Te jetosh ne rrezik

Të jetosh në rrezik
Gashi u lind më 1944 në Mramur të Prishtinës. Akademinë e Arteve Figurative (drejtimi i grafikës) si dhe studimet pasdiplomike i mbaroi në Prishtinë. Në vitin 1968 filloi punën në redaksinë e gazetës “Rilindja” në Prishtinë ku punoi deri më 21 shkurt 2002. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1980. Tani jeton dhe vepron si artist i lirë në Prishtinë. Kjo është ekspozita e dytë personale që prezanton në Shqipëri.

Zoti Gashi si u bëtë piktor?

Ah piktor... qysh në fëmini arti figurativ më ka pëlqy dhe kam qenë i mirë në këtë lëndë, prej shkollës fillore, në të mesme. Mandej, me kryerjen e shkollës së mesme, të mësuesisë që atëherë quhej Shkolla Normale, në Prishtinë, vazhdova një shkollë të lartë arti figurativ, para se të hapej Akademia. I kreva të gjitha këto prej dëshirës.

Është dikush ku gjetët mbështetjen dhe udhërrëfimin?

Mësuesi që kam dashtë dhe kemi mbet miq gjithmonë është Gjelosh Gjokaj. Jeton në Gjermani. Më ka pëlqy puna e tij dhe kam marrë diçka nga ai. Diku ndoshta, në fillimet e mia, mund të ketë pasur ndonjë element nga punët e tij. Tash e kam atë individualitetin tim dhe nuk kam ndikim prej askuj. Gjokaj është një punëtor i madh dhe tash në moshë bajagi të shtyme ai punon shtatë ditë.

Puna me skrupuj në studio apo invencioni dhe krijimi me shkas realitetin? Si ndodh me ju?

Mua më bëjnë përshtypje ngjarjet e përditshme që ndodhin rreth meje, aty ku jetoj dhe veproj. Sidomos tash pas lufte, ka pas mjaft parregullsi që të krijojnë shqetësime, kështu që këto ngjarje që më shqetësojnë mundohem t’i shpreh me pikturë. Është një lloj reagimi ndaj tyre. Unë mundohem me dhënë një mesazh përmirësimi.

E përjetoni si ankth këtë proces?

Në fillim si ankth dhe kur e bëj pikturën çlirohem pak.

Cilën keni kohë më të begatë në krijimtarinë tuaj?

Mendoj se është periudha e 6 viteve të fundit. Për një kohë të gjatë unë kam punuar në gazetën e vetme “Rilindja” në Prishtinë, edhe aty herë pas herë, për shkak të natyrës së punës, kam pasë shkëputje prej artit. Kështu që gazeta ma ka marrë një kohë shumë të mirë. Tani që nuk jam më aty, prej vitit 2001-2002 i përkushtohem vetëm pikturës. Mendoj se kjo është periudha më e suksesshme.

Drama kolektive e luftës në Kosovë, sot e kësaj dite duket se ka eklipsuar dramat individuale me shkas prapë luftën. A ka mes tyre ngjarje që ju ngacmojnë?

Në Kosovë lufta ka qenë një tronditje e madhe. Si objekt në çdo pikturë timen unë kam njeriun e përditshëm, njeriun me halle. Plus ngjarjeve që ndodhin.

Jeni ndjekës i rregullt i zhvillimeve në vend?

Patjetër.

Është zhvillim normal ajo që po ndodh sot në Kosovë?

Po, ma merr mendja se po.

Pse quhet “E kuqe vatre” kjo ekspozitë në Tiranë?

E kam një pikturë të cilën nuk e kam të ekspozuar këtu. Ajo titullohet “Sofra e kuqe” dhe gjithmonë jam nisur prej elementeve tona shqiptare. E sofra është një element shumë i rëndësishëm të cilin jam mundu me e shfrytëzu, me tregu identitetin. Prandaj i kam vu edhe atë titull i cili lidhet me gjakun, me luftën, edhe me të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur.

Përse është i pranishëm në më shumë se dy tablo totemi i gjarprit?

Ah, totemi i gjarprit! Gjithmonë kemi pasë mbi kokë një gjë të huaj e cila vazhdimisht na ka çukat mbi kokë edhe nuk ka lënë rehat. Gjaprin e kam marrë si simbol të së keqes, sepse kemi përjetu gjëra shumë të rënda prej fëminisë e tutje.

Në ato tablo nuk përcillet kjo që ju thatë, duket një konvencion.

Nuk mund të përcillet në secilën pikturë, por mua më ka ngacmu vazhdimisht.

Zoti Gashi, si do ta përkufizonit komunikimin e artistëve kosovarë me botën, me përjashtim të Beogradit, e vetmja pikë kontakti në vite e konsoliduar dhe e mirë.

Sa ka qenë Jugosllavia ka pasur kontakte të mjafta me qendra të tjera në Jugosllavi, me Beogradin, me Zagrebin, me Lubjanën, Sarajevën, mirëpo prej vitit ‘89 kur u mor autonomia, u shkëputën ato lidhje, sepse situata ishte e tillë që edhe vetë Serbia i shoi të gjitha institucionet në Kosovë. Çdo përpjekje tjetër më shumë ka qenë individuale. Megjithatë kemi bashkëpunu me qendra të tjera nëpër Europë, në Zvicër, Gjermani, Francë.

Mendoni se arti në Kosovë e kapërcen lokalitetin?

Mendoj se në Kosovë ka mjaft artistë të mirë, piktorë, skulptorë, grafistë. Secili ka diçka me thanë, ka gjana mjaft të mira për tu thanë dhe nuk është se jemi shumë larg Europës. Nuk mund të themi se kemi diferencë të madhe.

Do me thënë ju e ndjeni pozitive klimën?

Po, patjetër. Vetëm se frekuenca e publikut me artin është më e vogël se sa këtu në Shqipëri.

A është nevoja që një artist si ju të jetë i angazhuar, në sferat sociale, të ditës, politike? Apo politika i kryen më së miri punët e veta?

Politika nuk më ka interesu asnjëherë. Unë punoj në atë drejtim sa për me pasë informacion çfarë po ndodh.

Ju keni jetuar gjithë kohës në Prishtinë?

Po, me përjashtim të tri muajve kur na dëbuan prej Prishtine. Fillimisht shkova në Maqedoni, pastaj kalova në Gjermani. Vazhdimisht prej viteve 90 e këtej çdo ditë ke qenë i rrezikuar të jetosh e të punosh në Prishtinë. Mandej mu më ndodhi dhe një e keqe. Para fillimit të bombardimeve bëjshim përpjekje për me mbajt gjallë artin dhe kulturën në Kosovë, dhe organizojshim ekspozita nëpër galeri-kafe. Bëna një ekspozitë në një galeri të tillë. Pas një jave aty ndodhi një tragjedi, u vra një aktore, u plagos pronari i galerisë dhe vetë galeria u dogj. Mu dogjën 43 punime, mandej mu dogj edhe shtëpia e kështu me radhë. Ka pasur ngjarje shumë tragjike.

Megjithatë ju vazhdoni sot jetën normalisht.

Si u ktheva mbas lufte në Prishtinë fillova prapë të arnoj shtëpinë, të vazhdoj pikturën. Jam i lumtur nga vetë fakti që kemi shpëtu nga gjithë ai tmerr. Njeriu duhet ta ndijë atë kënaqësi që shpëtum, po lumturia s’ka skaj.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama