Te jetosh ne ishull!

Të jetosh në ishull!
Të bëhesh ishull, të ishullzohesh! Ti duhet të bëhesh ishull, i thashë pa zë vetes, duke përshkuar me ngut bulevardin. Duhet të bëhesh ishull për parandalim, për vetëmbrojtje. Bota rreth teje është përditë krejt e huaj, gati-gati armiqësore. Të paktën jo-mirëdashëse. Më kot e kërkojmë njeriun! Jo si Diogjeni në lashtësi. Unë nuk kam një kandil në duar, por një projektor gjigant. Dhe sytë s‘ma gjejnë gjëkundi. Njeri, ku je?! Megjithatë, megjithatë... Dikur fantastët romantikë të fundit të Mesjetës shpikën u-topos-in, vendin që nuk ekziston, ishullin e iluzioneve dhe njeriun Robinson, si shprehje e refuzimit të kësaj bote, që as u pëlqente, as mund ta ndryshonin. Sot ishuj të tillë vetmie nuk ka në gjithë rruzullimin.

Njeriu ia ka dalë të përshkojë edhe hapësirën madje. Bëhu ishull, më tha përsëri urtësisht vetvetja. Ishullzohu! "Armiqtë na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi ata në grykë të topit", m‘u kujtua një slogan i njohur i kohës së vjetër, për dreq. "Votat tona plumb për armikun! "Eja t‘ia heqim një plumb vetes!" - thoshte Todi Lubonja në ditën e votimit, gjatë asaj kohe të shkurtër të qëndrimit në Lezhë si i internuar. Sa më shumë që shoqëria zhvillohet, aq më e ashpër bëhet lufta e klasave. Këto slogane na ngjajnë të largët dhe disi folklorikë. Sepse nuk i gjejmë më nëpër fasada ndërtesash dhe në parakalime. Por armiqësia vetëm ka ndryshuar formë. Dhe ndoshta është bërë edhe më e egër. S‘e kam fjalën për thikat dhe shpatat në ditët e etheve zgjedhore. Ambiciozë, revolucionarë, egocentristë gjithfarësh, e duan pushtetin gjallë a vdekur dhe në ato ditë armiqtë shtohen. Një ish-ministër i sapolarguar nga jeta qeverisëse, dy herë e pati mbyllur fushatën elektorale me shprehjen: "Të gjithë ata që nuk do të na votojnë ne, pasnesër janë antishqiptarë, të shitur te grekët dhe serbët, tradhtarë dhe armiq!" Pikërisht kështu. Mirëpo mua nuk më bën thirrje të kthehem në një ishull kjo situatë që përsëritet një herë në katër vjet. Jo, një e keqe më e madhe e detyron njeriun të mbyllet në ishullin e vet. E keqja e humbjes së shpresës për mbijetesën e njeriut (jo për shfaqjen e mbinjeriut, kurrsesi). Shoh fytyrën e dhunës në çdo hap që hedh para. Të dhunës dhe të urrejtjes. Plagët e tyre janë mbi fasadat e ndërtesave, mbi trotuaret e rrugëve dhe mbi të gjitha mbi portretet e njerëzve. Një autoambulancë klith në të djathtën time. Në të majtë nxiton ulërimthi një varg veturash të policisë. Diku kanë vrarë, diku janë duke vrarë. Kanë djegur. Kanë marrë peng. Armiqësia, që dikur quhej gjakmarrje, tani nuk është një çështje cubnie, një çështje kaçakësh. "Vdekja më vjen prej syve të tillë", më vjen në mendje një titull romani. Vrasin sytë, fjalët, shurdhëria, indiferenca. Çështjet që sundojnë gjykatat e sotme të Shqipërisë, pikërisht ato gjykata që janë akuzuar si institucioni më i korruptuar i vendit, janë kryesisht për konflikte pronësie midis të afërmve, më tha një ditë një i njohur imi, jurist. Domethënë, midis vëllezërish dhe motrash, midis njerëzve të një burimi. Dhe njëra palë paguan e korrupton gjykatën për të mposhtur palën tjetër, domethënë gjysmën tjetër të të vetëve! Kudo në botë punët e trashëgimisë janë zgjidhur përmes institucionit të "vullnetit të fundit", testamentit, të cilin askush s‘ka të drejtë ta interpretojë. "Mallkue kjoft kush çartën testamendet", shkruante shqip, arkipeshkvi i Shkodrës në vitin 1734 në librin e kronikës së kishës. Ky ishte një prej mallkimeve të "së ejtes së madhe". Domethënë edhe në këtë vend dikur paska pasur një armiqësi më pak: armiqësia për trashëgim pronësie. Dhe askush nuk shkonte në gjyq për punë të tilla. Përpara apo mbrapsht ecën ky vend?! Po me këto ndryshimet e fundme të Kushtetutës? Çfarë qe kjo? Për besë më mirë ata që s‘i shkelnin dot parimet e saj, kur Shtrausi vinte e shkonte në "vendin e çuditshëm" se sa ne kështu!!!

"Bar hamë dhe parimet nuk i shkelim" - thoshin ata të kohës së idealeve të mëdha revolucionare. Ndërsa tani "Edhe diktaturë, edhe e ligjshme", pat shkruar Mentor Kikia pak ditë më parë. Por kjo është një e keqe krejt e shëmtuar dhe meriton një vëmendje jo aq të tillë për nga mesazhi që mbart. Por vazhdoj t‘i them vetes "Më mirë bëhu ishull". Gati dy dekada pas rikthimit të atij sistemi politik, që mbështetet mbi shenjtërinë e pronës private, gjysma e Shqipërisë është kundër gjysmës tjetër, pikërisht pse prona private jo vetëm nuk është e shenjtë, por ka gjinikuar armiqësinë deri brenda një familjeje. Konflikti i ish të shpronësuarve me zotëruesit e rinj të pronave të tyre është politik. Konflikti për dëmshpërblimin e ish të persekutuarve është edhe më politik. Konflikti mbi tokën është juridik. Konflikti për rikthimin e pasurive të depozituara në shoqëritë rentiere është social, politik dhe juridik. Omnes contras omnes! Të gjithë kundër të gjithëve. Kjo Shqipëri e armiqësuar aq shumë "ndër vedi" më cingëris pejzat nervorë sapo hap sytë.

Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët, qe shprehur dikur Konica. Në shkollë me Konicën bënim ironi, si mund të degradojë një fisnik pa para deri në armiqësi me atdheun. Jemi sjellë keq me këtë njeri! Pa shih! Një burrë në Elbasan, pasi ka shprazur automatikun me një karikator të tërë me fishekë mbi trupin e së shoqes, e ka ndjekur atë me sëpatë në dorë rrugëve të qytetit! Vëllai që erdhi nga Greqia për Pashkë merret peng nga i vëllai në Perlat. Për dymijë euro. Të gjitha armët janë ndër duar: thikat, sëpata, automatiku. Madje edhe veglat e punës: kazma, lopata, tullat dhe gurët e rrugës. Luftojnë njerëzia. Jo për bukën e gojës, as për të drejtën. Jo me kundërshtarin, por me të vetin. Shtetit ia japim e vëllait s‘ia japim. O unë, o asnjëri! Jeto në ishull! Mblidhu brenda vetes. Ti s‘del dot në rrugë për të ngritur barrikada dhe as për të manifestuar mospajtim. Ti përpiqesh të zbusësh të keqen me anë të mendimit. Provokon lehtë për t‘i vënë njerëzit në vramendje, se nuk është më koha e idealeve, sepse për shoqërinë transaksionale, të jesh idealist tingëllon si të jesh fluturak, në ide dhe mendim, në gjykim dhe vendim. Ha, ha sa më bën të qesh ky lloj sendërtizimi i kësaj fjale. Sepse, në të vërtetë, duke u ushqyer me të tilla ideale njeriu shkon drejt së vërtetës, drejt thelbit të suksesit e në zemër të progresit individual në të gjitha kohërat. Dikur, "të gjithë ata që i kishin këmbët të lagura, për shkak të këpucëve dhe çorapeve të grisura", ishin së bashku në qytetin e studentëve. Dhe mua më vjen në mendje një vajtim i hershëm arbëresh: "Sa të lumtur ishim, kur vuanim bashkë!" Doni t‘i shihni sot si janë shqiptarët?! Provoni të shkoni në një ditëlindje. A në një festë familjare çfarëdo. Halli më i madh i mikpritësit do të jetë si t‘i vendosë kushërinjtë që s‘flasin me njëri-tjetrin, "të vetët" që janë palë ndërgjyqësore. Ka afërsisht dy dekada që vendin e sundon strategjia e shkatërrimit. Shteti vetë shkatërron i pari. Të gjitha në "nivelin zero", kështu u tha qysh në vitin 1990. Në fakt, amerikanët "ground zero" do të quanin kuotën e fundme të kullave binjake pas goditjes terroriste të 11 shtatorit. Shqipërinë nuk e ka goditur ndonjë terrorizëm vetëvrasës nga jashtë dhe as nga brenda, ajo e do vetë "nivelin zero". E arrin dhe thotë se ky nuk është niveli zero i vërtetë, ka edhe një tjetër poshtë tij. Sepse, në Shqipëri shkatërrimi është strategji. Ai që shkatërron më shumë është më i merituari. Të djathtët "çmontuan" shtetin totalitar; pastaj të majtët u rebeluan dhe nxorën armët; dhe prapë krahu tjetër del e mburret se "gjithçka do ta nisim atje ku e lamë", domethënë tek idetë e përmbysjes. Por nuk është i vetëm shteti në strategjinë e shkatërrimit. Ai njeriu që ngrihet në mëngjes dhe vret mendjen vetëm se kujt do t‘i prishë punën, humorin, nervat, festën, gëzimin e pakët, suksesin e merituar, ai është prodhuesi më i madh i armiqësisë. Mllef dhe histeri kundër atij që sundon e atij që sundohet. Të gjitha shkatërrimet ndodhën pas vitit 1990. Por, shkatërrimi më i madh, ai që shpjegon gjithë armiqësitë e sotme, shkatërrimi i njeriut, ndodhi më parë.

Jo që njeriu i ri nuk u ndërtua, por u prish dhe i vjetri. U shkatërruan në mënyrë të pandreqshme jetët familjare. U ngritën muret mes "të vetëve". Sepse të tillë nuk kishte, njerëzit ndaheshin vetëm "me apo kundër partisë". Bëhu ishull! Mundohu të jetosh në një të tillë! E pse i duhet thënë publikut kjo?! Thjesht sepse të bëhesh ishull dhe të izolohesh është e njëjta gjë, edhe gjuhësisht. Thjesht sepse mbi ne qëndron pyetja: a po dalim prej izolimit jo vetëm 50-vjeçar, por edhe 100, 200 apo 600-vjeçar, atëherë kur vllau ndau vllaun, sepse u kthye denjësisht në një fe krejt të huaj për fshatin, vetëm se e jetoi si të kish përmbushur ato idealet e veta të mëdha? Jo, ftesa për në paktin e NATO-s nuk e shpëton Shqipërinë nga ky hall. Sepse tani nuk është shteti ai që po ishullzohet (izolohet). Eshtë individi, edhe ai i pakti individ qytetar që ndien brenda vetes njerëzi, që është i detyruar të zgjedhë ishullzimin (izolimin). Edhe ai për vetëmbrojtje, si Shqipëria dikur, pasi u prish dhe me Kinën. Dhe guri i Sizifit zbret bashkë me heroin mitik pikërisht aty ku u nis. Aty ku nis mallkimi!

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama