Te kursesh duke shpenzuar

Te kursesh duke shpenzuar
Blerja e një arkë kursimi nuk është zgjidhja përfundimtare për të kursyer para. Si fillim duhet të teprojnë para të xhep, për t’i ruajtur brenda barkut të një derrkuci apo qypave të zakonshëm që shitet rëndom. Të kursyerit nuk përkthehet dmosdoshmërisht në mos plotësimin e nevojave apo privimin e vetës nga ushqimi, veshjet, shkollimi apo argëtimi, por ka të bëjë me të shpenzuarit me masë dhe blerja e gjerave që vërtetë nevojiten.

Studimet e INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë tregojnë se pjesa më e madhe e shpenzimeve familjare të shqiptarëve shkojnë për ushqim. Përllogaritet të ushqyerit i kushton një familje shqiptare rreth 60 për qind të shpenzimeve mujore dhe kursimi në këtë drejtim është më shumë se një sakrificë në kushtet kur aktualisht janë rritur së tepërmi edhe çmimet. Janë pikërisht ushqimet ato që kanë pësuar shtrenjtimin më të madh. Megjithatë është pjesa tjetër e shpenzimeve, që duhet mirë administruar.

40 për qindshi tjetër i shpenzimeve mujore shkon kryesisht për veshje, shkollim, ilaçe, argëtim, mobilim i shtëpisë, etj. Në këtë drejtim ka hapësira për të mbledhur disi dorën, duke ruajtur disa kacidhe për një “ditë më të keqe”. Para të cilat të ofrojnë një siguri më tepër, aq më shumë për atë, të cilëve të ardhurat dhe shpenzimet zerohen në fund të muajit.

Krahas ushqimit, vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shqiptarët shpenzojnë mjaft edhe për veshje. Në këtë pikë, ka mjaft ekspertë që japin formula të ndryshme për të mbrojtur disi xhepin nga rrjedhjet e mëdha të parave, megjithatë këshilla kryesore është blerja me plan.

Është vërtetuar që të ndodhurit pranë një produkti që kë ndërmend ta blesh, të ndjell edhe më shumë duke stimuluar harxhimin e parave. Në lidhje me këtë situatë, ekspertët këshillojnë mos blerjet në momentin e parë, por bërjen e një balance duke i dhënë përgjigje pyetjeve të tilla si: A më nevojitet vërtetë? Mund të gjej diku tjetër diçka më të mirë dhe më ekonomike? E Sigurtë që nuk do të pendohem ? Madje ka edhe me radikal në këtë drejtim, të cilët këshillojnë që kryesisht para shpenzimeve të mëdha, të dilet për pak kohë nga njësia tregtare për të menduar më ftohtë. Ndoshta pas të kesh bërë një xhiro nëpër dyqane të tjera mundet që të kuptosh se ai produkt në fakt nuk të nevojitet.

Mjaft kompania sot aplikojnë atë që quhet “stimulimi i nevojës” duke krijuar një shoqëri të konsumit. Konsumatorëve iu serviret situata sikur ai produkt është i domosdoshëm dhe se nuk mund të bëhet pa të. Sjellje të tilla, ndalohen edhe me ligj tashmë edhe në vendin tonë, duke qenë se janë të dëmshme për konsumatorin.

Edhe pse përbën një pjesë jo shumë të madhe të shpenzimeve të familjeve shqiptare, paratë e harxhuara për argëtim futen gjithsesi tek fondi i shpenzimeve të cilat nuk kanë të bëjnë me të ushqyerit. Të gjithë kemi fatura për të shlyer në fund të muajit apo javës. Duke qenë se aktivitetet argëtuese zhvillohen kryesisht në fundjavë, këshillohet që faturat e dritave, ujit, telefonit, internetit, etj., të paguhen në momentin e parë, për të mos mbartur një detyrim që gjithsesi duhet ta shlyesh dhe kur ekziston rreziku që ato para të shpenzohen për një qëllim tjetër.

Të sëmurë për të shpenzuar 

Të blerit pa kufi dhe pa plan, kur nuk ke edhe mundësi financiare është sëmundje. Studimet e mjaft Universiteteve në botë kanë treguar se një “sëmundje” e tillë po shtrihet gjerësisht, e stimuluar edhe nga teknologjia. Madje ajo ka edhe një përkufizim, i cili është: Të blesh jashtë mundësive ekonomike duke e futur veten në vështirësi financiare. “Pa menduar nëse kanë apo jo mundësi financiare, të sëmurët e kësaj kategorie blejnë pa qenë nevoja. Aq sa në momentin kur nuk bëjnë pazar bëhen keq nga ana psikologjike”, – shpjegojnë psikologët.

Nga studimet është dalë në përfundimin se pjesa më e madhe e të prekurve nga kjo simptomë janë femrat. Për persona të tillë, nuk ka rendësi se çfarë blejnë, e rendësishme është se ata po blejnë diçka. Shpenzimi i bën ata të ndjehen më mirë, të largojnë stresin dhe të mendojnë më pozitivisht. Mjaft gra blejnë ende veshje edhe pse janë në dijeni të faktit se në shtëpi kanë një garderobë të larmishme sa nuk gjejnë vend për t’i ftur. Nga ana tjetër, ka edhe prej atyre burrave, të cilët blejnë kompjuter përshembull me parametra shumë të mëdha dhe të kushtueshëm edhe pse do ta përdorin vetëm për të shkruajtur. Ç’të duhet një kompjuter me 4 Giga RAM dhe processor super të shpejtë nëse do e përdoresh vetëm për “Word”?!

Kurat kryesore në këtë drejtim është bërja e një liste të produkteve që do të blihen pa ia lenë rastësisë, lënia e kartës së kreditit apo debitit në shtëpi dhe marrja me vete e shumës së parave që nevojiten. Rast konkret është ky përshembull kur dikush del nga shtëpia duke menduar se do të blejë vetëm një këmishë dhe kthehet me dy bluza, një xhaketë, dy palë çorape, madje duke harruar fare se shkoi për këmishë. Në raste të tilla ekspertët këshillojnë kryerjen e pagesa me para në dorë dhe jo me kartë krediti apo debiti. Kjo për faktin se atëherë bëhesh i vetëdijshëm për shpenzimin që po bën. Në rastin e kartave, këshilla kryesore që japin specialistët e bankave është shpenzimi në mënyrë të kontrolluar për një detyrim që do ta shlyesh më vonë bashkë me interesat.

Padija kushton shumë

Më mirë të kesh apo të dish? Kjo është pyetja që gjen vend në shumë fusha të jetës, dhe shumë më shumë në atë të parave. Në mjaft raste, mos dija kushton shumë para. Në rastet kur kërkon të blesh veshje, argëtohesh apo të plotësosh nevoja jetike siç është përshembull të ngrënit, ekzistojnë gjithnjë vende të caktuara ku mund ti marrësh këto shërbim me më pak para nga çdo t’i merrje në dyqanin, lokalin apo restorantin e parë që të del përpara.

Zakonisht transferimi nga një qytet në tjetrin ka edhe këtë kosto, shtesë, atë të mos diturit të vendeve kur merren shërbime me të lirë. Nisur edhe nga periudha në të cilën ndodhemi, një fenomen i tillë prek më së shumti studentët e rinj që kanë mbushur qytete të ndryshme të vendit. Veshjet dhe kafetë përbëjnë zakonisht pjesën më të madhe të shpenzimeve të studentëve që kanë mbushur rishtazi fakultetet e Universiteteve. Në rastet e nevojës për të blerë veshje, dyqani i parë që del përballë nuk është zgjidhja më e mirë dhe përfundimtare. Në qytet ndodhen me dhjetëra njësi tregtare të tjera që ofrojnë të njëjtin mall me çmime shumë të ulta, mjafton t’i kërkosh.

Këshilla

Kur nisesh për të blerë, bëj një plan paraprak të atyre që ke nevojë, në mënyrë që mos të të ndodhë që të hysh në dyqan për këmishë dhe të dalesh me një palë pantallona, dy bluza, tre pallë çorape duke harruar përse shkove

Nëse nuk e ke të domosdoshme kartën, më mirë paguaj me para në dorë. Kur i numëron paratë me gishta ia di më mirë vlerën se sa kur paguan duke shtypur një buton

Mendohu dy herë para se të blesh. Pyet vetëm nëse vërtetë të nevojitet? Nëse mund të gjesh të njëjtën gjë me çmim edhe më të lirë apo se nuk do të pendohesh për blerjen e bërë

Nëse ke të ardhura të kufizuara mos bëj pazar për argëtim

Paguaj sa më parë detyrimet që kanë të bëjnë me faturat. Një detyrim i mbartur kushton më tepër

Bëj një listë të shpenzimeve javore. Më pas, nënvizo ato shpenzime që mendon se kanë shkuar kot në mënyrë që të mos e përsërisësh

Krahasoje shumë që po paguan me të ardhurat ditore nga puna. Nëse merr 2 000 lekë në ditë dhe shpenzon 2 500 lekë, gjej një rrugë për të mbuluar diferencën dukem punuar më shumë ose ul shpenzimet

Mbaj një arkë kursimi, thonë që të ndjell për të hedhur disa kacidhe sa herë i kalon afër

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama