Në Tiranën e ish-Bllokut, ku një filxhan kafe kushton një dollar, është e pamundur të kuptohet sesi një shqiptar tjetër, diku gjetkë, është i detyruar të jetojë me vetëm dy dollarë gjithë ditën. Dhe këto dy dollarë i shërbejnë për të plotësuar nevojat për ushqim, për ujë e drita, arsimim e argëtim. Eshtë thjesht e pamundur. Sa është numri i shqiptarëve që jetojnë nën shenjën e këtij fati të zi? E vështirë të thuhet sepse asnjë nga shifrat, kryesisht ato zyrtare, nuk është tërësisht e besueshme.
Në rastet e rralla kur kamerat e televizioneve shqiptare kanë dalë nga sallat e konferencave dhe deklaratave publike, ato kanë dëshmuar për skena mesjetare të jetesës së shqiptarëve. Familje që jetojnë në kushte të mjerueshme, banesa që nuk janë banesa, shpesh pa dritë dhe ujë të pijshëm dhe me ushqim të pamjaftueshëm. Sa më shumë ngjitesh në Veri e veri lindje dhe sa më malore zona, aq më e egër bëhet lufta për mbijetesë përballë varfërisë. Dibra konsiderohet si zona më e varfër në vend, me të ardhura që shkojnë deri në dy herë e gjysëm më të ulëta se ato mesatare në kryeqytet. Dhe të jesh i varfër në Shqipëri, nuk është përjashtim, është rregull.
Një tablo befasuese e varfërisë në Shqipëri dhe një kritikë për mekanizmat për ta luftuar atë, vjen nga një raport konfidencial i Avokatit të Popullit dhe që i është dërguar për shqyrtim Kuvendit të Shqipërisë që gjashtë muaj më parë, por që ka mbetur në heshtje. Avokati Igli Totozani e konfirmon ekzistencën e këtij materiali dhe nënvizon pamundësinë ligjore të institucionit të tij për ta bërë publike para se për të të diskutojë Kuvendi.
“Nuk mund t’jua vë në dispozicion këtë raport, kam pengesë ligjore. Nëse komisioni i ligjeve nuk i realizon raportet tona, ato raporte nuk bëhen të ditura për publikun”, thotë Totozani. Pavarësisht kësaj, sekretin e avokatit e thyejnë vetë deputetët. Dy nga ta, anëtarë të komisionit të ligjeve, vunë në dispozicion të revistës Java këtë raport dhe disa të tjerë të ngjashëm që kanë të bëjnë me tematika të mprehta sociale, por që kanë pësuar të njëjtin fat: Harrim dhe kyçje në kalendat greke të diskutimit të tyre. Revista Java ka zgjedhur të botojë pothuaj integralisht pjesë të këtij raporti.
Raporti i Avokatit të Popullit
Varfëria është një koncept që lidhet me pamundësinë individuale për të siguruar të ardhura, mallrat dhe shërbimet për të plotësuar nevojat bazë jetike, minimumin e mjaftueshëm të shërbimeve për ujë të pijshëm e kanalizime, furnizimin me energji; shërbimet sociale, shëndetësore e arsimore për një jetë më të mirë e dinjitoze.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në kapitullin e katërt të saj, sanksionon dhe zhvillon në 10 nene të veçantë “Liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore” të individëve. Neni 52/2 i saj, parashikon që: “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj”.
Në nenin 59 të saj sanksionon se “ ...Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë; b) plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim; c) standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor të mundshëm; ç) arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë; e) përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët; f) riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës”.
Varfëria në Shqipëri është një nga problemet sociale më prezente dhe shumë shqetësuese. Pavarësisht vlerësimit të saj, qoftë në nivelin sasior e cilësor, në aspektin ekonomik apo si shqetësim social, ajo mbetet me peshë të dukshme për një numër jo të vogël të familjeve shqiptare. Varferia nuk identifikohet vetem me të papunët apo me familjet që jetojnë në varfëri ekonomike, por përfaqësohet gjithashtu me kategori të cilat janë të përjashtuara nga të drejta themelore, si për të patur një banesë, ushqim të mjaftueshëm, ngrohje dhe veshje në dimër, punë në perputhje me aftesitë fizike, nivelin arsimor dhe formimin profesional, shkollë afër shtëpisë dhe mundësi për ta ndjekur atë, akses në shërbim shëndetësor, mbrojtje nga grabitja dhe dhuna, të drejtë dhe zë për të kërkuar të drejtat. Prandaj, duke qenë se varfëria është problem social shumë kompleks, me shumë shkaqe dhe e lidhur me mjaft faktorë, ajo duhet të vlerësohet më intensivisht dhe njëherësh me angazhim të fortë individual, shoqëror, komunitar dhe shtetëror.
Ndihma e shtetit
Programi i ndihmës ekonomike (NE), programi i mbështetjes së përsonave me aftësi të kufizuar (PAK), programi i shërbimeve sociale për fëmijë, të moshuarit, viktimat e dhunës e trafikimit, programi i pagesës së papunësisë, trajnimi e kualifikimi i të papunëve, pensionet, kompensimi i rritjes së çmimit të energjisë, ujit për shtresat e varfëra, mbështetja e të përndjekurve politik etj, kontribuojnë të gjithë së bashku dhe veç e vec, në plotësimin e nevojave të munguara të kategorive të ndryshme sociale, në reduktimin e varfërisë dhe përfshirjen e tyre në jetën shoqërore.
Programi i ndihmës ekonomike (NE) është programi i parë që ka kontribuar për reduktimin e varfërisë që në vitin 1993 në kohën kur filloi edhe procesi dhe mbyllja masive e ndërmarjeve shtetërorë, të trashëguara nga sistemi i mëparëshëm dhe ristrukturimi i ekonomisë në rrugën e tregut të lirë.
Ndihma ekonomike sipas ligji të vitit 1993 është konceptuar si një program pagesash në cash per familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme. Pagesat bazoheshin në vlerësimin e nivelit te varfërisë dhe testimin e të ardhurave. Kjo filozofi qëndron edhe sot, pavarësisht nga përmirësimet ligjore që janë bërë më ligjin e ri të vitit 2005.
Sipas percaktimeve të ligjit te sipërpërmendur, ndihma ekonomike i jepet familjes dhe financohet nga buxheti i shtetit. Për individët dhe familjet që nuk kanë të ardhura, ndihma ekonomike është e plotë. Për familjet që kanë të ardhura të pamjaftueshme nga toka, bujqesia, blegtoria etj, ndihma ekonomike është e pjesshme. Deri ne vitin 2011 ndihma ekonomike ka qënë e e palimituar në kohë, ndërsa pas ndryshimeve të bëra në mars 2011, ndihma do të jetë e limituar edhe në kohë.
Programimi i fondeve dhe shpërndarja e granteve në njësitë vendorë për reduktimin e varfërisë ka qenë pjesë e politikës së asistences sociale që prej vitit 1993. Pushteti vendor identifikonte numrin e familjeve, sipas vleresimit të dokumentacionit për të ardhurat që deklarojnë familjet aplikante, ndersa plotësimi i nevojave përcaktohej nga qeveria sipas strukturës së familjes në një masë në lekë për çdo anëtar të familjes.
Në zonat rurale, merren parasysh edhe të ardhurat e familjes nga toka, bujqësia, blegtoria etj.
Masa e ndihmës ekonomike nuk mbështetej në një standart varfërie të matshëm që bazohet në nevojat bazë jetësore të popullsisë së varfër. Masa e ndihmës ekonomike ka qenë e lidhur me pagesën bazë të papunësisë e cila në vitin 1998 ishte 2500 leke në muaj, por niveli i NE nuk mund të ishte më i lartë se 250 për qind e pagesës bazë të papunësise. Kjo do të thotë se niveli maksimal i NE për familje në atë kohë nuk ishte më i lartë se 6.500 lekë në muaj. Ky nivel pagese në një farë mënyre konsiderohej si vijë e varfërisë që mbështetej në vlerësimin e të ardhurave të familjeve. Por, në praktikë pagesa e NE nuk u korrektua asnjëherë me rritjen që ka pësuar pagesa bazë e papunësisë. Po të ndiqej kriteri i llogaritjes së NE, niveli maksimal i saj do të ishte 13.100 lekë, afërsisht sa paga minimale që ishte në atë kohë në shkallë vëndi. Në fakt në vitin 2005 niveli maksimal i NE, vazhdoi të ishte vetëm 6500 lek për familje.
Në vitin 2002 nisën përpjekjet për të matur nivelin e varfërise dhe ndërtimin e një harte të varfërisë Për shkak të nivelit të lartë të informalitetit në Shqipëri është zgjedhur linja e varfërisë sipas shpenzimeve të konsumit. Sipas kësaj linje një individ, konsiderohet i varfër, nëse niveli i shpenzimeve është më i ulët se një standart jetese, nën një vijë minimale të ardhurash që nevojiten për të plotësuar nevojat bazë për artikujt ushqimore dhe jo ushqimor.
Ky nivel minimal konsumi, konsiderohet “kufiri i varfërisë”, i cili përfaqëson pikën e ndarjes midis të varfërve dhe pjesës tjetër të popullsisë që nuk konsiderohen të varfër. Në këtë kontekst dallojmë linjën e varfërisë absolute, relative dhe subjektive. Përllogaritja e nivelit të varfërisë absolute mbështetet në një shportë faktike të konsumit të mallrave të konvertuar në vlerë duke përdorur metodikën e “kostos së nevojave bazë”.
Për të përcaktuar vijën e linjës së varfërisë, në fillim llogaritet një linjë varfërie e ushqimit, ose niveli i të ardhurave të domosdoshme për frymë në muaj që duhet të marrë një individ për të plotësuar minimumin e kalorive të domosdoshme. Më pas kjo linjë plotësohet me koston e nevojave bazë joushqimore.
Mbështetur në rekomandimet e FAO mbi nevojat minimale të kalorive sipas moshës dhe gjinisë, duke i përshtatur këto me specifikat e popullsisë në Shqipëri është llogaritur se sasia e kalorive për një person është e barabartë me 2288 kalori në ditë. Për plotësimin e këtyre nevojave është ndërtuar një shportë e varfërisë që përmban rreth 60 artikuj ushqimorë.
Kostoja e produkteve të përfshira në këtë shportë, që plotësojnë 2.288 kalori në ditë për person është llogaritur me 4891 lek në muaj (me cmimet e vitit 2002) ose rreth 2 $ në ditë. Aktualisht kjo vlerë është pothuajse e njëjtë në raportetet midis Lek dhe USD.
Ky nivel minimal konsumi, konsiderohet si “kufiri i varfërisë” i cili përfaqëson vijën e ndarjes midis të varfërve dhe jo të varfërve. Rezultatet e anketave të zhvilluara nga INSTAT, tregojnë se niveli i varfërisë absolute, i matur mbi bazën e një konsumi mujor për frymë nën 4891 lek ose rreth 2 dollarë, me çmimet e vitit 2002, u ul në 12.4 % ose në 373 mijë banorë në vitin 2008, nga 18.5 % ose 575 mijë banorë që ishte në vitin 2005 dhe 25.4% ose 813 mijë banor që ishte në vitin 2002.
Varfëria absolute ekstreme e matur mbi bazën e një konsumi mujor për frymë nën 3047 lek (me çmimet e 2002) u ul nga 4.7 % që ishte në 2002, në 3.5 % në 2005, ndërsa në vitin 2008 arriti në 1.2%.
Niveli i varfërisë ndihmoi për të ndërtuar një hartë varfërie deri në nivelin e njësive vendore, gjë e cila ka shërbyer për të programuar numrin e familjeve që duhet të përfshihen në skemën e NE, dhe mbi këtë bazë edhe të fondeve për të mbuluar nevojar e përfituesve.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT në tre vitet e anketuara sipas komponentëve të shpenzimeve mesatare ushqimor dhe jo-ushqimor në lek për person në muaj paraqiten në këtë formë: Komponentët e shpenzimeve për vitet 2002, 2005, 2008, me konsum total mesatar në lekë është përkatësish, 7800 lekë, 9105 lekë, 9731 lekë. Nga këto, për ushqim 4905 lekë, 5159 lekë, 5280 lekë, jo-ushqim 1654 lekë, 2457 lekë, 2519 lekë. Për arsimim 177 lekë, 275 lekë, 432 lekë dhe për nevojat bazë, shërbime publike, 957 lekë, 1087 lekë, 1447 lekë.
Konsumi total i shportës për të gjithë komponentët në vitin 2008 ishte 9731 lek për person, ose rreth 10.7 % më shumë se në vitin 2005 dhe rreth 25 % më shumë se në vitin 2002.
Shpenzimet ushqimore në terma real rriten vetëm me rreth 1 për qind, 5280 lekë për person për 2008-ën, kundrejt 5159 lekëve në 2005-ën.
Papunësia, sa janë?
Eshtë një nga temat kyçe të diskutimit politik në vend. Shifrat shkojnë nga një milion të papunë që e pretendon opozita deri në pjestimin me disa herë të numrit që këmbëngul qeveria. Megjithatë, duke vlerësuar të dhënat e censusit të fundit dhe shifrat zyrtare të INSTAT për këtë çështje – një institucion i kontrolluar rreptësisht nga Berisha – realiteti duket i zymtë. INSTAT pretendon se dinamika e punësimit në Shqipëri, duke nisur me vitin 2005, shkon në 932.102 qytetarë të punësuar apo të vetëpunësuar. Pesë vjet më pas, kjo shifër rrudhet më tej dhe në 2010-ën, shkon në numrin e 916.919 qytetarëve që kishin një punë. Ndërsa për vitin 2011, ka një rritje të lehtë deri në 928.052 qytetarë që punonin. Deri në qershor të vitit 2012, shifra rrudhet edhe më tej dhe shkon në rreth 923 mijë të punësuar.
Censusi i këtij viti llogariti se popullsia banuese në Shqipëri ishte dy milionë e 821 mijë banorë. Nga të cilët, duke përjashtuar grupmoshat 0-18 vjeç dhe 65 vjeç e lart që janë jashtë moshës ligjore për punësim, mbetet që forcë aktive në kërkim apo posedim të një pune, të mbetet diferenca. Këto grupmosha që nuk mund të punojnë llogariten me afërsi tek një milion e 161 mijë qytetarë, ndërsa qytetarë aktivë për punë mbeten një milion e 660 mijë. Duke zbritur nga këta edhe 932 mijë të punësuarit, diferenca e të papunëve shkon me afërsi rreth 730 mijë qytetarë, që është shumë më e madhe se pretendimi zyrtar i qeverisë. Hilja e madhe me shifrat qeveritar qëndron megjithatë gjetkë. Tek të punësuarit, qeveria llogarit edhe banorët e fshatit, të vetëpunësuarit në bujqësi, që në realitet, është shumë më afër papunësisë klasike sesa punësimit.
Ky është vetëm një tregues që e dëshmon varfërinë shqiptare të njëjtë me perceptimin që kanë vetë shqiptarët për të e nivelin e tyre të jetesës: ende të fundit në Evropë, por diku nga kreu për numrin e milionerëve të saj të rinj.
Kë prek më shumë varfëria
Rreth 50 për qind e të varfërve jetojnë në familje që kanë 6 e më shumë anëtarë. Familjet me 5 fëmijë përbëjnë rreth 54 për qind të familjeve të varfra. Varfëria është më e përhapur në shtresën më pak të arsimuar. Rreth 80 për qind e të gjithë familjeve të varfëra kanë si kryefamiljarë individë që kanë kryer vetëm 4 deri në 8 vjet shkollim.
Historikisht fondet e miratuara kane plotesuar vetëm 40-60 për qind të nevojave bazë ligjore. Madje në vitet 2006 - 2007 ka patur një tendencë në rënie të shkallës së mbulimit të nevojave të familjeve të varfera me ndihmë ekonomike.
Stopimi i fondeve nga buxheti qëndror për vitin 2012 dhe tendenca në rritje e numrit të familjeve në skemën e NE në dy vitet e fundit përbëjnë dy faktorët të ndjeshëm që reflektojnë dhe do të vazhdojnë të reflektojnë në se vazhdohet me këtë mentalitet në uljen e masës së përfitimit të NE për familje dhe në efikacitetin e programit të NE në reduktimin e varfërisë.