Si janë shërbimet që hotelet dhe restorantet në Shqipëri u ofrojnë turistëve që zgjedhin të kalojnë pushimet në vendin tonë? Për të pasur një panoramë të qartë në lidhje me këtë, revista “Monitor” ka bërë një kërkim në një nga sajtet më të njohura për komentet mbi hotelet, “tripadvisor.com”. Ky është një ëeb-site që përdoret si “udhërrëfim” nga shumë klientë para se të zgjedhin hotelin në vendin ku do të shkojnë.
Ajo që vihet nga turistët e huaj është, së pari, një zhgënjim i tyre me “yjet” që reklamojnë hotelet, që ligjërisht nuk janë të bazuara mbi asnjë standard.
Ata vërejnë se hotelet me 5 yje mbi “krye” mund t’i mbajnë ato vetëm në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër, pasi janë larg standardeve që mund të ketë një i tillë.
Problemi tjetër është shërbimi. Shumica e komenteve evidentojnë se dhomat janë të mëdha e luksoze, por të “pambështetura” me staf të trajnuar. Stafi çalon në komunikimin në gjuhë të huaj, në sjelljen me klientët, si dhe në përdorimin e mjeteve moderne të pagesës.
Shpesh, stafi duket edhe pak mikpritës dhe jobashkëpunues. Disa të tjerë vërejnë se stafi shpesh është si “i trembur” dhe nuk mungojnë rastet kur pronarët u bërtasin atyre në sy të klientëve.
Problemi tjetër është mëngjesi, i cili përgjithësisht nuk është bufe dhe ofron veçse vezë të ziera apo të skuqura. Mëngjesi është shpesh një zhgënjim për klientët e huaj.
Nga komentet vihet re se klientët e huaj janë shumë të vëmendshëm ndaj shërbimit dhe më pak ndaj luksit të tepruar dhe shpesh “të parakorduar” që mund të ofrojë hoteli. Në “tripadvisor” evidentohen disa hotele të mira, sidomos për stafin dhe shërbimin që u kanë ofruar klientëve. Gjithnjë “mburren” hotelet që ofrojnë një mëngjes bufe dhe të larmishëm.
Ndër pikat e forta, turistët të gjithë evidentojnë ushqimin e freskët dhe të shijshëm dhe me çmime të lira. Sipas tyre, edhe në restorante pranë hotelit mund të gjesh gatime shumë të mira, me çmime të ulëta.
Disa komente:
-“Etiketuar si një hotel me 5 yje. Dhe kjo mund të jetë edhe në Shqipëri, por ndoshta jo gjetkë. Ne ishim në një dhomë në fund të korridorit, me një krevat shumë të madh, por jo me çarçafë aq të mëdhenj sa krevati. Dushi ishte i ngushtë, ndërkohë që një pjesë të mirë të dollapit e zinin mbulesat e dimrit, duke lënë shumë pak hapësirë për të varur veshjet”, thotë një lexues.
-“Dhoma e hotelit ishte vërtet e mirë, por nuk kishte tharëse flokësh as TV satelitor, as shërbim 24 orë, as telefon në dhomë, stafi ishte jo korrekt, kamerierëve duhet t’u luteshe shumë që të vinte porosia, gatimi, jo shumë cilësor. Si pamje, si vend ishte i bukur, por të linte shumë për të dëshiruar, nuk përkonte çmimi i lartë me cilësinë e shërbimit dhe ushqimit. Më vjen keq, ishte një zhgënjim”.
-“Ishte një hotel shumë i vogël, por me dhoma të rehatshme dhe të pastra. Çfarë na impresionoi më shumë ishte se i gjithë stafi dhe pronarët, të prisnin me një ekstra-buzëqeshje duke na bërë të ndiheshim sikur ishim një familje”.
-“Çmimi ishte shumë i lartë krahasuar me atë që merr mbrapsht, pa ashensor, ëireless është në dispozicion vetëm nëse je afër me recepsionin, nuk ka shampo në dhoma, menyja është shumë e varfër në zgjedhje, mëngjes ishte shumë i varfër, pishina hapet shumë vonë në mëngjes dhe mbyllet më herët në mbrëmje”.