Te indinjuarit ne proteste globale ne Tirane dhjetera te rinj

Te indinjuarit ne proteste globale, ne Tirane dhjetera te rinj
Nga Azia në Europë, të indinjuarit në një protestë globale kundër abuzimeve financiare, borxhit publik në rritje dhe paketave shtrënguese anti-krizë të qeverive të ndryshme kanë pushtuar 951 qytete në plot 80 shtete të botës. Edhe Shqipëria u bë pjesë e kësaj proteste globale ku të indinjuarit kishin ekspozuar gazeta të ndryshme nëpër telat dhe pllakat e bardha të rrugës pedonale "Murat Toptani" në kryeqytet në përpjekje për të kundërshtuar korrupsionin galopant, përvetësimin e pasurisë publike, një sërë ligjesh e vendimesh të qeverisë, apo mosveprimesh etj, që bien ndesh me interesat e popullit. Por, ndryshe nga vendet e tjera për ironi të fatit të indinjuarit në Tiranë ishin shumë pak, a thua se shqiptarët janë njerëzit më të lumtur e më të kënaqur në planet sa i përket zhvillimit dhe mirëqenies. Harta e protestës së të indinjuarve të mbarë botës është tejet e gjerë e nis nga Nju Jorku për të vijuar deri në Tokio.

Nju Jork - Të indinjuarit amerikanë ishin tubuar rreth distriktit financiar të Manhattanit, i cili ishte blinduar nga forca të shumta policie.
Të indinjuarit protestuan para njërës prej bankave më të rëndësishme amerikane në sheshin Liberty të Nju Jorkut duke thirrur "Bankat shpëtuan, ndërsa ne jo". Protestuesit akuzuan edhe forcat e policisë si përgjegjëse për përleshjet në protestat e mëparshme.

Londër – Mes të indinjuarve në Londër ishte themeluesi i Wikileaks Julian Assange, i cili gjatë fjalimit të tij para të indinjuarve londinezë tha se "Sot ëndrra e të gjithë popujve në mbarë botën nga Kajro në Londër do të bëhet realitet. Ajo që po jetojmë dëshmon shkatërrimin e shtetit të së drejtës. Lëvizja jonë nuk synon shkeljen e ligjit, por respektimin e ligjit", deklaroi themeluesi i WikiLeaks Assange me një megafon, ndërsa ai ndodhet ende në arrest shtëpie.

Spanjë – Dhjetëra mijë spanjollë të indinjuar zbritën në sheshin kryesor të Madridit, aty ku kjo lëvizje zu fill majin e shkuar për tu përhapur mandej në mbarë botën.
Pesë kortezhe nga lagjet periferike u grumbulluan në mbrëmje rreth sheshit Puerta del Sol, që është pikënisja simbolike e lëvizjes.
Puerta del Sol u pushtua për një muaj gjatë pranverës së kalua nga aktivistë të të indinjuarve.

Frankfurt – Më shumë se pesë mijë persona protestuan paqësisht në qytetin gjerman të Frankfurtit me thirrjen "Nuk ia shesim demokracinë Bankës Qendrore Europiane". Tubimi u zhvillua përpara godinës së BQE-së, e cilësuar nga të indinjuarit si simboli financiar i papërgjegjshmërisë dhe për më tepër e paaftë për të vënë nën kontroll krizën financiare që ka kapluar ekonomitë evropiane.

Bruksel – Afro dhjetë mijë të indinjuar manifestuan në rrugët e Brukselit. Kortezhi i të indinjuarve pas mbërritjes në sheshin pranë bursës së Brukselit u drejtua në lagjen ku ndodhen institucionet shtetërore.

Athinë – Edhe në kryeqytetin grek Athinë disa mijëra persona u mblodhën mbrëmjen e të dielës përpara Parlamentit duke protestuar kundër masave shtrënguese të kursimit të ndërmarra nga qeveria greke për t'i bërë ballë krizës së rëndë financiare.
Gjatë protestës në sheshin Sintagma morën pjesë edhe emigrantë sirianë të cilët hodhën parrulla për lirinë e vendit të tyre. Të indinjuarit grekë tundën flamurin grek dhe pankartat kundër Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar me mbishkrimet: "Nuk paguajmë", ndërsa të tjerë kërkonin sovranitetin e Greqisë nga forumet ndërkombëtare.

Beograd – Disa qindra të indinjuar u ngritën edhe në rrugët e kryeqytetit serb, Beogradit dhe në qytete të tjera ballkanike, si Tirana duke tundur parrullat "Të bashkuar për ndryshimet globale".

Zelanda e re – Po kështu edhe në Okland mijëra të indinjuar marshuan nëpër rrugët e qytetit duke ngritur krye kundër korporatave të mëdha. Protesta të tilla u zhvilluan edhe në kryeqytetin Wellington.

Australi – Edhe në kryeqytetin australian Sidnei rreth dy mijë persona, mes të cilëve disa aborigjenë protestuan përballë Bankës Qendrore Europiane.

Japoni – Me qindra vetë marshuan edhe në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, në një protestë ku përveç të indinjuarve ndaj masave qeveritare merrnin pjesë edhe aktivistë anti-bërthamorë.

Filipine – Ndërsa në kryeqytetin e Filipineve, Manila një grup i vogël të indinjuarish protestuan kundër imperializmit amerikan.

Taivan – Në mënyrë simbolike mëse 100 vetë pushtuan qiellgërvishtësin Taipei 101, ku ndodhet selia e bursës.

Tel Aviv – Disa qindra persona marshuan paqësisht në kryeqytetin e Izraelit, por në numër shumë më të vogël krahasuar me protestat e muajve të fundit.

Montreal – Në kryeqendrën e Kanadasë Montreal disa qindra të indinjuar hapën tendat në sheshin Victoria në qendër të qytetit, si për të dhënë idenë se protestat kundër masave qeveritare anti-krizë do të vijojnë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama