Te jesh e martuar dhe.. te mos e dish
- Botuar: 15 vite më parë
- Shkruar nga:
Histori martese dhe ping-pong gjyqesh. Kur të martojnë të tjerët... Ka ndodhur në Bathore të Tiranës
Befas një ditë mund të të thonë: "Je e martuar..!". Edhe pse nuk e ke bërë kurrë këtë gjë në jetën tënde. Madje, të të shpjegojnë që je paraqitur në gjendje civile, ke deklaruar se pranon të lidhësh kurorë me personin që të ka kërkuar dorën, edhe ke firmosur (?!)
Nuk bëhet fjalë për një ëndërr, por për një histori nga ato të rrallat. Një çift rezulton i martuar edhe pse bashkëshortja nuk e di këtë fakt dhe nuk ka shkuar asnjëherë të celebrohet sipas ligjit.
Çudia nuk mbaron këtu. Plot 6 vite, pasi kishte bërë marifetin, është bashkëshorti ai që i kërkon gjykatës ta "zgjidhë" martesën, që në fakt nuk ishte "lidhur" asnjëherë. Gjithçka ka ndodhur në Bathore të Tiranës. Z.S. janë inicialet e protagonistit kryesor të kësaj ngjarjeje.
Është 36 vjeç, me arsim të lartë, lindur në Kukës dhe banues në Bathore. Shumë vite më parë, kuksiani ishte njohur me vajzën R.S., aktualisht 30 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banuese në kryeqytet.
Me dijeninë e të dy familjeve kishin nisur të bashkëjetonin në shtëpinë e 36-vjeçarit. Propozimi i mëvonshëm për martesë ka hasur kundërshtitë e vajzës, e cila kishte pranuar vetëm bashkëjetesën, por jo martesën ligjore me të.
Një ditë "bashkëshorti" mendon se e gjeti zgjidhjen. I shoqëruar nga një vajzë tjetër, e cila ka paraqitur gjeneralitete të rrema, ka trokitur në Zyrën e Gjendjes Civile të Kamzës, ku ka lidhur martesën.
Madje pak sekonda pasi ishin firmosur dokumentet e celebrimit ajo ka nxjerrë nga çanta llokume, të cilat ua ka shpërndarë të pranishmeve që nuk kanë ngurruar të urojnë çiftin: "Të trashëgoheni!".
Vetëm tre vite më vonë, ai ia ka treguar ngjarjen vajzës me të cilën vazhdonte të bashkëjetonte. Ka shpresuar se do të gjente mirëkuptim, por në vend të kësaj gjërat kanë shkuar keq e më keq. Burri ka përfunduar i denoncuar në polici e prokurori për falsifikim dokumentesh.
Në gjyq punonjësi i Zyrës së Gjendjes Civile ka pohuar: "Unë e njihja Z.S.-në, dhe e besova që femra që ishte me të ishte gruaja që bashkëjetonte". Gjithsesi, pas denoncimit burri është dënuar vetëm me gjobë, ndërkohë që vajza lushnjare ështe rikthyer në shtëpinë e saj.
Kohë më pas "burri" u bë i vetëdijshëm që martesa nuk funksiononte ai iu drejtua Gjykatës së Tiranës për të kërkuar zgjidhjen e saj. "Paditësi parashtroi në gjyq se ai legjitimohet në paraqitjen e padisë meqenëse ai ka cilësinë e bashkëshortit në këtë martesë.
Paditësi pretendoi se martesa e tij me palën e paditur është e pavlefshme për shkak se akti i martesës është i falsifikuar, sepse e paditura nuk e ka nënshkruar këtë akt. Për rrjedhojë, kjo martesë duhet të konsiderohet si e palidhur", citohet nga vendimi gjyqësor pretendimi i Z.S-së.
Po kështu, në të njëjtin mendim ka qenë edhe e paditura, e cila ka pohuar: "Kërkoj pranimin e padisë, pasi, të gjitha veprimet për lidhjen e martesës ligjore pranë Zyrës së Gjendjes Civile Kamëz janë kryer në mënyrë të njëanshme nga paditësi.
E paditura nuk është paraqitur në Gjendjen Civile dhe nuk ka nënshkruar në regjistrin e martesave, çka vërtetohet edhe nga vendimi i dënimit të 36-vjeçarit".
E thirrur në gjykim, Gjendja Civile e Kamzës e ka lënë gjithçka në çmim të gjykatës, duke mos u shprehur as për zgjidhjen dhe as për vazhdimin e martesës. Dënimi i "burrit" nuk e kishte shpallur të pavlefshme këtë martesë. Pas tre vjetësh të tjera (që do të thotë 6 vjet) me dokumente ato vazhdonin të ishin të martuar.
Edhe pse ai që "gatoi" gjithë këtë çorbë mori dënimin, ligjërisht martesa vazhdonte të ishte në fuqi. Ping-pongu gjyqësor vijon. Më në fund, gjykata vendosi të konstatonte të pavlefshme absolutisht të aktit të lidhjes së martesës si dhe zgjidhja e pasojave duke e çregjistruar të paditurën nga regjistri i martesës së Gjendjes Civile Kamëz.
Deri tani kemi thënë që njëherë në 6 muaj të shkosh te mjeku për të kontrolluar shëndetin. Me këto ngjarje, nuk do ishte keq të kaloje një herë nga gjendja civile e të kontrolloje statusin...
Ligji
Akti i martesës mbahet drejtpërdrejt në fletët e librit përkatës në rend kronologjik për çdo rast dhe nënshkruhet nga bashkëshortët në prani të jo më pak dy personave të tjerë. Kur bashkëshortët nuk dinë ose nuk janë në gjendje të nënshkruajnë, shkaku i mosnënshtrimit pasqyrohet në akt."
Në nenin 47 të po këtij ligji është parashikuar: Martesa nuk vlerësohet e lidhur kur nuk është mbajtur akti i martesës, kur të dy bashkëshortët janë shtetas shqiptarë ose njeri dhe kur në regjistrin themeltar figuron i martuar.
Precedent
E rrallë në Fier, 14 vjet e martuar, por nuk e dinte ... (!)
Historia që iu treguam nuk është e para. Para disa muajsh në "Shekulli" kemi publikuar një tjetër precedent po kaq të çuditshëm, që ka ndodhur në qytetin e Fierit. Por, në këtë rast nuk dihet se kush e ka martuar 38-vjeçaren, e cila pas 14 vjetësh, kur shkon në gjendje civile për të marrë një certifikatë nuk ia japin atë, pasi ajo rezultonte e martuar në një fshat të Fierit.
Gruaja e shokuar, habitet për këtë fakt dhe ngre një padi në gjykatën e këtij qyteti. E gjitha të ngjan më një histori telenovele, por që ka ndodhur. Nuk është zbuluar se kush e ka martuar vajzën dhe pse ia ka bërë këtë "dhuratë", por është e sigurt se dora e një njeriu e ka çregjistruar dhe e ka martuar atë.
Më tej, janë bërë verifikime për rregullsinë e aktit të martesës së këtij çifti. Siç pritej, janë vërejtur parregullsi edhe në këtë "lidhje martese". E para është se nuk ka pasur dëshmitar, gjë që është e detyrueshme sipas Kodit të Familjes (përveç bashkëshortëve të ardhshëm, duhet të marrin pjesë dy dëshmitarë madhorë dhe nëpunësi i gjendjes civile).
NGa : Gazeta Shekulli