Klima shumë e favorshmë e Evropës na bën që të kemi luksin e zgjedhjes edhe për destinacione bregdetare. Bregdeti i Spanjës, Italisë, Greqisë, Turqisë apo edhe Egjiptit ju mirëpret me të njëjtën ngrohtësi edhe në shtator. Ja vendet për të cilat ia vlen t’i marrësh pushimet në shtator:
Costa Blanca – Spanjë
Bregu i bardhë, kështu e kanë pagëzuar spanjollët bregdetin më të famshëm të vendit, shtrirë në lindje të tij, në provincën e Alikantes. Deti blu i kthjellët dhe kilometra të tëra plazhesh me rërë të bardhë e bëjnë Costa Blanca-n zonën më të frekunetuar gjatë verës, ndërkohë që falë mikroklimës së vendit, sezoni turistik këtu mbyllet në tetor. Çdo pjesë e Bregut të Bardhë është një thesar më vete për t’u zbuluar, që nga qytetet me jetë të gjallë gjatë ditës e natës e deri tek fshatrat tipikë të peshkimit apo ato të periudhës mauritane. Benidorm është vendi i parë që duhet të shihni në Costa Blanca me plazhe fantastike dhe një jetë nate spektakolare, ndërsa nëse preferoni vendpushime më të vogla e më të qeta këshillohen Javea dhe Denia pozicionuar në veri.
Nëse doni të njihni Spanjën e vërtetë mbani në mendje Costa Blanca-n!
Temperatura mesatare: 28C
Shkëlqimi diellit: 8 orë
Temp. e detit: 24
Costa del Sol – Spanjë
Perla andaluziane quajtur ndryshe bregdeti i diellit, është po ashtu një prej zonave më të populluara të Spanjës gjatë verës ndaj shtatori do të ishte muaji ideal për ta shijuar atë në maksimum. Costa del Sol ka nga pak për të gjitha tipet e pushimeve, duke nisur që nga resortet gjigande e të zhurmshme të Fuengirola dhe Torremolinos e deri tek vendet e vogla, vizulaisht edhe më të bukura, si Nerja apo Marbella. Fillimi i udhëtimit në Costa del Sol është qyteti kryesor i provincës, Malaga.
Temperatura mesatare: 27C
Shkëlqimi diellit:8 orë
Temp. e detit:22C
Kretë – Greqi
Kreta i gëzohet verës më të gjatë në të gjithë bregdetin e Mesdheut. Shumica e turistëve këtu rreken të shkojnë në pjesën veriore të bregut, në pikën më të njohur tursitike të Kretës, Aghios Nikolaos. Megjithatë bregdeti jugor i ishullit rezervon plazhe edhe më të bukura të cilat, me diellin që harron të perëndojë, të bëjnë të harrosh se je në vjeshtë. Vizitorët mbërrijnë në Kretë nëpërmjet dy aeroporteve ndërkombëtare të Heraklion dhe Chanias, ose me rrugë detare në portet kryesore të Heraklion, Chania, Rethimno dhe Agios Nikolaos.
Temperatura mesatare: 26C
Shkëlqimi diellit: 10 orë
Temp. e detit: 24C
Siçili – Itali
Është padyshim një nga mrekullitë e bregdetit italian. Bregdeti siçilian shtrihet nën këmbët e maleve vullkanike të Etnës, Strombolit dhe Vulcanos. Grekët romakët, arabët dhe katalanist kanë lënë gjurmët e tyre me pallatet bizantine, kështjellat gotike dhe ndërtesat e stilit barok që veshin fasadën e Palermos, kryqyteti i Siçilisë. Tempjut helenikë të Agrigento dhurojnë po aq një pamje spektakolare e cila shijohet akoma më mirë në temperaturat e buta të fillim vjeshtës. Ishulli shfrytëzon për plazh plot 1000 km nga vija e tij bregdetare gjë që bën zgjedhjen e vendpushimit sa të vështirë aq edhe të larmishme. Megjithatë plazhi ideali në Siçili gjatë muajt shtatorit është ai i bregdetit të Taorminës, veçanërisht plazhi pranë Isola Bella. Verërat cilësore dhe pjatat tipike vendase janë një tjetër arsye e vlefshme për ta patur Siçilinë dhe Taorminën në planet tuaja të pushimeve.
Temperatura mesatare: 26C
Shkëlqimi diellit: 8 orë
Temp. e detit:25C
Për të mos u humbur në shtator: Bloemencorso në Amsterdam
Të shtunën e parë të shtatorit Amsterdami dhe shumë qytete të tjera të Holandës dhe Belgjikës organizojnë paradën më të madhe të luleve njohur ndryshe dhe si Festivali i Luleve. Gjatë kësaj dite, nëpër rrugët kryesore të qytetit vërshojnë vagonë të gjatë, makina apo edhe varka të cilat janë dekoruar e stolisur magjishëm me lule të të gjitha llojeve. Çdo paradë ka karakteristikën e saj në stil, temë dhe dekor.
Receta tipike siciliane
Arancini me mish dhe bizele
Përbërësit: 500 gr oriz; 400 gr. mish i grirë; 400 gr bizele të freskëta, 50 gr djathë Percorino, 500 gr salcë domatesh, 1 gjethe selino, 1 tufë majdanoz, galetë (bukë e grirë hollë), qepë, vaj, kripë dhe piper.
Përgatitja: Pasi të keni larë majdanozin dhe selinonë grijini hollë sëbashku me qepën. Hidhini të gjitha bashkë në një tigan me fare pak vaj. Shtoni mishin e grirë, kripë dhe piper sipas dëshirës. Pasi t’i keni skuqur të gjitha bashkë për gati 10 min shtoni bizelet sëbashku me salcën e domateve dhe lërini të ziejnë derisa bizelet të zbuten tërësisht duke i përzjerë herë pas here. Më pas ziejmë orizin në ujë të kripur për 5 min, e kullojmë dhe e lëmë edhe për 5 min të tjera. Marrim orizin dhe me të përgatisim disa topëza të madhësisë së një portokalli mesatar. Në mes u hapim një vrimë me anë të një luge dhe i mbushim me harxhin e përgatitur me mish dhe bizele dhe me një cope të vogël djathi. I kalojmë në galetë dhe i bëjmë gati për t’i skuqur në një tigan të thellë me vaj luledielli. Vaji duhet t’i mbulojë arançinit në mënyrë që të marrin një skuqje të njëtrajtshme. Shërbehen të ngrohta.