadare, si dhe shumë katalogë që prezantojnë bukuritë dhe perlat e vendit tonë. Pra, dëshirat e tyre variojnë në libra me karakter historik sidomos, psikologjik, por edhe një guidë ku përmban vendet më të bukura të Shqipërisë, të cilat veçanërisht fokusohen në rivierën shqiptare”, - vijon librarja. Në bazë të të dhënave në këtë librari dhe shumë të tjera në kryeqytet, ndër veprat më të preferuara dhe që shitet më shumë është libri i Ismail Kadaresë, “Kronikë në gurë”. Romani “Kronikë në gur” është shkruar në vitin 1970. Kadare kritikon psikologjinë provinciale, ndërkohë që në brendësi të saj janë trajtuar edhe shumë probleme të rëndësishme të historisë. Vepra më e suksesshme flet rreth ndeshjes së dy botëve, të para përmes syve të një fëmije dhe të ritreguara nga të rriturit. Madje, në një episod autori paralajmëron fundin e strukturave klasore tradicionale shqiptaro-osmane, e ndërkohë që fëmija shikon sesi praktikat dhe traditat e plakura të qytetit të tij shuhen në një apokalips zjarri dhe dhune. Ai dokumenton një fëmijëri mes pushtimit dhe luftës italo-greko-gjermane për marrjen nën kontroll të Gjirokastrës, në afërsi të kufirit shqiptaro-grek. Në atë qytet, ku gjenden të ndërthurura fetë myslimane dhe ortodokse, ka lindur edhe diktatori i ardhshëm i Shqipërisë, si edhe shumica e klanit të tij qeverisës.

Ndërsa sa u përket katalogëve më të shitura në sezonin e pushimeve ka qenë dhe mbetet guida “Albania from the air”, (Shqipëria e parë nga lart). Ajo kushton 55 mijë lekë të vjetra, por kostoja nuk përbën asnjë pengesë për ta blerë.



Të huajt, befasues për Kanunin

Shijet e njerëzve janë të ndryshme dhe si rrjedhim jo të gjithë kërkojnë librin apo katalogun që rezulton si më i kërkuari. Turistët e ardhur sidomos nga vendet fqinje si Bullgaria, Italia, Serbia dhe nga vende të ndryshme perëndimore si Gjermania, Anglia, vendet nordike si Suedia, Norvegjia apo edhe nga kontinenti amerikan, kanë preferenca të ndryshme. “Zakonisht, librat që kërkojnë të huajt i duan më shumë për dhurata”, - shprehet një shitëse në një prej libraritë e rrugës “Sami Frashëri”. Edhe në këtë dyqan më i kërkuari rezulton Kadare me po të njëjtën vepër, por edhe autorët e tjerë nuk mbeten prapa. Sipas pikave të shitjes, librat e tjerë të shqiptarë, të përshtatur në gjuhë të huaj janë edhe libri “Faith and Fairies” i shkrimtarit Mustafa Luhaj dhe kushton 1.5 lekë të reja, “Vengeance is mine” i shkrimtarit Fatos Tarifa dhe ka një kosto prej 2.1 mijë lekësh të reja, “Rumpalla, Rumaning Throught Albani” të Peter Lukas, që kushton 1.25 mijë lekë të reja, “Mother Tereza, for my Albania” e cila është një përmbledhje shkrimesh të ndryshme ndër vite e përshtatur në gjuhën angleze nga Visar Zhiti dhe kushton 1.8 mijë lekë. Po ashtu ndër autorët më të dashur renditet edhe vepra e Fatos Kongolit, “L’ombra del altro”. Është një roman që mban një çmim prej 1.9 mijë lekësh të reja, libri i Faik Konicës që titullohet “Selectit Corespodense” të viteve 1986-1942 dhe kushton 3 mijë të reja. Ndër veprat e Kadaresë, jo vetëm “Kronikë në gur” kërkohet nga të huajt. Me veprat e tij, ai ka shënuar një numër rekord të përkthimeve në rreth 32 gjuhë të huaja, duke e bërë të pranishme Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Në bazë të të dhënave të dyqaneve të librit mjaft të pëlqyer janë edhe librat e tjerë të tij si “Prilli i thyer” që kushon 1.8 mijë lekë të reja, “Piramida”, 1.5 mijë lekë etj. Ndërsa vetë libri “Chronicle in stone”, (Kronikë në gur) kushton 3.1 mijë lekë të reja.

Ndërsa guidat klasifikohen si më të kushtueshmet. “Albanian Guide” është një katalog që kushton 1.35 mijë lekë të reja, “Albanian from the air”, si më e kërkuara dhe kushton 5.5 mijë lekë, “To Albania with love” të Fatos Tarifës, dhe katalogun me çmimin më të lartë të të gjitha veprave shqiptare në gjuhë të huaj, është katalogu “The code of Lekë Dukagjini”, (Kanuni i Lekë Dukagjinit) dhe ka një çmim që shkon në 6.5 mijë lekë të reja. Veç këtyre ka klientë që u kanë kërkuar jo rrallë edhe libra që nuk i zotërojnë. Bëhet fjalë për shumë libra sërish të Kadaresë, libra të profesor doktor Artan Fuga, si dhe përmbledhje të historisë së Shqipërisë që në periudhën e Skënderbeut. “Sigurisht që ka shumë libra që ka kanë kërkuar dhe ne nuk i kemi zotëruar”, - thotë librarja e “Adrion” në qendër të Tiranës, duke shtuar më tej se “na kërkojnë libra që të jenë përmbledhje të vetme që trajtojnë të gjithë historinë e kombit tonë, madje që në periudhën e Skënderbeut e deri në ditët e sotme. Ato që ne ofrojmë kryesisht janë libra të veçantë me subjekte historike, por u përkasin periudhave të veçanta dhe jo të gjitha kohërat në një libër të vetëm. Deri tani nuk kam lexuar ndonjë të tillë”.

Çmimet sipas gjuhës

Nëse dikush vjen nga një shtet që nuk flet anglisht, por veprën shqiptare që kërkon e gjen në gjuhë tjetër, duhet të klasifikohet si turist me fat. Kjo pasi në varësi të gjuhës që libri është përkthyer vendoset edhe çmimi. Shitëset tregojnë se të gjithë librat që janë të përshtatur në gjuhën angleze renditen ndër më të shtrenjtë. Ndërsa, po i njëjti libër në një tjetër gjuhë kushton më lirë. Kështu nëse marrim librin “Agamemnon’ daughter” të Ismail Kadaresë në gjuhën angleze do të duhet ta blejmë me një çmim prej 2.9 mijë lekësh, ndërsa në frëngjisht ai kushton rreth 1 mijë lekë më pak. Kjo nuk ndodh vetë.


Suela Furriku : Gazeta Standard

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama