Kjo është kategoria e atyre njerëzve që preferojnë të mos shfaqen, që zgjedhin meditimin në vend të aksionit, maturinë përballë rrezikut, vetminë në vend të shoqërizimit, po pikërisht prej kësaj kategorie njerëzore kanë pasur fatin e madh dhe të veçantë që të lënë një gjurmë, se kanë arritur të ndryshojnë botën dhe rregullat e saj. Një prej tyre është edhe Albert Ajnshtajn.
Lidhja mes introversit dhe gjenisë rrëfehet në një libër super të shitur, të shkruar nga Susan Cain me titull «Quiet» (Qetë) dhe me nëntitull “Fuqia e introversëve në një botë që nuk pushon së foluri”. Autorja, e cila është studiuese në fushën e drejtësisë, duket se edhe vetë është pjesë e kësaj kategorie njerëzish, të cilët i ka vënë në qendër të studimit të saj.
Për të realizuar këtë studim, Cain ka bërë një kërkim të gjerë duke i koordinuar të dhënat me ekspertë të temperamentit në psikologjinë e evolucionit, për të kuptuar se si është e mundur se ndërsa introversët përbëjnë 30-50 për qind të popullsisë në SHBA dhe më tepër se gjysmën në Europë, të jetë më dominues ai që autorja e definon ‘ideali i estroversit’ – që nga ekzibicionet në Facebook, apo në shkollë, ku mësuesja predikon interaksionin dhe punën në grup.
Sipas saj, i ndrojtur, në fakt nuk është një person që i nënshtrohet diktatit, por një person që i trembet poshtërimit apo mosaprovimit social. P.sh, një estroverse e ndrojtur është Barbra Streisand, e cila ka një karakter të hapur dhe të komunikueshëm, por me frikën gjatë daljes në një skenë, apo një introvers jo i ndrojtur mund të quhet Bill Gates, tip i rezervuar dhe i mbyllur, por që ndjek në mënyrë të vendosur idetë e tij duke mos u ndikuar nga kushtëzimet e jashtme.
Pra, introversët janë ata persona, që si rezultat i vuajtjes nga ankthi rreth konflikteve dhe stimujve të botës së jashtme, mbyllen në vetvete. Por pikërisht në sajë të tërheqjes së tyre dhe joprotagonizmit, lindin rezultate të jashtëzakonshme që lënë gjurmë në botë.