Te mesosh serbet ne art

'Te mesosh serbet ne art'
Intervistë më Petrit Imamin, shqiptarin që drejton katedrën e dramaturgjisë në Beograd. “Jam fshehur në arkiva”, ka thënë shkrimtari dhjetë vjet më parë në një intervistë, për një të përditshme shqiptare. Sot, me bashkëshorten, që lektoron gjuhën shqipe në katedrën beogradase të gjuhës sonë, janë çifti i intelektualëve më të zëshëm, me origjinë shqiptare në kryeqytetin serb. Petrit Imami rrëfen ekskluzivisht për AKT sesi përgatit njerëzit e artit serb të dramës dhe televizionit, por edhe sesi e shikon ai gjendjen e sotme shqiptare...

Ngutet gjithnjë kur merr vesh se ndonjë shqiptar ka dëshirë ta takojë. Por, në fakt, ai harron se janë ata që duan të takojnë Petrit Imamin, profesorin e sotëm të dramës në Beograd, një nga personalitetet më të njohura të Teatrit dhe të televizionit të ish hapësirës ish-jugosllave. Truplartë, me një të folur gazmore dhe me kalimin e viteve edhe pak të ngatërruar, ai të bëhet menjëherë miqësor. Ka përgatitur breza të tërë serbësh dhe kosovarësh, që sot janë respektivisht në dramën dhe televizionin serb dhe kosovar, por që gjithnjë mbetet modest.

Fushat e tij të interesit janë të gjëra dhe kohë më parë, ishte autori i botimit shumë serioz në serbisht të veprës “Shqiptarët dhe serbët”, që u prit mjaft mirë. Në të njëjtën kohë, emrin e tij mbajnë dhe shumë botime të tjera, që lidhen me problemet e artit serb, përveç angazhimeve të tij didaktike. Në këtë intervistë për AKT, ai tregon jetën e tij dhe si e shikon Shqipërinë. Përgjigjet shumë thukët, por e mirëkuptojmë në malin e tij të angazhimeve. Edhe pse e ndjek median shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, ngurron të flasë thjesht për problematikën e sotme teknike të artit dhe televizionit shqiptar, ndërsa gjithnjë është shumë i tërhequr prej vetes. Mbas Bekim Fehmiut, ai ka qenë në njëzetë vitet e fundit, figura e dyta më e njohur e artit sllav, me origjinë shqiptare. Është një burrë serioz, por që ka shumë qejf të bisedojë dhe të shkëmbejë, ndërsa koha dhe jeta gati 55 vjeçare e kaluar vetëm në Beograd, duket se ka filluar t’ia vështirësojë pak shqipen. Kur e ngacmojmë për këtë, buzëqesh dhe shton me humor se e ka thjesht prej moshës.

Shefi i Departamentit të Dramës, në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd, nuk tregon shumë për punën e tij edhe pse diturinë e ka shpalosur në shumë fusha “Kujdes mos ta ekzagjerojmë, të thotë ai me modesti, -unë merrem thjesht me përgatitjen e njerëzve që bëjnë skenarin e filmave. Por duhet të kesh parasysh se këtu struktura e shkollës është e ndryshme nga ju. Tek departamenti im përgatiten njerëzit, që shkruajnë skenare dhe vetëm kaq”. E shoqja e tij, Naile Mala nga Llapashtica e Medvegjes, është lektore e shqipes në Katedrën e shqipes në Fakultetin e Gjuhëve të huaja të Beogradit. Kanë një djalë, që përbën motivin më të madh të jetës së tyre, ndërsa në kohën e luftës shpëtuan thjesht prej fatit. Ai vetë, do na thoshte dikur, se ishte futur në arkiva, dhe atje ka kaluar pjesën më të madhe të agresionit ndaj republikave të tjera. Në një muzg të para do kohësh, ndahemi sërish këndshëm me profesorin, ndërsa ai humbet në natën e plumbtë beogradase drejt familjes së tij.

Cila është me pak fjalë karriera juaj në Beograd dhe pozicioni juaj aktual në shkollën e dramës në Beograd?

“Pasi kam kryer degën e dramaturgjisë në Fakultetin dramës në Beograd (atëherë Akademia) kam punuar si dramaturg për disa vite në Televizionin e Prishtinës. Në të njëjtën kohë, kam qenë i angazhuar për shkollimin e kuadrove të profileve të ndryshme për televizionin e Prishtinës në këtë Fakultet, nga fundi i viteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Gjëja vendimtare për zgjedhjen time për docent në Fakultetin e Arteve të Dramës në Beograd ishte çmimi “Arena e artë” për skenar të filmit “Era e Lisi” në Festivalin e filmit artistik jugosllav në Pulia në vitin 1979, i cili është xhiruar edhe si seri televizive në kuadër të produksionit TV Prishtina, sipas motiveve të romanit të Sinan Hasanit, në regjinë e Besim Sahatçiut. Nga viti 1981 deri më sot jam në këtë fakultet docent, asistent profesor, profesor i lëndës Dramaturgjia filmike dhe televizive”.

Jeni krijues i shumë skenareve. Ku e ndjeni veten më mirë në botën e shkrimit apo në botën akademike?

“Nuk kam krijuar shumë skenarë, përveç për disa filmave, por si dramaturg dhe recensent kam bashkëpunuar në një numër të dramave televizive në TV Prishtinë dhe në filma jugosllav. Ëndrra dhe idetë krijuese vetjake të cilat i kam pasur asokohe dështuan kur shpërtheu kriza politike në Kosovë në 1981. Por, nga ana tjetër, puna pedagogjike në lëndën e shkrimit të skenarit ishte shumë tërheqëse. Metoda e punës në studimin e dramaturgjisë e nënkupton frymëzimin interaktiv midis studentit dhe pedagogut”.

Keni bërë një cikël të mrekullueshëm të historisë mes serbëve dhe shqiptarëve. A përbën historia një nga fushat tuaja të studimit?

“Kriza politike në Jugosllavi, e cila si metastazë dita-ditës thellohej në atë kohë, më ka shtyrë që të mundohem të kuptoj brendinë e ecurive të ngjarjeve të cilat zhvilloheshin këtu. Ajo ishte pikënisja e hulumtimeve të historisë midis serbëve dhe shqiptarëve. Unë nuk jam historian, por si dramaturg, më kanë interesuar ngjarjet dhe situatat në arenën politike në të cilat politikanët i kanë zhytur popujt e ish-Jugosllavisë. Kuptohet, për të shkruar librin “Serbët dhe shqiptarët gjatë shekujve” është dashur të lexoj shumë studime dhe memoare të ndryshme, të shfletoj shumë gazeta dhe revista të vjetra, dhe të gjurmoj dhe të gërmoj në disa arkiva historike në Beograd. Shumë interesant ishin edhe bisedat me pjesëmarrësit e disa ngjarjeve historike në shekullin XX“.

Jeni shumë i angazhuar në Beograd edhe me probleme të sotme të artit atje. Sipas mendimit tuaj, cilat janë fijet që e lidhin artin ballkanas në përgjithësi dhe problematika e tij?

”Nuk e kam lehtë të përgjigjem në këtë pyetje, pasi nuk kam dijeni të plotë për zhvillimin e artit në secilin vend të Ballkanit. Ajo çka më ka rënë në sy duke shikuar një numër filmash është se ekziston një dëshirë e kineastëve të Ballkanit që të xhirojnë filma sipas standardeve të filmave amerikanë (ata hollivudiane ose indipedentë), por kjo ambicie ndikon që filmat të mos jenë autoktonë. Gjithashtu bie në sy se një numër regjisorësh po xhirojnë në mënyrë rutinore pa frymëzim artistik të vërtetë. Si shembull mund të theksoj filmin e regjisorit Goran Paskaleviqit “Muaji i mjaltit”, i cili është xhiruar në koproduksion të Shqipërisë dhe Serbisë, i cili nga ana e dramaturgjisë është i përciptë. Në dy histori paralele të dy çifteve ngjarjet rreth tyre i kanë ndrydhur personalitet e tyre. Është dashur emocionet e tyre të shtjellohen në ngjarjet nëpër të cilat kalojnë. Për këtë arsye filmi nuk e përmban mbarimin, dhe shikuesi e fiton përshtypjen se u ndërpre filmi e jo që përfundoi”.

Si është një ditë e zakonshme e Z. Petrit Imami. Cilat janë angazhimet e tij kryesore?

”Përveç obligimeve ndaj familjes sime, kohëve të fundit jam duke e përfunduar librin ‘Hyrje në dramaturgjinë e filmit artistik’, e cila përmban lëvrimet e mia dhe njohjet e dramaturgjisë së filmit, të cilat deri më tani studentëve kryesisht ua kam përcjellë në orë të mësimeve”.

Kam dëgjuar se e ndiqni dhe jeni vazhdimisht në korrent të zhvillimeve shqiptare në rajon. Si e shikoni problematikën e sotme në televizionet e botës shqiptare? Sipas jush, cilat janë problemet kryesore te tyre?

”Është e vërtetë se me kureshtje po i ndjek. Tanimë kemi hyrë në një periudhë shumë dramatike në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni. Mua si dramaturg po më interesojnë aktorët në këto ngjarje, me çfarë motive ata u paraprijnë ideve politike, çfarë cilësish kanë ata, dhe çfarë fshihet pas veprimeve të tyre. Shkrimtari i njohur kroat Mirosllav Kërlezha thotë se fjalët njeriu i përdor që të fshehë mendimet e veta. Në Kosovë me vëmendje po dëgjoj këngët e grupeve rep, të cilat i zbulojnë emocionet dhe koshiencën e rinisë urbane të qyteteve të Kosovës”.

Si i keni parë zhvillimet e fundit në Shqipëri?

”Zhvillimet e fundit janë pika kulminante të ballafaqimit të dy grupeve shumë të forta të interesit. Por kriza politike e thellë është krijuar pas 21 janarit kur janë ballafaquar ashpër pushteti ekzekutiv dhe ai ligjor i Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa pikërisht këtë po e përcjellin me interesim të madh. Tash pushteti i Shqipërisë është i mbuluar me monitoring shumë të fortë nga të huajt. Nëse pushteti ligjor del si fitues kjo do të jetë garanci për ta se Shqipëria do të shkojë në rrugën e integrimeve evropiane në mënyrë të mbarë”.

Keni pasur ndonjë kërkesë për bashkëpunim me Shqipërinë?

“Drejtpërsëdrejti jo. Kam pasur disa oferta që të vij për vizitë në Shqipëri, si mysafir, por jo për bashkëpunim”.

Cilat janë angazhimet tuaja të momentit?

”Në Fakultetin e dramës në Beograd jam drejtues i Katedrës së Dramaturgjisë, kurse në Prishtinë jam duke bashkëpunuar si dramaturg me Agim Sopin në filmin e tij të ri”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama