Te huajt na shikojne bunkeret

Te huajt na shikojne bunkeret
Pas 20 vjetësh, turistët habiten para bunkerëve të komunizmit, informalitetit të periferive shqiptare, rrugicave pa krye dhe plehrave. Të gjitha këto i bëjnë të pafuqishme strategjitë turistike për të cilat vazhdon të flitet prej vitesh

Lajmi se një bunker në Tale të Lezhës po shndërrohet në hostel ka marrë dhenë. E përditshmja gjermane “Der Spiegel”, më shumë se një javë më parë, i kushtoi një artikull nismës së studentëve shqiptarë dhe gjermanë për ta shndërruar këtë objekt të diktaturës në një destinacion turistik. Gazeta angleze “The Guardian”, dy ditë më parë ka publikuar një reportazh me titull “Shqiptarët shikojnë gjakftohtë kur bunkerët kthehen në krevate”. Ndërsa shpjegohet ndërtimi i tyre në kohën e Enver Hoxhës nga paranoja e sulmeve të mundshme, në artikull nënvizohet se shqiptarët janë në mëdyshje, pasi disa prej tyre nuk duan t’i shohin më këto struktura që u kujtojnë të shkuarën.

“Daily Mail” po ashtu publikon një artikull mbi bunkerin që po shndërrohet në një hostel (maksimumi për tetë veta). Nuk mungojnë komentet nga ata që e kanë vizituar Shqipërinë, që i kanë parë nga afër, që kanë bërë foto, që flasin për një vend të varfër që kërkon shumë investime dhe të pastrohet nga plehrat. Bunkerët janë kthyer në një fenomen. Muajt e fundit është folur veçanërisht për to. Tashmë po shihen si objekte interesante që po zhduken e për këtë qëllim projekte arkitekturore të hartuara nga studentë po kërkojnë t’i ruajnë e t’i ripërdorin. Sigurisht në emër të turizmit.

Për ironi të fatit, këto dëshmi të komunizmit, duket se po bëhen tërheqja më e madhe turistike për të huajt. Çdokush që ka shkelur në Shqipëri flet më shumë për ta. Kjo bëhet pa ndonjë strategji turizmi, për të cilat ka 20 vite që flitet e që nuk ua kemi parë frytet. Po mendoja të njëjtën gjë kur muaj më parë, artisti gjerman Alexander Schellow bridhte në periferi të Tiranës, në zonën e Bregut të Lumit në kërkim të këtyre bunkerëve. Hynte në mes të plehrave, fotografonte si ekzemplarë të rrallë disa fëmijë që bënin çdo gjest të mundshëm para aparatit fotografik dhe i bëri pjesë të filmit të tij “Tirana”. Më shumë se gjithçka e tërhiqte informaliteti, rrugicat pa krye e pa një tabelë orientimi, një farë xhungle shqiptare.

Artistja shqiptare Anila Rubiku, që jeton në Itali, i ka paraqitur publikut ndërhyrje artistike mbi bunkerët dhe së fundmi, në Bienalen e Venecias, Elian Stefa prezantoi “Concrete Mushrooms”, një katalog që sugjeron transformimin e bunkerëve në hostel, në lokale, në pika shitjesh të produkteve artizanale, etj. E ka realizuar këtë projekt me vajzën nga Kosova, Gyler Mydytin, që nga koha kur ishin studentë të arkitekturës në Itali. Ky projekt është shpallur fitues edhe nga Ministria e Kulturës, së bashku me tre të tjerë që synojnë në transformimin apo përdorimin e trashëgimisë kulturore. Stefa ka folur edhe për kostot që mund të kishte transformimi i këtyre bunkerëve, që shkonte deri në 150 euro. Posaçërisht për interes të këtyre turistëve, janë prodhuar edhe suvenire me formën e bunkerëve në miniaturë. Janë të gjitha iniciativa të të rinjve që shohin ekzotiken në struktura të tilla. Po nëse pas 20 vjetësh turistët që vijnë në Shqipëri flasin vetëm për bunkerët, atëherë ç’mund të themi për strategjitë e turizmit?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama